Ilir KASO | Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?

Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?

27 mars – 5 prill 2017

Ilir Kaso lindi në 1982, në Përmet. Në 2005 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai është një artist multimedial, qe po ndërton nje fjalor vizual dhe konceptual nëpërmjet një trekëndëshi mes artit, antropologjisë dhe aktivizmit. Për Kason, përvoja introspective e punës bëhet pjesë e procesit dhe subjektit që ai zgjedh. Krijimtaria e tij është një urë lidhëse drejt botës së “vogël” familjare dhe asaj konsumatore e vlerave të paqarta.

Ai është autor i disa eskpozitave personale Brenda dhe jashte vendit, si: “Ëndërrimtarët ë realitetit”, në galerinë FAB, Tiranë, 2012.  “Oxymoron”, në galerinë Lokal-int, Biel-Bienne, Zvicër, 2012. “I am the river”, në galerinë Beton 7, Athinë,  etj

Kaso ka marrë çmimin për eksperimentim në stilin e grafik “Balkanima” 2005, çmimin “AMC” si artisti më I mire bashkëkohor 2007, çmimin e publikut “TIFF” 2009, imazhi më i mirë në “Anifest ROZAFA” 2010, filmi më i mirë i animuar “Festivali i Filmit Shqiptar” 2012, çmimi i publikut “DocuTIFF” 2015.

Ai jeton në Tiranë dhe punon si lektor në Universitetin e Arteve të Tiranës.

“Jeni ju pa jemi ne!”

“Çfarë ke qenë duke bërë kur diktatori vdiq?”, në pamje të parë është një pyetje disi provokuese, ose një lloj kurthi, në kuptimin që çfarëdo që të kesh qenë duke bërë në çastin që morevesh lajmin e vdekjes së diktatorit, prapëseprapë rëndësia kalon si pa doganë pikërisht te vdekja e diktatorit. E thënë ndryshe, ajo që ndodhi me diktatorin është shkaku, ndërsa ajo që ke qenë duke bërë ti, dhe që po të kërkohet ta rrëfesh në këtë rast, është pasoja.

Kjo gjendje ambige e pyetjes, e bën atë edhe më tërheqëse, edhe më përfshirëse. Natyrisht, rrëfimi i secilit/secilës që ka diçka për të thënë, do të jetë i lidhur me atë se çfarë ishte duke bërë kur mori vesh lajmin, nëse, fjala vjen, u gëzua apo u hidhërua; por, çfarëdo që ka përjetuar apo vepruar në ato momente, do mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me lajmin/ngjarjen në fjalë.

Pikërisht kjo pazgjidhshmëri mendoj se është nyja gordiane që kërkon mendjen e Aleksandrit, jo shpatën e tij.

Çdo pushtet, në veçanti ai politik/drejtues, së pari, në emër të sigurisë së tij e jo të qytetarëve, kërkon të jetë në dijeni jo vetëm të asaj se çfarë bëjnë njerëzit, por – sidomos – të asaj se çfarë mendojnë, sepse falë kësaj të fundit do arrijnë t’i kontrollojnë shumë më lehtë veprimet e tyre, dhe që ketëj pastaj t’i sistematizojnë ato duke i bërë pjesë të sistemit. Si gjithnjë, çdo pushtet, në një mënyrë apo në një tjetër, tërthorazi apo drejtpërdrejtë, e detyron njeriun të kryejë një funksion, që në thelb mbetet një formë dënimi.

Kështu, ngjarja e dikujt ka rëndësi për aq sa i jep rëndësi pushtetit si ngjarje e vazhdueshme, për aq sa është në kuadër të tij. Në të kundërt, ajo që bën individi ndërpritet nga mekanizmat e pushtetit (në mënyrë “demokratike” apo “diktatoriale” – në thelb është e njëjta gjë), ose vetëndërpritet (vetëcensura), meqë nuk i shërben ngjarjes së vazhdueshme të pushtetit, që më së shumti përkufizohet dhe justifikohet në emër të sigurisë shoqërore, por që, siç e thamë më lart, ky është vetëm një karrem që të shpie drejt sigurisë së pushtetit.

Për pushtetin individi ka rëndësi për aq sa përshtatet për të formuar konvencionin “shoqëri”, për aq sa është pjesë e kësaj tërësie të menaxhueshme. Rezultati i këtij presioni të vazhdueshëm që ushtron pushteti mbi individin është frika (në jo pak raste edhe ankthi) e mbjellur përthellë në të pavetëdijshmen e tij për të qenë pikërisht individ, derisa vjen një çast që as nuk e çon më nëpër mend individualitetin, mëvetësinë, papërsëritshmërinë etj., siç na paralajmëron letërisa.

Jo rastësisht, qysh në ag të kohëve moderne e gjer në ditët tona, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish duan të jenë pjesë e një partie, ose grupi, ose sekti, apo pjesë e një lëvizjeje të caktuar etj., pasi përndryshe janë lehtësisht të ekspozuar ndaj ndonjë krize psikike apo shpirtërore.

“Por, jeta e tij, ashtu siç e konsideronte vetë, nuk kishte asnjë kuptim si një jetë e veçantë: kishte kuptim vetëm si njëpjesë e vogël e tërësisë, që ai e ndjente vazhdimisht. Fjalët dhe veprimet rridhnin prej tij si aroma që shkëputet prej lules. Ai nuk ishte në gjendje ta kuptonte sipas mendjes së vet as vlerën eas domethënien e një veprimi apo fjale të caktuar.” (Tolstoi)

Çdo element dhe çdo vepër e kësaj ekspozite, mesa duket, synon të na kujtojë se ngjarja më e rëndësishme është jeta jonë, e cila, çast pas çasti, lidhet pikërisht me çfarë bëjmë apo nuk bëjmë. Në fund ne kujtojmë çaste, jo data.

Por, herë pas herë, në këtë mes ndërhyn ajo çfarë u ndodh të tjerëve, për të na shkëputur nga rrjedha jonë, dhe kjo shkëputje është gjithnjë e dykahshme: ose na pasuron, ose na varfëron (shpesh themi humbje kohe, nervash, energjie e kështu me radhë).

Besoj se në këtë kërkim, autorit i intereson të mësojë jo vetëm çfarë po bënin shumë njerëz në çastin që morën vesh vdekjen e diktatorit, por edhe se si u ndërpre ngjarja e tyre “e vogël” nga ngjarje “e madhe”, sepse duke (ri)lexuar të shkuarën mund ta kuptojmë më mirë të tashmen.

Edison Çeraj

Lini një Përgjigje