ZETA, është Qendër për Artin Bashkëkohor, një hapësirë ekspozuese, jo fitimprurëse, e themeluar në vitin 2007, nga Valentina Koça. Me një sipërfaqe prej 150 metrash katrorë, në katin e dytë të një ndërtese rezidenciale dhe tregëtare së bashku, në Rrugën Abdyl Frashëri, në qendër të Tiranës, ZETA funksionon si një vend i pavarur kulturor për qasjet multidisiplinare në artet pamore, duke përfshirë pikturën, skulpturën, fotografinë, videon, instalimin , tingujt dhe performancën.
Gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit ZETA ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në vitalitetin dhe dinamikën e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri, duke filluar me “Vizatimet e Pashfaquna” (2007), një ekspozitë e veprave të paekspozuara më parë të Edi Hilës, krijuar midis viteve 1970 dhe 1989, tek ” Një titull për një krijimtari” (2008) – një përmbledhje e posterave të epokës komuniste, të dizajnuara nga Franc Ashiku – në “Ritëm i pandalshëm” (2008), një ekspozitë me pikturat abstrakte të Ali Osekut (“një artist i cili asnjëherë nuk u pajtua me metoden e realizmin socialist” dhe të cilit shfaqa jo konformiste në publik e çoi atë në burg, gjatë sundimit të Enver Hoxhës), në serinë e punëve satirike, sfiduese, provokative e të guximshme të Lumturi Blloshmit, në ekspozitën e saj ” Një jetë e mrekullueshme” (2009). Përveç kësaj, ZETA ka mbështetur në mënyrë aktive zhvillimin e praktikave të reja artistike duke ofruar mbështetje institucionale për gjeneratën e re të artistëve nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Përveç ekspozitave, ZETA gjithashtu organizon programe edukimi, punëtori dhe ngjarje të ndryshme, që pasqyrojnë çështjet e ngutshme social-kulturore të kohës sonë në lidhje me artin vizual. Duke vepruar si një lidhje e praktikave bashkëpunuese mes artistëve dhe kuratorëve, kritikëve, studiuesve dhe profesionistëve të tjerë të artit, ZETA ka zhvilluar partneritete me institucionet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare si: T.I.C.A – Instituti i Artit Bashkëkohor Tiranë; Universiteti i Arteve Tiranë; Galeria e Arteve të Shkodrës; Residency Unlimited, New York. Përmes YVAA – Rrjeti i Çmimeve për Artistët e Rinj Vizualë , ZETA ka shërbyer si bashkëorganizatore e Çmimit Ardhje për artistët bashkëkohorë vizualë shqipëtare, nën moshën 35 vjeç. Që nga viti 2018, Çmimi Ardhje organizohet dhe menaxhohet nga ZETA.
BORDI
Valentina Koça, Drejtore Ekzekutive; Zef Paci, historian i arti dhe kurator; Edi Hila, piktor; Stefan Çapaliku, dramaturg; Sadik Spahia, skulptor; Matilda Odobashi, artiste vizuale; Gjergj Pervazi, koreograf; Blerina Muça, piktore; Ana Bytyci, anëtare e stafit; Enkeleda Stefani, kontabiliste.