Çmimi ARDHJE 2021 – Ekspozita e Finalistëve

Ceremonia e Ekspozitës së Finalistëve të Çmimit ARDHJE 2021

Me artistët: Fatlum Doçi, Sead Kazanxhiu, Matilda Odobashi dhe Abi Shehu

Ditën e martë, datë 14 shtator, 2021, nga ora 18:30 – 20:00

@ ZETA  

Fituesi i Çmimit ARDHJE 2021, do të shpallet gjatë hapjes së ekspozitës, më 14 shtator, 2021.

Juria ndërkombëtare është e përbërë nga, Lilia Kudelia, kuratore dhe historiane arti, aktualisht punon në muzeun bashkëkohor në Dallas, Teksas, USA;  Markus Waitschacher, kurator, që aktualisht është pjesë e ekipit hulumtues të Universalmuseum Joanneum, përgjegjës për artin pamor modern dhe bashkëkohor, në Graz, Austri; Olson Lamaj, artist dhe fitues i Çmimit ARDHJE 2012, Tiranë.

Fituesi i Çmimit ARDHJE do të ketë mundësinë e eksperiencës dy mujore në programin e rezidencave, në Residency Unlimited, në New York, http://residencyunlimited.org, si edhe ekspozitë personale në Qendrën ZETA. 

Çmimi ARDHJE 2021, është mbështetur nga: Ministria e Kulturës e Shqipërisë, The Trust for Mutual Understanding, Residency Unlimited dhe Young Visual Artists Awards

Ekspozita e finalistëve të Çmimit ARDHJE 2021, do të jetë e hapur deri më 24 shtator, 2021.

Rreth Punëve të Artistëve

Tekstet nga Alban Hajdinaj, kurator i Çmimit ARDHJE 2021

Fatlum Doҫi, “Lule e Lot”

Puna e Fatlum Doҫit “Lule e Lot” është një seri objektesh apo skulpturash të prodhuara nga artisti me materiale që zakonisht prodhohen bizhuteri apo elementë zbukurues domestikë. Këto objekte të stilizuara, me motive thuajse floreale, krijojnë një bashkësi që në hapësirën e ekspozimit qëndron edhe si një punë e vetme apo një lloj skulpture e përbërë.  

Argjendi, bakri, gurët natyralë, resini etj, materialet e përdorura nga artizanët, (vetë artisti e aplikon zejen në aktivitetin e tij të përditshëm) vijnë në këtë punë, të ҫliruara prej funksionit dhe formave të tyre konvencionale. Duke mos qenë më të klasifikuara si bizhuteri këto objekte/skulptura ngrenë pyetjen se ҫfarë janë konkretisht, dhe ҫfarë zbukurojnë? Sepse bukuria mbetet prezente tek to edhe pasi nuk përfaqësojnë më objekte të caktuara, si varëse, byzylykë apo unaza të përdorimit masiv. Këtu mbetet të pranojmë se puna zbukuron thjesht hapësirën ekspozuese, e cila është një kub i bardhë dhe e ҫliruar kësisoj prej kohesh, prej ornamentalizmit arkitektonik historik. Pra ndoshta kemi të bëjmë me një bizhu të hapësirës ekspozuese pasi kemi pranuar se “ornamenti është një krim” (sipas A. Loos) dhe kemi pastruar prej tij gjithҫka, përfshi edhe veshjen, trupin, paraqitjen tonë moderne. Gjithësesi kjo nuk e bën punën e Doҫit, një punë “secessioniste”. Dekorimet e tij nuk zbukurojnë asnjë objekt të ekspozuar, ato janë vetë objekti i shkëputur prej funksionit dhe i vënë përpara nesh si një lloj lëkure e hequr prej trupit që vishte dikur.  

Puna e Doҫit rikthen debatin e vjetër mbi artin dhe zejen. Jo vetëm sepse autori  i aplikon si njërin, si tjetrën në veprimtarinë e tij, dhe di të dallojë se ku ato bashkohen dhe ku ndahen. Jo vetëm sepse trajtimi i kësaj ҫështje është për të një kërkim identitar në kontekstin e qytetit ku ai jeton dhe punon (Shkodra ka një traditë të njohur të zejtarisë dhe estetikës popullore) por edhe sepse historia ka treguar se ҫdo qëndrim artistik që përpiqet të ҫajë përpara duke hequr qafe zejen si diҫka obsolete që e tërhiqte atë pas, ka rezultuar në prodhimin e një zeje të re kur është zyrtarizuar e pranuar gjerësisht. 

Fatlum Doçi, Lule e Lot, instalation, materiale të ndryshme, 2021

Matilda Odobashi “Linja të gënjeshtërta”

Puna e Matilda Odobashit “Linja të genjeshtërta” është një murale që zë një sipërfaqe të plotë muri në hapësiren e galerisë. E realizuar në letër muri të printuar ajo vjen pas një proҫesi që zhvillohet hap mbas hapi. Puna fillon me vizatime të vogla që janë më së shumti skica nga përshtypje që lë qyteti dhe situata urbane tek artistja. Sidoqofte, nuk kemi të bëjmë me një peizazh por me elementë të veҫantë që tërheqin vëmendjen e artistes dhe që janë vazhdimisht pjesë e interesit të saj. Pas kësaj vizatimet kalojnë në një proҫes tjetër. Atë të dixhitalizimit. Ato fotografohen dhe përpunohen në kompiuter duke u standartizuar e duke u shumëfishuar e përsëritur si elementë përbërës të një kompozimi që finalizohet kur merr përmasën e nevojshme. Vizatimet fillestare shndërrohen kësisoj në shenja të abstraguara deri diku (ato ruajnë diҫka nga faza e tyre fillestare) që janë elementë përbërës të një situate virtuale që funksionon si një teksture e ngjashme me një rrjetë të thurur. Kjo teksturë që si llogjikë ҫuditërisht, të kujton sa endjen tradicionale të tekstileve shtëpiake (sixhadet që vishnin muret e shtëpive të pasura) por njëkohësisht edhe lojërat kompiuterike Minecraft, i jep punës një karakter sintetik që përmbledh një llogjikë komplekse të punuari. Ka një tension imanent tek përplasja mes punës së dorës dhe përpunimit të saj kompiuterik. 

Duke përdorur mjetet e interior-dizajnit, Odobashi nuk synon, sigurisht, të ndërtojë një faqe muri të dekoruar por ta bëjë punën e saj, pjesë të hapësirës së ndërtuar, qytetit, hapësirë që puna e saj ka ne fokus dhe mbi të cilën reflekton. Është pikërisht qyteti ai që duke u thurur zë e zhduket në punën e Odobashit. Linjat e realizuara me dorë në fazën e vizatimeve megjithëse ruajnë ekspresivitetin e tyre janë shndërruar në shabllone standartë që mund të përdoren në pafundësi, por është pikërisht kjo pafundësi që i bën ato të pavërteta. Njësoj si në lojën Minecraft, e cila nuk mbaron kurre së prishur-ndertuari, puna e Odobashit na ofron një situatë iluzive por njëkohësisht edhe imagjinaren me pafundësinë e mundësive  sepse loja duhet të vazhdojë vetëm për hir të të luajturit. 

Matilda Odobashi, Linja të Gënjeshtërta, letër muri, 190 x 270 cm, 2021

Abi Shehu “Saharaja”

Puna e Abi Shehut “Saharaja” është një video-instalacion që përbëhet prej dymbëdhjetë aparatesh të vjetër televizivë, të vendosur njëri mbi tjetrin në tre rreshta, që shfaqin në ekran, secili, nga një animacion që përsëritet vazhdimisht. Animacionet burojnë prej imazhesh fotografike të grafiteve (vizatime, shkrime, shenja) të gjendura në muret e rrënojes së ish burgut dhe kampit famëkeq të punës, Spaҫ (1968-1990).

 Në gjendje të dobët fizike për shkak të mos ruajtjes, grafitet e Spaҫit, sillen prej artistes, si objekte gati arkeologjike të dokumentuara prej fotografisë. Ato janë prova të ҫmuara të historisë së ndërtesave dhe ekzistencës së njerëzve që vuajtën brenda tyre. Sado që grafitet duken se i përkasin viteve të fundit të funksionimit të burgut (1987-1990) dhe nuk kanë një dokumentim të konfirmuar, ato arrijnë të transmetojnë një lloj aure ekzistenciale dhe të na fusin njëfarësoj në psiqikën dhe imagjinatën e të dënuarit brenda atij burgu, të njohur për kushtet e rënda dhe brutalitetin ekstrem. Estetika e këtyre grafiteve përveҫ vlerës historike e antropologjike që mbart objekti i ish burgut të Spaҫit nuk qëndron jashtë një estetike të grafiteve publike, të gjendura rëndom në vitet 1980-90, në ambjente shkollash, konviktesh, kazermash, fabrikash për të cilat Faucault thotë se i korrespondojnë regjimit të mjedisit të mbyllur dhe të organizuar (ku burgu është ambjenti më ekstrem) në funksion të prodhimit. Ky mjedis ngjall refuzim, rezistencë, shmangie. Jo rastësisht këto imazhe, më së shumti janë stereotipe banale të televizionit dhe sillen rreth seksit, reklamës, sportit, kinemajsë së huaj, armiq të rrezikshëm të disiplinës dhe ideologjisë zyrtare të regjimit politik. Jo rastësisht, shohim ndër grafitet, aparate televizive, si të vetmet dritare prej të cilave ato mund të arriheshin prej shqiptarëve të atyre viteve. Kjo është arsyeja pse Shehu përdor aparate të vjetër televizivë, objekte, jo pak të adhuruar prej shqiptarëve, në vitet që flasim. Në vend që të shohim në këto ekrane, kanalet e huaja, të para ilegalisht në Shqipërinë e atyre viteve, shohim pasqyrimin apo efektin e tyre në mendjet e vendasve të burgosur.  Ndërkohë animimi apo gjallërimi i grafiteve, që gjithësesi është një lloj ngërҫi i ankthshëm, na kujton se ato janë ende aty, duke u përpjekur të na shkundin sado pak dhe të na bëjnë të kthejmë shikimin nga ato. 

Abi Shehu, Saharaja, video instalacion, 2021

Sead Kazanxhiu “Baltosje”

Puna e Sead Kazanxhiut “Baltosje” është një film i realizuar për ҫmimin “Ardhje”. Kamera ndjek tre gra rome të moshuara, të shoqëruara nga një vajzë e vogël, që kanë lënë shtëpinë një mëngjes dhe shkojnë të mbledhin dhe në një terren natyror. Filmi tregon me hollësi proҫesin e mbledhjes së dheut, rrugën e kthimit dhe përpunimin e materialit të mbledhur, më pas, në shtëpi. Këtu nëpërmjet planesh detaj, shikuesi sheh shndërrimin e dheut prej copave të mëdha në pluhur të imët dhe pas përzierjes me ujë dhe vlimit, në një masë të hollë viskoze në ngjyrë të errët. Në mënyrë të papritur dhe gjithmonë duke përdorur planin detaj, kamera fokusohet tek duart e grave që lyejnë me baltën e përftuar, objekte të formave dhe përmasave të ndryshme deri sa arrijmë të shquajmë edhe vetë trupin e artistit që i nënshtrohet proҫesit të lyerjes apo mbulimit me baltë. Ndërsa plani hapet dhe shohim pamjen e përgjithshme, dallojmë objektet e një zyre pune, një tryezë me një kompiuter dhe një karrike bashkë me vetë artistin në mes të dhomës, i veshur me kostum e kravatë nëpunësi që qëndron në këmbë i ngrirë, të gjitha të lyera me baltë, përfshirë edhe muret e dhomës, duke na krijuar pamjen e një skulpture si ato të “ushtrisë” së terrakotave kineze, të shekullit të tretë, para erës sonë. Kazanxhiu, i kthyer në një skulpturë balte bashkë me zyrën e tij të punës është një imazh që të krijon ndjesinë funebre që buron prej karakterit të skulpturave të varrit, të perandorit Qin Shi Huang. Shtresa e hollë e baltës që mbulon gjithҫka shërben si një cipë ndarëse mes dy botësh. Cila nga këto dy botë vdes dhe cila është e gjallë, mbetet e papërcaktuar. Puna përpiqet të zbërthejë marrdhënien mes Kazanxhiut artist dhe atij zyrtar në bordin e një organizmi qeveritar që merret me të drejtat e komunitetit rom, ku ai punon prej disa kohësh. Një lloj refleksioni autobiografik që shpreh kompleksitetin mes dy marrdhëniesh kundërthënese ndaj njëra-tjetrës. Po aq komplekse është edhe zgjidhja e artistit. Nëse nga njëra anë baltosja është një akt ndëshkues e njollosës që duket si vizualizim i një shprehje gjuhësore të përdorur rëndom në zhargonin politik, nga ana tjetër, balta e përdorur është ajo që në traditën rome, ashtu si në gjithë kulturat e vjetra, përdoret për terapi rigjeneruese, pastrim e shërim.

Sead Kazanxhiu, Baltosje, video me ngjyra, 8’22”, 2021

Çmimi ARDHJE u krijua nga TICA-Tirana Institute of Contemporary Art, në vitin 2005, duke u bëre pjesë e rrjetit Young Visual Artists Awards (YVVA), më 2007. Çmimi ARDHJE tashmë është një konkurs dhe çmim i përvitshëm, që ka për qëllim të nxis krijimtarinë, ekspozimin publik, dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombtarisht. ARDHJE, ashtu si dhe çmimet simotra në Europën Lindore dhe Juglindore, është një konkurs i hapur, që fton artistët deri në 35 vjeç të marrin pjesë në një proces transparent, duke ju  ofruar jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional. Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtar, përzgjedh 4 finalistë, të cilëve ju mundësohet një buxhet prodhimi dhe një kurator për ekspozitën. Fituesi/ja e çmimit zgjidhet për meritën dhe premtimin artistik të demonstruar në bazë të portfolios artistike dhe CV’s, veprës së ekspozuar në ekspozitën e finalistëve, intervistës me jurinë ndërkombëtare dhe potencialit për të përfituar nga përjetimi i skenës artistike të New York-ut, përgjatë dy muaj qëndrimi tek Residency Unlimited.

Çmimi Ardhje 2021, pamje nga instalimi
Çmimi Ardhje 2021, pamje nga instalimi
Çmimi Ardhje 2021, pamje nga instalimi