Na ishte njëherë në ekran

Na ishte njëherë në ekran

ZETA Contemporary Art Center

2 shtator 2026

Pas përfundimit të një workshop-i intensiv me fëmijë të moshës 9–12 vjeç, ZETA Contemporary Art Center ka kënaqësinë t’ju ftojë në ekspozitën e filmave të shkurtër të animuar, të krijuar nga vetë fëmijët mbi bazën e rrëfimeve, ngjarjeve dhe përrallave të imagjinuara prej tyre.

Nën kujdesin e mentores Redina Qose dhe asistentes së mentores Erisaida Veizaj, fëmijët u përfshinë në një proces aktiv artistik, ku mësuan të zhvillojnë përqendrimin, durimin dhe aftësitë e tyre krijuese, duke e shndërruar teknologjinë nga një mjet konsumi pasiv në një hapësirë për eksplorim dhe krijim.

Gjatë workshop-it, Inteligjenca Artificiale u përdor në mënyrë të udhëzuar dhe të kontrolluar, si një mjet në shërbim të imagjinatës dhe krijimtarisë së fëmijëve.

Përmes kombinimit të mjeteve digjitale me punën manuale dhe teknikat tradicionale artistike, projekti synon t’i ndihmojë fëmijët ta përdorin teknologjinë në mënyrë të ndërgjegjshme, krijuese dhe aktive, duke e vënë atë në shërbim të zhvillimit të tyre emocional, kreativ dhe intelektual.

Projekti u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.