Sentimentalizëm…
… Anekdotash të Vogla
3 – 17 maj 2017
Mjegulla dhe paqartësia, dobësia dhe topitja identitare që ndryjnë edhe të përditshmen, duket sikur mund të ndrydhin ndërkohë çdo ndërgjegje, çdo energji jehonash njerëzore, aq sa të bëhet se ndoshta, dilemat dhe pyetjet kapluese të këtyre dy dekadave, s’do të marrin kurrë përgjigje…
Asgjë më shumë pra dhe asnjë përgjigje. Vetëm disa shkëndija të vërtete që përndezin mikroklimën artistike duke dhënë sinjalet e filimit të shurdhët të fundit të cikleve, të epokave, të përjetimeve, të botëve. Shkëndija që gjenerojnë atë dinamikë lirie e cila, përtej vargonjëve kolektivë të fenomeneve të natyrës dhe të shoqërisë, identifikohet me tërësinë e veprës romantike në Histori, duke i dhënë kësaj të fundit një dimension gjithmonë të ri që tejkalon përvojën thjesht dhe vetëm shqisore, të shqueshme dhe ideale.
Paradoksi i Janusit dhe ambiguitetit, i oblikes dhe dritë-hijes, bëhet prej këtej një komfort ngushëllues që ngjesh shtresëzimet e kërkimit plastik dhe përmbajtësor dhe i çliron ato nga banaliteti ideologjik, si edhe nga çdo gjë tjetër që ka të bëjë me zbavitjen e shqisave.
Në një botë që dyshon, pa e ditur edhe aq përsenë, ajo që tërheq me një vrull të papërmbajtshëm drejt kahut të kësaj shtyse plastike dhe etike, më shumë sesa “gjëndja postmoderne”, është domosdoshmëria njerëzore e parezistueshme – humanaindigentia që priret të ushqehet prej intuitës artistike e që s’mundet të shpërfillë sakaq, gjurmët e Historië.
E një fryme të ngjashme, është edhe përqasja e kësaj ekspozite, e cila rreket të flasë, të tregojë, për një Sentimentalizëm të çuditshëm anekdotash të vogla.
Alket Frashëri