PEZULL | Rosella Pellicciotti & Fjorald Doci në dialog me Stefano Romano

PEZULL


Puna e Rosella Pellicciotti, e koreografuar me Fjorald Doci, është një reflektim mbi idenë e pritjes që trupëzon një pritshmëri. Performanca ka një strukturë kohore që nis me pritjen e spektatorëve që t’i jepet mundësia për të hyrë për ta parë performancën. Në fakt, vetëm një numër i limituar njerëzish mund të futet çdo herë ndërkohë që performanca do të përsëritet 4 herë. Për më tepër veprimi është i ndarë në tri momente që e risjellin performuesen dhe spektatorin në të njëjtën pikënisje. Sikur të mos ketë ndodhur asnjë rrugëtim, sikur koha e kaluar bashkë të jetë rrotulluar rreth vetes duke çuar çdo gjë në momentin fillestar. Sikur ajo pritje për performancën të ketë prodhuar vetem një nostalgji për të ardhmen. Edhe veshja e Rosellës na zhvendos në një situatë tjetër fizike. Një situatë intimiteti që na kthen përjetësisht në pozicionin fillestar.


Koncepti: Rosella Pellicciotti
Koreografia: Fjorald Doci, Rosella Pellicciotti
Performanca: Rosella Pellicciotti
Muzika: Ndërhyrje e Rosella Pellicciotti në arie nga Georges Bizet
Kurator: Stefano Romano

Rosella Pellicciotti është kërcimtare/performuese, koreografe e re italo-shqiptare, e diplomuar në Koreografi Bachelor (2016) dhe Master (2018), në Universitetin e Arteve, Tiranë.
Aktive në skenën alternative shqiptare të dancit nga viti 2014, si pjesëtare e Albanian Dance Theater Company, drejtuar nga Gjergj Prevazi, me të cilin ka performuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Poloni, Austri, Kinë. Nga viti 2017 ka qenë krijuese dhe bashkëkrijuese e punëve koreografike ‘Vortex’, ‘Lulet e dimrit’, ‘Tokësor’, etj. Si performuese, ka bashkëpunuar me një numër artistësh Shqiptare dhe Europiane: regjizorë teatri, regjizorë filmi, artistë vizualë, koreografë; ndër bashkëpunimet më të fundit është ai me Gregor Luštek, në ‘Tri Sestre’ (Slloveni).

Fjorald Doci është kërcimtar/performues dhe koreograf shqiptar. Pasi përfundoi Shkollën Kombëtare të Baletit në 2013, vazhdoi studimet për Koreografi në Universitetin e Arteve, Tiranë, ku mori diplomën Bachelor, në 2016 dhe Master, në 2018.
Ai është pjesëtar i Albanian Dance Theater Company, drejtuar nga Gjergj Prevazi, nga viti 2014, duke performuar në Shqipëri dhe në festivale ndërkombëtare jashtë saj. Ai ka bashkëpunuar si performues edhe me (ndër të tjerash) regjizorin Dino Mustafić, me Compagnie Linga, në krijimin e ‘Between’ (Zvicër), kompaninë italiane ASMED, si dhe me koreografin Gentian Doda, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Doci ka punuar si koreograf në krijimet ‘Tokësor’, ‘Bosh’, etj. Ai është autor i solo performancës së tij ‘Abducted’ (2018).


PEZULL | Rosella Pellicciotti & Fjorald Doci në dialog me Stefano Romano është pjesë e programit “Rezidencë në Vendndodhje” e T.I.C.A., mundësuar nga Prince Claus Fund, në mbështetje të artistëve dhe skenës së artit shqiptar, për të përballuar situatën e vështirë të krijuar në sektorin e kulturës, nga përhapja e virusit Covid-19.