VIZATIMET E PASHFAQUNA TË EDI HILËS
(ose një luhatje mes anonimatit e mos asimilimit)
[Ishte një fletore jashtëzakonisht e bukur]… [E kishte parë në vitrinën e një dyqani vjetërsirash e ishte kapluar aty për aty nga një dëshirë e pamasë për t’a pasur. Anëtarët e Partisë nuk duhet të shkonin në dyqane të rëndomta (“të bleje në tregun e lirë” përkufizohej si shkelje)]… [E kishte çuar në shtëpi, i përfshirë nga një ndjenjë faji] … [Gjëja që po vihej të bënte konsistonte në fillimin e një ditari. Gjë që nuk ishte e jashtëligjshme (s’kishte gjë të jashtëligjshme meqë nuk kishte më ligje); Sido që, nëse do të zbulohej, padyshim që do të dënohej me vdekje, o së paku njëzetepesë vjet punë të detyrueshme.] … [Në të vërtetë nuk e kishte shprehinë e të shkruarit me dorë. Me përjashtim të ndonjë shënimi të vogël, zakonisht i diktonte çdo gjë diktografit, një aparat që regjistronte e transkriptonte gjithçka që thuhej në një mikrofon, e që ishte absurde të mendoje t’a përdorje në rrethanën e tanishme. Ngjeu penën në kallamar e atëherë hezitoi një çast. Pati një drithmë deri në rropulli. Të shënjonte letrën do të ishte akti vendimtar] … [Për kë, pyeti befas veten, po shkruante këtë ditar? Për pasardhësit, për të palindurit akoma] … [Për herë të parë rëndësia e asaj çka po zinte fill iu shfaq sheshit. Si do të mund të komunikonte me pasardhësit? Me logjikë ishte e pamundur. Ose e ardhmja do të ishte njëlloj si e tashmja, kështu askush nuk do t’a dëgjonte, ose do të ishte e ndryshme, e në këtë rast mesazhi i tij do të ishte pa domethënie.] …
[ Ndërkaq minutat kalonin.
Ishte i ndërgjegjshëm vetëm për zbrazëtinë e fletës përpara vetes.][1]
Çdo gjë zë fill me vizatimin, pavarësisht nëse më vonë vepra mund të shndërrohet në një medium tjetër përfundimtar. Është feksja krijuese fillestare. E prandaj mund të thuhet se ruan në embrion mundësi e fuqi të mëdha.
Vizatimet e akuarelet në fjalë janë realizuar në një kohë të vështirë. Në to ndjehen të përvijuara rropatjet e personalitetit të artistit kur është gjendur duke jetuar e vepruar në kontekstin e klimave lirivrasëse të diktaturës. Ato nuk janë skica në kuptimin e kruki-ve, më tepër ndjehen disi si një ditar, jo në kuptimin e riprodhimit të saktë të fakteve por si një reflektim që kërkon të përjetojë e të fiksojë artistikisht në mbarim të ditës ngjarjet e ndjesitë e mbetura në kujtesë. Impostimi i tij (edhe i detyruar) e bën atë jo vetëm të vëzhguar por dhe vëzhgues. Janë vizatime figurative po për Hilën imazhi është tejet i pasur me sugjestione e frymëzime të shumëfishta.
E përditshmja, intimja e qenies dhe e marrëdhënieve njerëzore, virtyte e vese, grimasa e gjestikulacione, përshkuar edhe nga ndjesi lirike por herë-herë edhe naivisht perverse. E gjithë kjo në një përmasë “përkuese” e “të volitshme”, të vogël të një vizatimi a akuareli për të fshehur lehtë diçka të ndaluar (unë i pashë për herë të parë ato para pak kohësh). [2] Këto punë nuk u realizuan me idenë për t’u ekspozuar por si një antidot për t’u çintoksikuar nga klima, për të mbijetuar duke u rrekë për të ruejtë kthjelltësinë si në aspektin njerëzor dhe në atë artistik. Asokohe punoi në hije e kjo shërbeu si pikënisje për një pozicion të caktuar përkundrejt krijimit artistik i cili u bë i prirë të përkojë etikën me estetikën.
Si të tilla mund t’i shohim ndofta edhe si një polemikë e brendshme kundrejt një platforme estetike si ajo e realizmit socialist apo edhe kundrejt servilizmit intelektual. Vizatimet e akuarelet e tij lidhen direkt a indirekt me problemet që trazojnë e pushtojnë ndërgjegjen e tij. Dhuntia e tij është e trazuar, e ngarkuar me preokupime estetiko-filozofike që shprehen te vizatimet duke çliruar një ndjesi poetike.
Nga përmbajtja autori i ndan ato në tre cikle: të punës, të mënjanimit shoqëror dhe të pushimeve.
Cikli i parë që paraqet meditimet mbi punën në fabrikën e ushqimit të pulave është një monolog i çlirët, me një vështrim të kthjellët, zhbirues ku janë të pranishme ndjesi lirike brenda jetës së përditshme të një pune të rëndomtë e ndëshkuese. Personazhet, d.m.th punëtoret e punëtorët janë parë me një frymë simpatie jo idealizuese, që nuk ka të bëjë aspak me imazhin e njeriut të ri, ndofta me një simpati ala- Daumier apo ala Grosz, kur bartin thasë (thasët shpesh janë të shpuar e bjerrin), pushojnë e mendojnë të shtrirë a mbështetur mbi to. Psikologjia, komunikimet, gjestet e këtyre burrave e grave përbëjnë Komedinë Njerëzore jo siç shpalosej në ekspozitat e kohës, por duke u bazuar në shtysat që ofronte realiteti e me një përpjekje për të ofruar një stil që të përkonte me të. Në një farë mënyre mund të themi se ishte një rrëfim i sinqertë. Paradoksi ishte se në një vend socialist, punëtorëve nuk i ka ndryshuar statusi që kishin hamejtë, minatorët, gurgdhendësit, endësit e sistemit kapitalist. Ata konsiderohen jo de iure por de facto si një turmë që bën punën, mbush autobuzët, e kjo gjindje zbavitet e gjen motive lirike edhe në meskinitetin e së përditshmes.
Cikli i dytë ka të bëjë me mënjanimin e artistit nga pjesëmarrja në jetën shoqërore e politike të vendit, duke krijuar një trysni që regëtin nën vizatimet e akuarelet e kësaj periudhe, duke vuajtur mënjanimin vetjak por dhe atë familjar. Këto vizatime japin një kuadër të situatës kur piktori punonte në repartin e Dekorit të qytetit, e ndër subjektet janë “Tharja me zjarr e parullave” propagandistike të Pushtetit komunist (tharje që rezultoi pak më e qëndrueshme ndaj kohës se tharja me zjarr e “Betejës së Anghiarit” të Leonardos). Ndjenja e përjashtimit, që njëfarësoj nënkupton edhe sakrifikimin mund të ndjehet edhe te tempera ku paraqitet një dash në një atmosferë dramatike ndërmjet të kuqes e jeshiles me sytë e pafajshëm e të frikësuar. E pastaj edhe personazhe zyrtarësh e drejtuesish që dirigjojnë me megalomani nën skenografi fragmentare dekoresh. Sidoqoftë, në këto vizatime ndjehet ndeshja direkte me realitetin por punimi e superon anekdotën me hirin që ruan.
Cikli i tretë trajton pushimet, familjen si një moment arratie nga problemet e mësipërme. Ka shumë skica me portrete e skena familjare. Në këtë situatë, ku ka të bëjë edhe prejardhja, refuzon natyrshëm vrazhdësinë e patetizmin e heronjve të socializmit duke u mbështetur te kujtesa, ëndërrimet, fluturimet ose duke i shartuar me to (“Lindje”, “Altar”). Ndjehet një moment kontakti me natyrën, me peizazhin, detin, anijet, një lloj shpengimi. Janë një orvatje për të përjetuar edhe në situata të këtilla “la joie de vivre” me pak qetësi e voluptuozitet e aspak luks[3].
Një ekspozim i këtij lloji, në këtë moment, mund të jetë një vlerësim i freskët i dimensionit shpirtëror, e gjithashtu mund t’u japë dinjitet zhvillimeve e mbijetesës kulturore që ende mund të ketë prapë për t’u zbuluar.
Zef Paci, Profesor i historisë së artit
[1] Ekstrakte nga romani i George Orwell 1984, pjesa e parë, fq. 10, 11, 12 (pjesa e fillimit të ditarit të Winston-it).
[2] Shumë prej tyre duhet të kishin qenë tabllo me përmasat e duhura por kjo ishte e vështirë për një artist të rrezikuar ( nga shënimet e artistit)
[3] Luks, qetësi, voluptuozitet– titulli programatik i një vepre- çelës të Matisse, i marrë prej një poezie “Fleurs du mal” (jo rastësisht titulluar Ftesë për udhëtim) të Baudelaire.