Donika Çina & Katharina Stadler _ In-Between

In-Between

Tetor, 2017

Kur mendojmë për korridoret e pallateve, kur mendojmë për trotuaret, për sheshet,
rrugët dhe qoshet; pikërisht aty, një hap larg derës së shtëpisë sonë fillon hapësira
publike. A është ekzaktësisht ky vendi ku ne përballemi me të papërkufizueshmen?
Kur flasim për hapësirën publike, hapësiren e kujt kemi ndërmend ekzaktësisht? E
kujt është hapësira publike? Si e përcaktojmë atë por për më tepër si veprojnë dhe
ndërveprojmë në një hapësirë për të cilën thuhet se na përket neve, një publiku
shpesh herë ambig dhe të shpërhapur?
Në këtë hapësirë të përbashkët, në hapësirën publike – si I përcaktojmë kufinjtë midis
personales, kolektives dhe publikes? Ku mund ta vendosim kufirin? Gjithashtu, si
përballemi ne me kufinjtë e përcaktuar nga të tjerët? Çfarë forme marrin ekzaktësisht
këto ndarje? Dhe si mundet forma të kornizojë përmbajtjen?
Sjellja jonë në hapësirën publike në shumicën e rasteve është e fituar. Ne ndjekim
rregullat e shoqërisë dhe përcaktojmë lirinë tonë nëpërmjet tyre, për rrjedhojë
ndjekim normat lokale të sjelljes, shpesh herë edhe ligjin.
Çfarë ndodh kur njëri prej nesh, apo më shumë se njëri del jashtë zonës gri të
normës dhe kthehet në qëndrën e vëmendjes? Vëmendje e cila ndez një rivlerësim
përmes kontestimit të hapësirës nga brenda dhe jashtë. A nuk mund të jetë pikërisht
kjo ndarje, artificiale e parë nga afër, ‘brenda’ dhe ‘jashtë’, e cila lejon një TË
NDËRMJETME? Çfarë e përkufizon kuptimin për individin dhe kolektivin në
hapësirën publike?
E NDËRMJETMJA, pra, del jashtë zonës gri. Qoftë me anë të ndryshimeve të lehta
në sjellje, përmes një hapi jashtë udhës, nëpërmjet një furçe të ngjyer në bojë, ose
një libri të rivendosur në raft. Në një stol parku, ndërsa kalon vijat e bardha, duke
shkuar në punë, ose vetem një moment përpara se të rikthehemi në një hapësirë që
lehtësisht pretendojmë se është e jona.
Për IN-BETWEEN Donika Çina dhe Katharina Stadler bashkohen përsëri pas
bashkëpunimit të parë, Autopia Cycle, tek Eliava Market në Tbilisi, Gjeorgji, në 2014.
Dy artistet kanë për qëllim të investigojnë pyetjet e përmenduara më sipër nëpërmjet
një seri punësh të ndërlidhura midis tyre tek të cilat përmbajtja dhe forma shkrihen
njëlloj si kufiri midis praktikës artistike individuale dhe asaj kolektive.
Rreth artisteve
Donika Çina është një artiste, e cila aktualisht jeton në Tiranë, Shqipëri. Donika
zakonisht punon në mediumin e video artit, video instalacionit dhe filmit të shkurtër.
Është diplomuar në Fakultetin e Arteve Vizuale, Atelieri i Multimedias, pranë
Akademisë së Arteve, Tiranë dhe vazhdoi të studiojë fotografi dhe video pranë
Universitetit të Arteve dhe Dizajnit, Cluj-Napoca, të Rumanisë dhe më tej në klasën e
Candice Breitz në Universitetin e Artit, Braunschweig, Gjermani. Ajo ka qenë pjesë e
ekspozitave dhe projekteve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Donika Çina është e interesuar në mënyrën se si personalja situacionon veten dhe
përballet me shoqërinë dhe nocionet, normat dhe standardet e saj kolektive. Ajo
fokusohet sidomos në momentet e vendimmarrjes, të cilën ajo e kupton si një ftesë
për të mbajtur një qëndrim që pasqyron ose rrjedhimisht buron jo vetem nga opsione
bardh e zi. Përmes procesit, individi zhvillon dhe ballafaqohet me pyetje të cilat më
pas do të rezultojnë në rezultatin përfundimtar të vendimmarrjes. Prandaj procesi
mund të konsiderohet si një sistem shtresëzimi që të çon drejt mbajtjes së një
qëndrimi. Kjo gjë është e reflektuar përmes formës mediatike të përdorur në punën e
Donikës, duke iu adresuar shikuesit drejtpërsëdrejti për të marrë vetë vendimet e tyre
ndërsa hasen me punën e saj.
Katharina Stadler punon me procesin me mënyra ndërdisiplinore dhe me mediume të
ndryshme në diskurset e ideologjisë dhe politikës të lidhura veçanërisht me nocionet
e formave të reja të kolonializmit dhe imperializmit, si dhe çështjen e kufijve të
vetëdijes përmes mekanizmave shoqërorë dhe përcaktuesve të tjerë. Përveç kësaj,
ajo është e angazhuar në kolektive, shpesh duke u fokusuar në praktikat e
solidaritetit dhe kolektivitetit në lidhje me të ashtuquajturin publik.
Meqenëse ajo beson në forcën e ngritjes së pyetjeve në vend të dhënies së
përgjigjeve, tenton të krijojë momente thyerjeje për të shkaktuar një ndërveprim dhe
jo një konsum të thjeshtë të punës së saj.
Katharina Stadler është një artiste konceptuale, e lindur në Vjenë. Ajo kreu studimet
e Muzikës, Teatrit dhe Komunikimit Kulturor në Universitetin Humboldt, Berlin, duke u
diplomuar me një tezë mbi ndërlidhjen dhe kundërshtimin e zërit dhe heshtjes si
adhurim në shkrimet e Shën Augustinit.
Që nga viti 2010, Katharina është e vendosur në Tbilisi, Gjeorgji, ku ka udhëhequr
Programet Master Informale në Qendrën e Artit Bashkëkohor, 2011-2013. Në vitin
2014, ajo themeloi ‘Concept and Theory – Tbilisi’ si një platformë për artistët vendas
dhe ndërkombëtarë, filozofë dhe teoricienë të interesuar që punojnë në fushën e artit
konceptual dhe teorisë kritike.
katharinastadler.com

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje