Edi Hila | VITI 11

VITI 11

Edi Hila

29 mars 2011 – 16 prill, 2011

Hapja e ekspozitës: Ditën e Martë, datë 29 Mars 2011, ora 19:00

 

Objekte formale dhe informale nën një virus shkatërrues. Në këtë cikël pikturash të Edi Hilës ndeshesh me një imazh që mban përbrenda një pigment kërcëllitës të cilin ai thotë se e has shpesh në realitetin përreth, konkretisht të përdorur për të bojatisur muret, ose për të karakterizuar teprimet ngado, që prej mënyrës së folurit, të veshurit, gjer edhe në të ushqyerit. Është një ndjesi ngjyre që padit një gjendje shpirtërore të pazakontë, të aksidentuar. Imazhi ka pësuar një denatyrim ashtu si pëson një ekran i rënë nën ndikimin e rrymave magnetike. Në endjen e tij të vëmendshme (në realitetin aktual por edhe në kujtesën), ai fikson imazhe nga qendra dhe periferitë me ndërtimet, ndërhyrjet, pranitë e mungesat. Piktori ndalet e na paraqet disa ngrehina, disa syresh institucionale e disa jo, por të dyja të njohura prej nesh. I pikturon të parat me një vendosje kompozicionale qendrore solemne e të dytat jo, ose më saktë ashtu siç janë, me një ndjesi të së përkohëshmes, të kitch-it, por edhe të intimes. Ato pëlhura pikturohen si rezultat i ngarkesës emocionale të aktualitetit, ardhur nga diskutimet politike, nëpërmjet televizionit, mitingjeve, fushatave që përfshijnë brutalisht, e lenë gjurmë në mendimet, bisedat, darkat, dhe pasqyrohen te ekonomia, arkitektura, urbanistika, me një fjalë, në krejt jetën tonë. Gjithë këto shqetësime për strukturën vizive komplekse me të cilën shfaqet shoqëria jonë, janë të pranishme në veprën e tij. Të dyja tipet e ndërtesave ndjehen të kërcënuara të shkojnë drejt zhdukjes. Të gjitha këto objekte janë të destinuara të prishen (privatet për vetë vizionin e përkohshëm që bartin e publiket për hir të një manie zëvendësuese të pandalshme). Është historia e njëkohësisht aktualiteti i një vendi në bërje e zhbërje të vazhdueshme. Vlerat e një vendi pa dyshim ushqehen nga kujtesa, nga ajo çka ka ngelë dhe që e përcjell kultura materiale e vendit. “Ankimi” artistik i tij parashtron faktin e fatit të një vendi pa dëshmi konkrete social-kulturore të kohëve të ndryshme, domethënë pa shtresëzimet e ndryshme arkitekturore e për pasojë, pa histori. Krijimtaria e tij bart këto preokupime sa historike aq edhe aktuale.

Zef Paci, kurator, historian arti, profesor në Universitetin e Arteve, Tiranë