Çmimi ARDHJE 2020 – Ekspozita e Finalistëve

Ekspozita e Finalistëve të Çmimit ARDHJE 2020

Me artistët finalistë: Bib Frrokaj, Lori Lako, Floida Skraqi dhe Vangjush Vellahu.

Tekstet nga Alban Hajdinaj

Hapja: Ditën e enjte, datë 12 nëntor, 2020

ora 18:00

në Galerinë Zeta, Tiranë.   

Fituesi i Çmimit Ardhje 2020, do të shpallet gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës, nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga, Christiane Kada, historiane arti, kuratore e pavarur dhe drejtore për rezidencat ndërkombëtare për artistët nga rajoni i Styria-s, në Graz, Austri; Francesca Altamura, kuratore dhe organizatore eventesh kulturore në NY, USA; Leonard Qylafi, artist, përfaqësues i Shqipërisë në Ekspozitën e 57-të Ndërkombëtare të Artit, La Biennale di Venezia (2017) dhe fitues i Çmimit ARDHJE 2008, Tiranë.

Mësoni më tepër rreth tyre këtu

Fituesi i Çmimit ARDHJE do të ketë mundësinë e eksperiencës dy mujore në programin e rezidencave, në Residency Unlimited, në New York, http://residencyunlimited.org, si edhe ekspozitë personale në Qendrën ZETA. 

Rreth Punëve të Artistëve

Bib Frrokaj,  “Pritja e gjatë” video, 2020

Puna e Bib Frrokajt, “Pritja e gjatë”, është një video/film i realizuar në një peisazh sugjestionues. Artisti ka zgjedhur të filmojë vetveten në mes të një fushe të madhe e të sheshtë që përbën krejtësisht ambjentin rrethues.  Është hapësira e një aeroporti të braktisur, e cila kohët e fundit është “mbjellë” me blloqe kuboide betoni të vendosura horizontalisht e të shpërndara me një rregullsi gati simetrike përgjatë pistës së fluturimit, saqë të kujton një vepër arti në natyrë (land art), sido që funksioni i tyre është ai i nxjerrjes së pistës së fluturimit jashtë përdorimit. Vetë shfaqja e artistit, si e vetmja njollë vertikale, në këtë ambjent ndërkohë, të sugjeron të vëresh një lloj performance apo një pothuajse-përdorje të trupit të tij (body art) për të ngritur një marrdhënie me këtë hapësirë sa frymëzuese aq edhe kundërthënëse. Aktrimi i Frrokajt përballë kamerës është i reduktuar përreth një blloku betoni që i shërben herë për tu ulur, herë për tu shtrirë e herë për tu mbështetur pas tij. “Pritja” e tij kthehet në një gjest që rreket të transmetojë kuptim dhe domethënie.  Megjithëse ato i mbeten shikuesit për tu hamendësuar, puna synon të shprehë një moment ngecjeje, që sipas autorit i përkon sa gjendjes së tij personale po aq edhe asaj të shoqërisë ku ai bën pjesë, (e cila ndodhet në një moment ‘të pafundmë’ tranzicioni).  Paraqitja këmbëzbathur e artistit-aktor përforcon ndjesinë e subjektivitetit të gjestit të tij në hapësirën e zgjedhur. Nëse toka e sheshtë dhe hapësira e gjerë e pistës së aeroportit të krijon ndjesinë e frymëmarrjes dhe të lirisë për të bërë përpara, blloqet e betonit, që e ndërpresin atë si një sërë pengesash bllokuese, na thonë se “fluturimi” është i pamundur. 

Lori Lako, “Suspense”, video dhe instalacion fotografik, 2020

Instalacioni, i titulluar “Suspense”, i Lori Lakos përbëhet nga një video dhe një imazh fotografik i shtypur në përmasë të madhe. Video është një filmim ajror (nga lart) i një impianti industrial të braktisur, të periudhës së socializmit. Impianti duket i paprekur megjithë kohën e gjatë që ka kaluar që kur puna është ndërprerë në të. Kamera ajrore ndjek një linjë teleferiku industrial që është përdorur për transportin e lëndës së parë për prodhimin e gëlqeres. Mekanizmat janë të heshtur megjithatë një kolonë zanore risjell zhurmën e tyre të dikurshme, të punës. Një vagon i ngarkuar me gurë gëlqerore ka mbetur varur në kavot e ҫelikut diku në mes të rrugës që përshkonte, si për ti dhënë titullin punës ndonëse fjala “suspense”, sido që rrjedh nga folja ‘var’, do të thotë pritje dhe ankth. Video ka kapur një moment real të ngrirjes së kohës.  Ndërkohë imazhi i shtypur është një mbivendosje, “still”, të shkëputura nga dy video të ndryshme. Ai bashkon një pamje (nga poshtë) të vagonit, që varet pezull në kavot e teleferikut, me një shtëllunge tymi, të shkaktuar nga prodhimi në ditët tona i gëlqeres (që realizohet më së shumti primitivisht, duke djegur lëndë që kanë një impakt shumë negativ në ambjent) me një figurë njerëzore pranë saj. Kjo mbivendosje apo kundërthënie na bën të mendojme rreth katastrofës sa shoqërore aq ambjentaliste, që pasoi  dështimin industrial të lidhur me rënien e regjimit, në realitetin e vendit.  Nëse industrializmi i dikurshëm ishte një projekt në thelb politik dhe modernizimi teknologjik që ai solli, më së shumti moto e propagandës, apokalipsi i tij prodhoi një regres të madh, pasojat e të cilit vazhdojnë. Puna e Lakos është një reflektim mbi këta vektorë historikë që shkojnë sa para-mbrapa, ndërkohë që individi që shquajmë në imazh, dhe diku bën me shenjë në një drejtim të papërcaktuar, është simbol i dramës njerëzore që kjo histori prodhoi. 

Floida Skraqi, “Mundimi i Sizifit”, video, 2020

“Mundimi i Sizifit”, është një video e realizuar me një plan të palëvizshëm të fokusuar mbi dy duar, që punojnë mbi një tryezë mermeri, që të kujton një ambjent kuzhine.  Në këtë lloj ambjenti, vizualisht steril, duart provojnë të gërvishtin, presin, copëtojnë një gur të vogël me mjete të ndryshme prerëse, gërryese, grirëse, copëtuese të përdorimit të përditshëm në kuzhinë.  Video të krijon ndjesinë e absurdit duke na futur në hullinë e pështjellimit ekzistencial, por njëkohësisht prodhon ritëm dhe intensitet me anë të përsëritjes së veprimit (sido që me mjete të ndryshme), një praktikë tradicionale e të mësuarit dhe përftimit të njohjes. Kjo i jep punës një natyrë konceptuale.  Duke krijuar një tension, video përpiqet të zbërthejë shtysën dhe elementët e krijimit të saj, pra të vetë veprës së artit. Pas aktit të copëtimit të gurit, apo më mirë të themi të dështimit të copëtimit të tij, kemi një akt të dytë. Duart mbledhin pluhurin e prodhuar prej veprimit të sendeve metalike mbi të. Në fakt, një element tepër i vogël, i cili është krejtësisht i padukshëm vizualisht deri në momentin kur duart e mbledhin dhe e vendosin mbi një aparat elektronik të përdorur si peshore. Ky akt, natyrisht ashtu si edhe vete “copëtimi”, nuk synon aspak të mbledhë ndonjë informacion objektiv mbi peshën e masës së perftuar prej fërkimit me gurin, por të përfshije statistikën e peshimit brenda normativës që përcakton praktika e punës. Peshimi i pluhurit të përftuar i jep një kuptim më teknologjik gjithë proҫesit të kryer duke e vendosur atë në një rend shprehës të mirëpërcaktuar. Një gramaturë e “mundimit” realizohet kësisoj duke përmbyllur operacionin e kërkimit të definimit të thelbit të punës. 

Vangjush Vellahu, “A tool of resistence”, video, 2020

Puna e Vangjush Vëllahut, “Një mjet i rezistencës”, është një video instalacion i përbërë prej dy ekranesh që na bën pjesë të asaj që ndodh në Bregun Perëndimor mes palestinezëve dhe izraelitëve. Video instalacioni merr përsipër rrëfimin e realitetit të përditshëm të popullsisë palestineze në Hebron dhe rezistencës së saj përballë ushtrisë izraelite, që përpiqet të mbajë nën kontroll rajonin. Për të ndërtuar këtë rrëfim, Vëllahu ka udhëtuar drejt rajonit, ku ka kontaktuar grupin vendas “Human Right Defenders” (Mbrojtësit e të Drejtave Njerëzore), të cilët i kanë ofruar atij edhe materiale filmike të bëra prej tyre. Ky grup përdor kameran dhe videon si një mjet të rezistencës paqësore ndaj shtypjes dhe terrorit të përditshëm që ushtrohet prej ushtrisë izraelite në qytet. Dokumentimi nëpërmjet videos dhe më pas publikimi i ngjarjeve, shërben për t’i treguar botës se ҫfarë ndodh në vend. Ky lloj informacioni dhe qarkullimi i tij përballet me autoritetet izraelite, të cilat përpiqen ta ndalojne marrjen e tij në rrugët e Hebronit.  Pikërisht këtë moment përpiqet të pasqyrojë video instalacioni, i cili, përveҫ filmimeve të bëra nga Vëllahu, përfshin edhe intervista e pjesë arkivore që na fusin në brendësi të historisë dhe të realitetit palestinez. Puna është, sa një aktivizim i Vëllahut në ndihmë të ҫështjes palestineze, po aq edhe një investigim i rolit dhe natyrës së videos dhe dokumentarit sot, në situatat e konflikteve dhe shtypjes së të drejtave njerëzore. Puna, “Një mjet i rezistencës”, është në vazhdën e një serie dokumentarësh që artisti ka realizuar në vende të ndryshme, ku konflikte të ashpra vazhdojnë prej vitesh. Ai e sheh punën e tij si një zë më tepër në mbrojtje të njerëzve dhe komuniteteve që përballen me shtypje dhe dhunim të vazhdueshëm, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar është indiferent dhe shpesh i painformuar për ҫka ndodh. 

Çmimi ARDHJE 2020, është mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding – New York,  YVVA – The Young Visual Artists Awards, dhe  Residency Unlimited – New York. 

Çmimi Ardhje u krijua në vitin 2005, duke u bëre pjesë e rrjetit Young Visual Artists Awards (YVVA), më 2007. Çmimi Ardhje tashmë është një konkurs dhe çmim i përvitshëm, që ka për qëllim të nxis krijimtarinë, ekspozimin publik, dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombtarisht. Ardhje, ashtu si dhe çmimet simotra në Europën Lindore dhe Juglindore, është një konkurs i hapur, që fton artistët deri në 35 vjeç të marrin pjesë në një proces transparent, duke ju  ofruar jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional. Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtar, përzgjedh 4 finalistë, të cilëve ju mundësohet një buxhet prodhimi dhe një kurator për ekspozitën. Fituesi/ja e çmimit zgjidhet për meritën dhe premtimin artistik të demonstruar në bazë të portfolios artistike dhe CV’s, veprës së ekspozuar në ekspozitën e finalistëve, intervistës me jurinë ndërkombëtare dhe potencialit për të përfituar nga përjetimi i skenës artistike të New York-ut, përgjatë dy muaj qëndrimi tek Residency Unlimited.

Ekspozita e finalistëve të  Çmimit ARDHJE 2020, do të jetë e hapur deri më 4 dhjetor, 2019