TRANSITIONING INTO GREEN | Olson Lamaj

TRANSITIONING INTO GREEN
nga Olson Lamaj
Kuruar nga: Lívia Nolasco-Rózsás
Vernisazh
01.12.2023, ora 18:30
Qendra e Artit Bashkëkohor ZETA

A mund të ndahen përfundimisht natyra dhe kultura? Prej shekujsh, filozofia perëndimore ka pohuar këtë ndarje. Supozimet ontologjike në kulturën tonë perëndimore mbishkruajtën një vizë të qartë midis artificiales—një produkt të ndërhyrjes njerëzore—dhe natyrores—si diçka plotësisht të pavarura. Sidoqoftë, në shekullin e kaluar, po bëhet gjithëmonë më e dukshme se dikotomitë e tilla të prera mezi qëndrojnë. Gjurmët e veprimtarisë njerëzore tani gjenden kudo. Na rrethojnë shembuj të drejtpërdrejtë dhe të prekshëm, siç janë grimcat mikroplastike që gjenden në plazhe në të gjithë botën, në akullin e detit Arktik dhe në thellësitë e oqeanit.

Ne modifikojmë pamjen përmes mbarështimit, kultivimit dhe formësimit të specieve me një makinë prerëse. Olson Lamaj dokumenton me përpikëri gjurmët e veprimtarisë njerëzore që deformojnë dhe riformësojnë mjedisin, duke i ofruar shikuesve një morfologji të transformimeve artificiale që duhet të durojë natyra.

Seria e parë hulumton larminë e topiary-ve (kaçubave ose shkurrave të qethura), duke pasqyruar rezultatet e kësaj praktike të lashtë të kopshtarisë. Qethja dhe prerja e gjetheve dhe degëzave të pemëve dhe shkurreve, ose arti i formimit të bimëve, është shumë i përhapur në Tiranë. Fotografitë shfaqin një përzgjedhje të topiary-ve të shumtë që rreshtojnë lumin Lana, që kalon nëpër zemrën e Tiranës.

Siç thotë artisti, qëllimi i serisë nuk ishte të krijonte një histori apo një etnografi të plotë, pasi projekti nuk mund t’i përgjigjet plotësisht pyetjeve që e frymëzuan atë. Ai thjesht synon të sigurojë një dokumentacion sa më shterues të një elementi të vetëm të kontekstit urban të Tiranës, duke ofruar kështu një dritare mbi ekosistemet politike, ekonomike dhe estetike të qytetit. Kopshtarët modelojnë format e bimëve nëpërmjet përvojës praktike dhe mjeteve, shoqëruar me imagjinatën e tyre në gjenerimin e këtyre formave.

Kanarinat shfaqin ngjyra të ndryshme, kryesisht të verdhë, dhe shumëllojshmëria e hijeve të pendëve të tyre nuk ka kufi. Olson Lamaj dokumenton me saktësi artin e mbarështimit të zogjve, duke i presentuar ata si ekzemplarë—gjithmonë në të njëjtën pozë, të kapur nga i njëjti kënd, dhe me sfond identik.

Këto dy seritë duket sikur janë një përpjekje për të ilustruar me saktësi shumëllojshmërinë e topiarive dhe kanarinave. Megjithëse artisti duke punuar vetëm, si një studiues pamor, nuk mund të dokumentojë të gjitha format dhe trajtat, të cilat i marrin këto qenie të gjalla pas punës së kopshtarëve dhe mbarështuesve të tyre, pasi diversiteti i pafund duket qartë. Kështu duken edhe ngjashmëritë, duke i bërë të dyja serite të ngjajnë me një përmbledhje të dhënash, të grumbulluara nga njeriu që të ushtrojë rrjetin nervor për ta njohur një fenomen të caktuar—në këtë rast, kanarinën dhe kaçubën (topiary).

Instalimi i topave të tenisit ndërton një urë lidhëse midis dy serive fotografike të ekspozitës. Green Point përbëhet nga topa me hijet që kalojnë nga e verdha në jeshile. Ngjyra e gjelbër simbolizon natyrën, ndërsa e verdha përfaqëson hijen e topave të tenisit—simbolet e një aktiviteti thellësisht njerëzor: të luajturit e lojërave. Kështu, vepra e tretë, dhe ajo më abstrakte në ekspozitë, tregon shpërbërjen e dikotomisë midis natyrës dhe kulturës.

Lívia Nolasco-Rózsás