ARKEOLOGJI VOKALE | Irma Libohova në dialog me Endri Dani dhe Mikaela Minga

ARKEOLOGJI VOKALE është pjesë e T.I.C.A. – Rezidencë në Vendndodhje, organizuar nga ZETA dhe mbështetur nga PCF RELIEF FOND

Qendra Zeta — 16 Shkurt, ora 18:00

Artisti pamor Endri Dani, kohëzgjatjen e “Rezidencë në Vendndodhje” nga T.I.C.A, e ka shpenzuar duke intensifikuar një marrëdhënie të re personale me këngëtaren e mirënjohur Irma Libohova, si një përpjekje për të dekontekstualizuar ikonografinë moderne si produkt i masmedias. Pas disa takimeve dhe bisedave të Danit me këngëtaren në rrethana ‘routine’ të jetës së përditshme si: Bar-kafe, ecje në qytet, vizitë në shtëpi, etj.

Libohovës dhe Danit i është bashkuar dhe muzikologia Mikaela Minga, ku sëbashku do të organizojnë një bisedë publike të orientuar në rrafsh antropologjik ku si bosht kronologjik janë zhvillimet teknologjike në raport me zërin, si një elemet gjithnjë në ‘fokus’ gjatë proçesit të modernitetit dhe raportit disi të vështirë ndërmjet diskurseve të lirisë dhe disiplinës.

Zëri nuk ka figuruar si një temë kryesore filozofike deri në vitet 1960, kur Derrida dhe Lacan, veçmas, e propozuan atë si një shqetësim kryesor teorik. Biseda do të udhëhiqet nga paradokset e shumtë që mbart kushti modern duke u lokalizuar në historinë dhe dinamikën ndërmejt individit, shoqërisë dhe institucioneve të modernitetit si shtet (totalitar).

Biseda do të filloj me kujtimet e fëmijërisë së këngëtares lidhur me sistemin akustik të muzikë-bërjes në mjedisin familjar, deri në zhvillimet aktuale teknologjike dhe ndikimet e këtyre ndryshimeve në sociologjinë e ngjarjeve muzikore.

Kjo bisedë pretendon të analizojë zërin në një numër të ndryshëm nivelesh: racionalizimi i zërit, zëri si marrëveshje sociale, etika e zërit (raporti me zërin e ndërgjegjes), marrëdhënien paradoksale midis zërit dhe trupit (vetë-çensura), apo shkaqet negociuese të zërit.

ENDRI DANI lindi në Shkodër në vitin 1987. Dani ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006–2010), aktualisht jeton dhe punon në Tiranë. Ai gjithashtu është nga bashkë themeluesit e Miza Galeri, një hapësire alternative në Tiranë e dedikuar artistëve të rinj nga rajoni.

Së fundmi, puna e tij është e orientuar thellësisht drejt hulumtimeve antropologjike, duke u përqëndruar në marrëdhënien delikate të identitetit lokal në epokën e globalizmit, duke nënvizuar paradokse, veçanërisht ato të cilat manifestohen në kulturën materiale dhe të konsumit.

Veprat e Danit janë ekspozuar në Bienalen ‘Kochi-Muziris’, Indi (2016); Bienalen ‘Fin del Mundo’, Argjentinë (2015); Bienalen e Marrakech-it, Marrakech (2014), apo në muze të ndryshëm si: The Israel Museum, Jeruzalem (2019); Qendra ‘Georges Pompidou’, Paris (2016); MuCEM, Marsejë (2016); Ludwig Museum – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest (2016); Fondacioni ‘Pino Pascali’, Itali (2015) dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndër të tjera.

FONDI I NDIHMËS I PCF PËR PROGRAMIN E ARTISTËVE NË REZIDENCË TË T.I.C.A.

Prince Claus Fund ka ofruar një fond ndihme, që mundëson vazhdimin e aktivitetit për TICA – Tirana Institute of Contemporary Art, “Rezidencë në Vendndodhje” , në mbështetje të artistëve dhe skenës së artit shqiptar, për të përballuar situatën e vështirë të krijuar në sektorin e kulturës nga përhapja e virusit Covid-19.