Leonard Qylafi | Variacione morfologjike 2017-2021

Hapja 9 maj 2022, ora 19:00 

9 maj – 11 qershor 2022

Teksi nga Alketa Kurrizo

Leonard Qylafi  sjell ’Variacione morfologjike’, një projekt që hulumton mbi strukturën e imazheve dixhitale. Si një shtrirje organike e kërkimit të tij artistik mbi natyrën e imazheve në vitet e fundit, artisti huazon nga Biologjia praktikën që studion strukturën dhe veçoritë e organizmave të gjallë për të  kqyrur imazhet dixhitale. Nga se janë krijuar këto imazhe? A na intrigon morfologjia e tyre? Artisti ka kërkuar përgjigjen për këto pyetje përmes një serie prej 15 pikturash të krijuara në periudhën 2017- 2021.

Variacione morfologjike, projekti I funditi Leonard Qylafit, I prezantuar në ZETA, është një seri pikturash vaj në kanavacë që eksploron natyrën strukturore të imazheve digjitale dhe hulumton specifikisht mënyrën si ato shfaqen, interpretohen, aktualizohen dhe transmetohen.

Artisti ka huazuar termin Morfologji nga biologjia si metoda e cila udhëheq në studimin e formës, structures dhe veçorive specifike në organizmat e gjallë. Ai përdor ekranet si “terrenin” për të eksploruar, si e vetmja platformë e qëndrueshme që mbështet ekzistencën e imazheve, duke I konsideruar; here si medium dhe here si habitat i tyre apo / dhe si një entitet në vetvete. 

Si një shtrirje organike e kërkimit të tij artistik mbi natyrën e imazheve, artisti e fillon analizën krijuese si në një procedurë “quasi” shkencore, duke fragmentuar, marrë një “mostër” dhe kqyrur, për veçoritë e formës dhe strukturës së saj.  Variacionet janë “mostrat e marra” të thjeshtuara, të reduktuara në kompozime ekranesh me ngjyra. Të dokumentuara fillimisht si “makro foto”  mbi monitorë të ndryshëm, nga artistikë te imazhe që janë shumë larg asaj që do të bëhen gjatë proçesit. Ritmi përsëritës dhe uniform i tyre është transformuar, prerë, shtresëzuar,  dhe është “mbyllur” përfundimisht në piktura të madhësive të ndryshme.

Në tablot  #2 #5 #10#11#12, – të bazuara nën gjyra primare, Leonardi shkon më tej në çbërjen  e subjektit origjinal. Duke përdorur thurjen e ekranit si një platformë imagjinare, ai thjeshton duke zotëruar ngjyrën dhe dritën për ta transformuar subjektin në një vision abstrakt. Ai sintetizon kompozimet gjithë përmbledhëse #1#3#4#6#7#8, duke pikturuar të zezën rreth “qelizave” midis thurjes së ekraneve për të sjellë në qëndër të vëmëndjes subjektin e tyre të ndritshëm.

Artisti gjurmon veçoritë e ndryshme në “endjet” e ekraneve në pikturat #13#14#15. Shpërthimi i ngjyrës është manifestimi i thellësisë së analizës së tij morfologjike. Ekranet nuk janë më asnjë referencë e largët, hapësira emocionale midis përfaqësueses dhe abstraktes interpretohet në pikture për të zbuluar me solemnitet fuqinë dhe plotësinë e një momenti të vetëm në kohë.

Përgjatë rrugëtimit të tij (2017-2021) ky projekt ka fituar një gravitet të qënësishëm. Gjatë izolimit, kur ekranet – në mënyrë paradoksale –  u bënë burim jetik për komunikimin, informacionin, lidhjen emocionale – njëkohësisht, ikonografia e trishtuar e vetmisë, e frikës, distancës, artisti intrigohet nga boshllëku mes reales dhe virtuales dhe ngre pyetje mbi thelbin e  përvojës së gjallë.

“Momentium” I ekzistencës së këtyre imazheve mishëron paqartësinë dhe çuditshmërinë e tyre për ne; ato lundrojnë nëpër natyrën e papërcaktuar të – digjitales – si një iluzion shumë larg botës reale.

MBI ARTISTIN:

Leonard Qylafi (l. 1980) është  artist pamor shqiptar I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura nëTiranë, Atelieja e Pikturës. Në Praktikën e tij ai eksploron disa medium; si piktura, video, fotografia dhe muzika. Të lidhura thellë me përvojën personale, veprat e Leonard-it janë një proces kërkimi dhe ndërmjetësimi midis subjekteve dhe mediumeve.

Ai është aktivisht i pranishëm në skenën e artit kombëtar dhe ndërkombëtar që nga diplomimi i tij në vitin  2003. Për gjatë viteve veprat e tij janë ekspozuar ndër të tjera nga: Centre de création contemporane, Olivier Debré, Tours/France (2021) , Belvedere 21 Vjenë/Austri (2019), NiMAC Museum, Qipro (2018) , Galeria Kombëtare Tiranë / Shqipëri (2017) MuCEM, Marsejë/France , dhe Izolatzia Kiev/Ukrainë (2016); Salloni i 55 Tetorit, Beograd (2014); Künstlerhaus Bethanien, Berlin dhe Kunst Raum Riehen Basel/Zvicër (2012); Qendra MODEM për Arte Moderne dhe Bashkohore, Debrecen/Hungari (2011); TICAB-Binenale Ndërkombëtare e Artit Bashkohor në Tiranë dhe ISCP- Nju Jork/SHBA (2009).

Leonard Qylafi është pjesëmarrës në disa programe rezidenciale si ; NIFCA-Instituti Nordik i Artit Bashkëkohor, Helsinki/Finlandë, ISCP New York/SHBA, KKA-KulturKontakt Austria dhe T.I.C.A-Tirana Institute for Contemporary Art. Është nominuar për artistin pamor të vitit nga Akademia e Kulturës “Kult“ nëTiranë dhe është fitues i çmimit “ARDHJE” për Artistët e Rinj Shqiptarë në vitin 2008. Puna e tij është e përfaqësuar në botimet artistike ndërkombëtare dhe është pjese e koleksioneve të : Galerisë Kombëtare Shqiptare e Arteve, Koleksioni i Artit Bashkëkohor, MuCEM- Musée des Civilizations de l’Europe et de la Méditerranée, Marseille, Belvedere 21-Muzeu i ArtitBashkëkohor, koleksioni i videove, Bienale e Berlinit-arkivi i videove  si dhe në private.

Leonard Qylafi përfaqësoi Shqipërinë në edicionin e 57-të të Bienales së Venecias (2017) me projektin multidisiplinar “Ndodhi në kohën e tashme”, kuruar nga: Vanessa Joan Müller.

Ai jeton dhe punon në Tiranë/Shqipëri.

Kreditet e imazhit: Leonard Qylafi,  Morphological variations