LUST | Alketa Ramaj
15 maj 2019 – 31 maj 2019
ZETA – TIranë
Të trajtuara si boceta, pikturat filluan të grumbulloheshin, duke dalë sot si një proces i fragmentuar në kërkim të një vazhdimësie. Kjo nevojë per t`u shprehur dominoi së fundi qasjen artistike, e cila nuk pretendon një përfundim apo konkretizim mbi ndonjë ide paraprake. Kështu, mund të thuhet që pikturat e ekspozuara, në vetvete, nuk janë përfaqësim i impulseve të drejtpërdrejta nga mjedis rrethues, por fryt i një ndjeshmërie të brendshme specifike, në kërkim të një lidhjeje me botën e jashtme.
“Lust” është një titull i thirrur nga vetë pikturat, ku secila prej këtyre të fundit përpiqet të shfaqë një dëshirë të tepruar për të dalë jashtë kontrollit të asaj që e pikturon. Piktura, nga njëra anë, përpiqet të çlirohet nga një lloj dominimi, por, nga tjetra, kërkon edhe të dominojë, për të formuar një identitet të vetin.
Alketa Ramaj është diplomuar në 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Puna e saj karakterizohet nga një kuriozitet i pashtershëm dhe studimi i vazhdueshëm i formave të reja të shprehjes si tregues të një pavaresie goditëse në aplikimin e metodave të saj personale dhe kritike të punës. Marredhenia emocionale që artistja ndërton me mjedisin në te cilin ajo jeton, në lidhje me kontekstin social, historik dhe politik reflektohet në praktikën e saj nëpërmjet përdorimit të mediumeve të ndryshme.
Ajo ka qenë fituese e Çmimit Onufri në 2012-ën dhe Çmimit Ardhje në 2013-ën. Punimet e saj janë ekspozuar në Shqipëri dhe në vende të tjera duke përfshirë: Belvedere 21 (Vjene , Austri );Ex-Gratia (Milan, Italy); Bienalja e Kuritibes 2017 (Kuritiba, Brazil); Galeria Heike Strelow (Frankfurt, Gjermani); Viennacontemporary Vjenë, Austri; Edicioni i 3-te i Bienales së Artit Bashkëkohor D-0 ARK Underground, Strehëza Atomike (Konjic, Bosnje); Bienalja e Fundit të Botës, Mar De Plata (Valparaiso, Kili); Fondazione Museo Pino Pascali (Bari, Itali); ISCP, Studio ndërkombetare dhe program i kurimit (Nju Jork, Amerikë); Stacion, Qendra e Artit Bashkëkohor (Prishtinë, Kosovë); Galeria La Fenice (Venecia, Itali)