Leonard QYLAFI | Muzeu i Natyrës

Ekspozita: “Muzeu i natyrës”

Artist: LEONARD QYLAFI

22 Nëntor–10 Dhjetor, 2013

“Muzeu i Natyrës” është një projekt i bazuar në pikturë, i cili konsiston në një seri pikturash me dimensione të ndryshme. Duke filluar si një seri e fotografive të bëra nga artisti brenda Muzeut të Natyrës në Tiranë, projekti kaloi një proces të kujdesshëm përzgjedhjeje, duke krijuar, në këtë mënyrë, një galeri me subjekte të pikturuara individualisht. Çdo fotografi e përzgjedhur është burimi i një pikture; ato e ruajnë përbërjen origjinale dhe janë “portrete”, “figura”, dhe ambiente të mbyllura.

Procesi i transferimit nga një fotografi në një pikturë është sintetik; hulumtimi i artistit tashmë përqendrohet thjesht në aspektin vizual dhe pikturial të subjektit. Pasi ai fillon procesin e pikturës, artisti “çlirohet” metaforikisht nga fotografitë dhe ndodhet, në fund, jashtë muzeut. Ai rikrijon nëpërmjet pikturës, subjekte të palëvizshëm por kompleks, të cilët janë të vetmuar, misteriozë, krenarë dhe të bukur, të veshur në dritë, e cila u jep atyre një dimension të përjetshëm.