Remijon PRONJA | UNTITLED IN ALLEGRO MODERATO

UNTITLED IN ALLEGRO MODERATO

Instalacion i bazuar në dy video që hulumtojnë përdorimin e simboleve kulturore gjatë procesit të trans-kulturimit evropian dhe krizës aktuale të refugjatëve.

UNTITLED IN ALLEGRO MODERATO është një ekspozitë e artistit vizual, me bazë në Tiranë, Remijon Pronja, i cili për herë të parë paraqet veprat e tij më të fundit për audiencën shqiptare. Ekspozita  hulumton kufijtë e komunikimit, përvetësimit kulturor dhe trans-kulturimit duke bashkuar dy videot e Pronjës, “Untitled in Allegro Moderato” (2015) dhe “An Die Freude (Nushid AlFarah – نشيد الفرح)” (2016), në një instalacion të konceptuar posaçërisht për hapësirën e Galerisë Zeta në Tiranë. Të dyja veprat rrotullohen rreth një pikënisjeje të përbashkët: poema e fundshekullit të XVII e Friedrich Schiller-it, “Oda e Gëzimit”, e cila u bë pjesë e trashëgimisë muzikore perëndimore falë përvetësimit të Ludwig van Beethoven-it në kompozimin “Simfonia nr. 9” (1824).

Duke u nisur nga ky monument kulturor, që më vonë u bë himni i Bashkimit Evropian, UNTITLED IN ALLEGRO MODERATO sfidon vlerën e mbingarkuar simbolike të kompozimit dhe konotacionet aktuale të tij nga një perspektivë që vë në pikëpyetje vetë nocionin e identitetit pan-evropian dhe fuqinë e tij kur përballet me “Tjetrin” jo-evropian. Në kontekstin e proceseve ende në vazhdim të integrimit territorial dhe administrativ evropian (krahas ri-integrimit dhe dezintegrimit të normave kulturore dhe vlerave që lidhen me to), ekspozita përpiqet të kontribuojë në diskursin aktual rreth krizës së refugjatëve nga një pozicion i ngritur mbi informacion kritik dhe një nuancë artistike.  Ekrani qëndror në ekspozitë ka për qëllim të hedhë dritë mbi fuqinë e gjuhës, si verbale ashtu edhe jo-verbale, për të përcjellë mospërputhjet dhe disonancat e diskurseve të tilla në krahasim me realitetet e përjetuara nga njerëzimi i sotëm i përfshirë në procese të ndërlikuara tranzicioni dhe transformimi.

Si një mënyrë për t’i afruar me shikuesit e ekspozitës, Pronja fut në lojë gjuhën, tingullin dhe imazhin përmes një konstelacioni në dukje kontradiktor,  i cili vë në provë ndjenjën e dyshimit dhe mosbesimit të tyre me anë të një përzierje të papajtueshme midis elementeve në pamje të parë shumë të njohura dhe, në të njëjtën kohë, krejtësisht të panjohura për ata që i dëgjojnë dhe i shohin. Pronja e krijon qëllimisht atmosferën e një situate të tjetërsuar  që e largon audiencën nga zona e rehatisë duke i paraqitur një skenë që nuk ndjek asnjë logjikë të parashikueshme. Faktikisht, kjo mungesë harmonie trondit dhe çorodit regjistrin tonë të paracaktuar të dijes me synimin për të hapur horizontet tona mbi disa mundësi të paeksploruara ose të paimagjinueshme – si të mendojmë Veten dhe Tjetrin si pjesë e gjendjes sonë të përbashkët (njerëzore) në këtë fillim të Shekullit XXI.

Biografi

Remijon Pronja është një artist vizual, lindur në vitin 1984, në Tiranë, Shqipëri, ku jeton dhe punon aktualisht. Pas formimit fillestar në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë (1999-2003), ai u transferua në Itali, ku studioi për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras, Në Milano (2003-2011), ku edhe mori diplomën master në hulumtime ndërdisiplinore të praktikave bashkëkohore të artit vizual, në vitin 2011. Ai është bashkë-themelues i MIZA Galeri  (që nga viti 2012)

Prej prezantimit të tij të parë publik në 2005 në Galerinë Domus në Locarno të Zvicrës, Pronja ka marrë pjesë në ekspozita të shumta ndërkombëtare të grupit në vendin e tij të origjinës (Shkodër dhe Tiranë) në të gjithë Evropën (Pavia, Milano, Bari, Stockholm, Sarajevë, Berlin dhe Budapest) si dhe në Kanada (Toronto). Rex anonim, është ekspozita i tij e vetme personale deri më tani, organizuar në 2014 në Ku / RZ / nsthalle në Bregenz, Austri.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje