Ngjan si

Ngjan si

Artistët: Besmir Cani, Eros Dibra, Florian Haxhihyseni, Fatlum Doci, Ilir Kaso, Matilda Odobashi, Nusret Gjokaj

1 – 15 shkurt/february, 2017

Ngjan si e vërtetë. Si iluzion. Ngjan si Amazona. Si milingonë. Ngjan si vajzë. Si djalë. Si deledash. Si grua. Si burrë. Ngjan si i huaj. Ngjan si intelektual. Si kriminel. Ngjan si kafshë. Si njeri. Ngjan si shkretëtirë. Si burim. Ngjan si hënë. Si palaço. Si lule. Si trafikant. Si bamirës. Ngjan si oktapod. Si politikan. Si papagall. Ngjan si murg. Si pjeshkë. Si tërmet. Si pezhishkë. Si mekanik. Si maniak. Si kala. Si bozë. Si vrimë e zezë. Si magjistar. Ngjan si tregtar. Si jastëk. Ngjan si unazë. Si xhep. Si anije. Ngjan si realitet. Si botë.

Fakti që ne shërbehemi çdo ditë me ngjashmëritë për të shënjuar diçka, ndoshta më shumë se asgjë tjetër tregon për pamundësinë tonë për të përkufizuar, për të përcaktuar, dhe kështu për pamundësinë tonë për të qenë të sigurt apo të bindur qind për qind, pavarësisht bindjeve që mund të kemi. Pa folur pastaj për të bërit plane.

Pa rënë shumë në filozofi, fenomeni i ngjashmërive, ndryshe edhe i afrive, është edhe një “lojë” zbavitëse, ku njëfarësoj na duhet të ndërtojmë një botë brenda botës për ta bërë më të banueshme botën; gati si një pazëll ku secili nga ne zotëron vetëm një copëz, dhe në një shtegtim me të papritura (siç është jeta) kërkojmë të tjerë që kanë copëzat që i bëjnë vend copëzës sonë, që kanë një lidhje organike me copëzën tonë.

Nuk bëjmë dot pa tjetrin, sikundërse edhe anasjelltas. Medoemos që tjetri bashkë me copëzën e tij/saj është diku, duke pritur kuptimin dhe harmoninë, të cilën nuk mund ta ndërtojë i vetëm. Edhe ne presim. Ti pret. Vetë bota ngjan si pritje. Po lëvizja? Sipas paradoksit të Zenonit, kur merr si ilustrim Akilin dhe breshkën, lëvizja nuk është e mundur. Pra sërishmi pritja. E megjithatë çdo gjë lëviz, duke pritur.

Loja ndërkohë zhvillohet, në kërkim të plotësimit të figurës, të asaj figure që ka një mesazh për të gjithë.

Kur përdorim frazën “ngjan si”, e lëmë të hapur lojën, duke konfirmuar kështu se ka edhe lojtarë të tjerë, pa të cilët nuk është e mundur loja.

Kjo lojë është ndërprerë sa herë që dikush ka marrë përsipër ta mbyllë (përkohësisht) duke menduar e shpallur se copëza e tij është kuptimi/arritja/harmonia, qershia mbi tortë. Pastaj loja ka rinisur, sepse loja është më e fuqishme se lojtari, se çdo lojtar që ka humbur durimin apo rrugën dhe gjakon ta përfundojë. Vetëm loja e ka në dorë përfundimin.

Në artet pamore “ngjan si” ka një histori më vete dhe një status të veçantë. Këtu na kujtohet fenomeni i simulacrum-it si nocion i estetikës, që shkurtimisht nënkupton kopjen pa origjinalin. Në fakt, e tillë është çdo vepër arti, sidoqë edhe entitet i mëvetësishëm në të njëjtën kohë. Na vjen ndërmend edhe piktura e famshme e Magritte-it (i cili pikturonte mendimet, siç e thoshte vetë), La Trahison des images, që njihet ndryshe si Ceci n’est pas une pipe – “Nuk është llullë”. Është një vepër proverbiale në këtë drejtim. Pra, për çdo vepër arti mund të themi se“nuk është…”, sikundërse – aty për aty – edhe “ngjan si”. Pikërisht “ngjan si” dhe pamundësia dramatike e lumnuese njerëzore për të përcaktuar, për të mos diktuar, për të mos dhunuar tjetrin, subjektin dhe hapësirën. As Kohën.

Edison Çeraj

Lini një Përgjigje