Pleurad Xhafa | PAPAJTUESHMËRIA SI NJË AKT DASHURIE

Pleurad Xhafa

Papajtueshmëria si një akt dashurie

7 prill – 5 maj 2022

Kuruar nga Raino Isto

Hapja: ditën e enjte, më 7 prill 2022, në orën 18:30.

Papajtueshmëria si një akt dashurie është një ekspozitë retrospektive e cila prezanton veprën e artistit bashkëkohor Pleurad Xhafa. Ekspozita përmban vepra të reja nga artisti, dhe një cikël punësh të përzgjedhura prej ndërhyrjeve dhe veprimtarisë krijuese të artistit gjatë pesëmbëdhjetë vjeçarit të fundit. Papajtueshmëria si një akt dashurie merr si temë qendrore marrëdhënien e artistit me shoqërinë dhe me realitetet politike bashkëkohore. Duke ndërthurur përkujdesjen, përballjen, kujtesën dhe sfidën, ekspozita paraqet një eksplorim të potencialit të veprimeve artistike kundrejt mbështetjes së narrativave të rezistencës dhe ndërprerjes së diskurseve mbizotëruese neokoloniale dhe neoliberale.

Veprat e prezantuara pasqyrojnë kërkimet e vazhdueshme të Xhafës mbi marrëdhëniet mes ideologjive kapitaliste, transformimeve të hapësirës urbane, kujtesës kolektive dhe fuqisë gjeopolitike vepruese në Shqipërinë bashkëkohore. Ndonjëherë, këto hetime marrin formë ndërhyrjesh provokuese në hapësirën publike, ndërsa, në raste të tjera, ato zgjerojnë mundësitë poetike të dokumentacionit, duke mbështetur ndërthurjen që ekziston midis përvojës dhe objekteve dëshmuese. Papajtueshmëria si një akt dashurie thekson angazhimin e Xhafës në ngjarje specifike që kanë formësuar historinë e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, si dhe përpjekjet e tij për të gjurmuar rrjedhat transnacionale të politikës, kapitalit dhe presionit politik që nxisin intensifikimin e kapitalizmit neoliberal sot në vend. Çfarë shfaqet është një model shfrytëzimi sistematik që manipulon si mjedisin e ndërtuar të Shqipërisë, ashtu edhe jetën e qytetarëve të saj, duke fshirë histori dhe duke mohuar forma të të qenit e të vepruarit që nuk mund të shndërrohen në konsum të individualizuar.

Shikuesi përballet me këtë kontekst konsumi dhe shfrytëzimi menjëherë pas hyrjes në hapësirë: busti i rrënuar prej balte i Milton Friedman – mbetje e Déjà Vu & Paranojë, një projekti të hershëm të Xhafës dhe Sokol Peçit – hedh vështrimin mespërmes galerisë. Prania e Friedman përfaqëson një spirancë simbolike: ai sinjalizon rikonfigurimin e fuqisë politike dhe ekonomike që ka formësuar Shqipërinë postsocialiste, por gjendja e tij e rrënuar pasqyron gjithashtu zbehjen e besueshmërisë në liritë dhe të ardhmen e premtuar nga neoliberalizmi. I pranëvendosur me bustin e Friedman-it ndodhet filmi Tireless Worker, një dokumentim i gjatë i jetës së një punëtori në një fabrikë pllakash çimentoje, vepër kjo që tregon angazhimin e vazhdueshëm të Xhafës me jetën e njerëzve të klasës punëtore dhe prezanton qartë realitetin e zymtë të kushteve të tyre të punës në Shqipërinë kapitaliste. Vitet e fundit, vdekja e një punëtori – ajo e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili u shtyp nga një ekskavator në vendin e tij të punës, në landfillin e Sharrës në periferi të Tiranës – ka tërhequr vëmendje të veçantë ndaj politikave që mbrojnë interesat e kompanive private dhe lartësojnë përhapjen e partneriteteve privato-publike në Shqipëri, duke i lënë punëtorët në kushte gjithnjë e më të pasigurta. Në qendër të galerisë, Arjan Serjanaj gdhend emrin e Gjoklajt në një pllakë guri, një gur për t’u marrë dhe vendosur në sheshin Skënderbej – një shesh, hapësira e madhe e të cilit simbolizon gjithashtu fshirje jetësh dhe historish që nuk mund të pajtohen me një narativë triumfalizmi neoliberal.

Në këtë kontekst dhune sistematike, veprat e Xhafës nxjerrin në pah momente rezistence – si në Loti 3 ku artisti rishikon një akt vandalizmi të kryer nga banorët e Tiranës gjatë protestave kundër shkatërrimit të shtëpive të tyre për ndërtimin e një segmenti të ri të autostradës. Ajo që shfaqet në këtë vepër, një vijë e shtrirë dhe abstrakte e vizatuar në letër kalk, shërben, më gjerësisht, si një lloj harte për botën konceptuale të Papajtueshmëria si një akt dashurie: një hapësirë e hapur riinterpretimi potencial dhe radikal, ku mund të lindin struktura të reja shoqërore. Këto çaste veprimi radikal, këto zona mundësish, shpesh ekzistojnë në tension me retorikat e përdorura prej qeverisë amerikane dhe atyre të Evropës Perëndimore, të cilat, mbi të gjitha, kërkojnë “stabilitet” në Evropën Juglindore. Reflektimet e Xhafës mbi këto diskurse progresi, lirie dhe stabiliteti shfaqen në ekspozitë në vepra si Security Message dhe vizə, vepra që gjurmojnë efektet e gjeopolitikës transnacionale në jetën dhe ëndrrat e qytetarëve shqiptarë sot.

Tjetërkund, veprat e Xhafës lidhen me ruajtje hapësirash të hapura të kujtesës (apo përkujtimore) – marrjen e kohës që nevojitet për të mbajtur zi dhe transformimin e aktit të zisë në një kërkesë për drejtësi. Monument Dështimi na kujton tragjedinë e Gërdecit, të 26 të vrarëve dhe 300 të plagosurve nga shpërthimi i municioneve që këta individë po çmontonin si pjesë e një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane, Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare dhe kompanive private. Shkëlqimi i butë i ngrohësve elektrikë me rezistencë në The Darkness and the One-Way Path
(kushtuar qytetarëve që kanë kryer vetëvrasje, sepse nuk ishin në gjendje të paguanin faturat elektrike pas vendosjes së rregullave të reja për pagesat e energjisë elektrike) na kujton koston njerëzore të degradimit kapitalist të mbështetjes sociale. Karafila të Kuq mban të gjallë kujtimin e katër protestuesve të vrarë nga Garda Kombëtare Shqiptare në datën 21 janar 2011, vdekje për të cilat askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Pamundësia dhe refuzimi për t’u pajtuar – me pabarazinë, padrejtësinë, me gjithçka që aparatet e pushtetit përdorin si stratagjema për manipulim – nga kjo situatë e vështirë, kjo ngecje që po aq lehtë mund të çojë drejt dëshpërimit, nga kjo sjell vepra e Xhafës tek ne natyrën e menjëhershme dhe të hapur të veprimit, të veprimit vetjak dhe atij kolektiv, të një momenti transformues, rezultati i të cilit nuk është lehtësisht i parashikueshëm. Është pikërisht në këtë kuptim që papajtueshmëria e këtyre veprave mund të lexohet si një akt dashurie. Ashtu si aktet e dashurisë, ato përmbajnë një element vetëmohues: ku përllogaritjet zhduken, dhe ke gjithçka ose asgjë pēr të humbur. Kujtesa dhe nevoja, refuzimi dhe urgjenca, por, mbi të gjitha, dashuria: këta faktorë bashkohen në Reassemble, një vepër që i kthen shikuesit në shkallën e historisë dhe mundësitë e veprimit radikal. Përmes aktit të ribashkimit, artisti na tregon nevojën për të zgjedhur, për t’u pozicionuar, për të qëndruar të palëkundur e të papajtuar, sepse vetëm nga kjo gjendje papajtueshmërie mund tē konceptojmë një veprim i cili mundëson hapësirat për të imagjinuar.

Mbi Artistin:

Pleurad Xhafa ka lindur në vitin 1984 në Lushnjë, Shqipëri. Pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Bukura të Bolonjës (Accademia di Belle Arti di Bologna), në vitin 2012 ai kthehet në Shqipëri ku vijon të zhvillojë projekte që hulumtojnë efektet e prodhuara nga eksperimentet e politikave neoliberale. Puna e tij kërkimore dhe kritike vjen si rezultat i një praktike post-konceptuale e cila vepron mbi një bazë dokumentuese për t’u raportuar më pas vizualisht dhe politikisht me kulturën e kohës sonë. Në 2014 ai fitoi çmimin “Ardhje” organizuar nga Tirana Institute for Contemporary Art. Punët e tij kanë qenë pjesë e një sërë festivalesh filmi dhe ekspozitash ndërkombëtare si: Alternative Film/Video Festival (Beograd, 2018); Les Rencontres Internationales (Paris/Berlin, 2015-16), Teatri i Gjelbërimit (Galeria FAB, Tiranë, 2016), Shame on you, Celje (2015), Bienalja e VI e Berlinit (2010), Bienalja e IV e Tiranës (2009), Çmimi “Onufri” XIV (GKA, Tiranë, 2008). Xhafa është një nga themeluesit e DebatikCenter of Contemporary Art (www.debatikcenter.net).