Umbrarum Theatrum (Teatri i hijeve)
31 Mars – 25 Prill, 2010
“Umbrarum Theatrum” (Teatri i Hijeve) vjen me dy prezantime: në FAP dhe Galeri ZETA në Tiranë, një prezantim ku transmetohen vepra artistike narative mbi historinë dhe identitetin, të cilat pasqyrojnë periudha dhe ngjarje si metafora të “monumentit” fantazmagorik të mitit që përfaqëson, në periudhën e diktaturës, “njeriun e ri”.
Ato nuk janë hijet e shpellës së Platonit. Nuk janë as kukullat e teatrit të hijeve nga Lindja e Largët. Ajo janë Hijet vetë, Hijet tona, ato që janë të pandashme nga ne. Ato shkojnë kudo që ne shkojmë. Ato na ndjekin në heshtje, me kokëfortësi. Në çdo çast që kthejmë kokën dhe shikojmë prapa shpatullës, ato janë aty, transportueset e ndërgjegjes sonë, dëshmitaret e heshtura të veprave tona. Ne përpiqemi të shkëputemi prej tyre por nuk ja dalim. Ato janë gjithmonë aty, të poshtëruara por sfiduese, sikur duan të na tregojnë pafuqinë tonë përballe historisë. Por, mbi të gjitha, ato qëndrojnë aty për të na treguar se jemi duke bërë të njëjtat gabime, edhe një herë nga e para, si në një shfaqje teatrore që përsëritet pafundësisht…
Ardian Isufi