“Çdo Goditje Pason Tjetrën”
Kuruar nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Me artistët pjesëmarrës:
Blerta Hoçia, Diana Malaj, Pleurad Xhafa, Ergin Zaloshnja,
Datë 11 Nëntor, ora 18:30.
Si një gjuhë gjigande prej argjendi që lëpin pjesën e brendshme të malit, depozitat e kromit të Bulqizës kanë qenë gjithnjë nje tundim i madh i regjimeve shqiptare, të cilët njëri pas tjetrit kanë patur dëshirën të shfrytëzojnë pasuritë e tyre. Ndërsa gjatë periudhës komuniste, të burgosurit detyroheshin të punonin në miniera dhe puse të zhytura thellë në koren e tokës, tranzicioni ende i vazhdueshëm drejt demokracisë ka sjellë në rajon ekseset më të këqija të kapitalizmit neoliberal. Dhjetra kompani – jo vetëm prona të oligarkëve si Samir Mane, por edhe të anëtarëve të parlamentit, kryetarëve të bashkive, prokurorëve dhe familjeve të tyre – konkurrojnë në një garë drejt fundit, në kuptimin e parë dhe atë figurativ, përtej çdo përgjegjshmërie dhe kontrolli të qeverisë, pa protokolle sigurie të zbatuara sipas rregullave dhe, gjithashtu, pa paguar siç duhet punonjësit e tyre, minatorët e Bulqizës. Këta të fundit nuk përfitojnë asnjë nga pasuritë që nxjerrin çdo ditë në sipërfaqe, pasi, për ata që mbajnë pushtetin, rajoni i tyre është i padukshëm përveçse gjatë periudhës së shkurtër të zgjedhjeve.
I gjithë mundimi, por asnjë fitim. Më 20 shtator 2021, trupi i pajetë i minatorit 60- vjeçar, Muharrem Plaku, u gjet në Galerinë Nr. 3. Një minator me përvojë, ai u mbyt, dalëngadalë, gjatë pesë ditëve, para se ta gjenin tërësisht pa frymë. Pavarësisht premtimeve të pafuqishme të operatorit të minierës së kromit dhe kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, për ta nxjerrë Plakun ende të gjallë, mungesa e një ekipi me profesionistë kërkim-shpëtimi bëri që shpresa të ishte e vogël që në pikënisje. Edhe pse pati një hetim fillestar ndaj kompanisë, “Kadurtex” Sh.p.k, që operonte në këtë galeri, historia ishte e shkruar paraprakisht: përgjegjësia e individit, mosrespektimi i protokolleve të sigurisë; kompania nuk është kurrë fajtore. Në rrugët e fshatit, rojet e operatorëve kryesorë lëviznin në mënyrë kërcënuese, duke monitoruar çdo shenjë të mbetur rezistence apo proteste. Mercedeset e tyre të zinj e plot shkëlqim krijonin një kontrast të fortë me sipërfaqen e pluhurosur të blloqeve të banimit.
Si është e mundur të krijosh art në një situatë të tillë? Kjo ishte pyetja e vështirë me të cilën u përballën Blerta Hoçia, Diana Malaj, Pleurad Xhafa dhe Ergin Zaloshnja teksa mbërritën në Bulqizë, më pak se 24 orë pas vdekjes së Plakut. Përgjigja e tyre për këtë pyetje ka një rëndësi që shkon përtej lidhjes së saj të drejpërdrejtë dhe të menjëhershme me kontekstin e Bulqizës.
Së pari, ishte vendimi i tyre për tu kolektivizuar. Duke braktisur veprimtaritë e tyre vetjake si artistë në hapësirën publike, apo si dizajnera, fotografë, kuratorë dhe aktivistë të çështjeve sociale (pak rëndësi kanë titujt e tyre), ata vendosën të prodhonin një punë kolektive. Ky gjest ka kuptim të veçantë në kontekstin e Bulqizës, minatorët e së cilës kanë bërë përpjekje të mëdha për të formuluar kërkesa kolektive dhe për tu organizuar në një sindikatë e cila vërtet mund të përfaqësojë interesat e tyre, në vend që të jetë një zgjatim i klasës së oligarkëve, një klasë politike që sundon minierat, një klasë që kërkon “paqe absolute”. Një sindikatë e re, e themeluar vetëm pak vite më parë, operonte nën kërcënimet e vazhdueshme të kompanive minerare dhe të qeverisë Rama, një qeveri e cila krenohet me “mungesën e sindikatave” në territorin shqiptar.
Së dyti, artistët vendosën të ofrojnë një kanal për një besnikëri të mundshme. Besnikëria, sipas filozofit francez Alain Badiou, është një proces subjektiv përmes të cilit e vërteta e një ngjarjeje rikujtohet dhe rishfaqet në kohë dhe hapësirë. Ngjarja, në këtë rast, është pikërisht rezistenca e suksesshme e minatorëve në mbarë botën kundër forcave çnjerëzore të materializmit demokratik, në të cilin marrëdhëniet e vetme janë ato të pushtetit. Një ide kjo e mirëartikuluar në vetë titullin e veprës, “Çdo Goditje Pason Tjetrën”.
Në veprën e tyre, artistët renditin grevat e suksesshme të minatorëve në mbarë botën si edhe kontekstet përkatëse të secilës grevë – kontekste të përafërta me atë të Bulqizës. Lista e grevave është e shkruar në letrën mbështjellëse së dinamitit të përdorur në shpërthimin e malit. Teksti është shpërthyes. Duke lexuar listën kronologjike gjatë katër mëngjeseve të njëpasnjëshëm, ne bëhemi edhe dëshmitarë të zhdukjes të ngadaltë të artistit. Në videon e ditës së parë, shohim Malajn teksa mbërrin dhe nis leximin e tekstit përballë kamerës. Videot e ditës së dytë dhe të tretë, me artistët Zaloshnja dhe Hoçia, i shfaqin këta artistë në një kënd të zhdrejtë, ndërsa në videon e mëngjesit të katërt dhe të fundit, Xhafa është fillimisht i padukshëm ndërsa minatorët ngjiten në mal duke shikuar drejt kamerës. Një pamje e dytë e zbulon vendndodhjen e tij në sfondin e luginës së Bulqizës, ndërsa sekuenca e tretë të çon tek minatorët që ecin drejt kamerës me Xhafën përsëri në sfond, duke zbritur malin. Ajo çka dallohet në mënyrë të veçantë në këtë seri videosh është zbulimi gradual i prezencës së artistëve prej punëtorëve gjatë katër mëngjeseve por edhe zhvendosja graduale e artistëve nga punëtorët si subjekti i videove. Sikur, me të vërtetë, disa nga kufijtë mes artistit dhe minatorit u shuan.
Nuk duhet të gabojmë duke e quajtur këtë vepër “frymëzuese”. Fjalët e artistëve nuk frymëzuan ndonjë grevë e nuk ndezën ndonjë flakë rezistence. As vështirësitë me të cilat përballen ata pak artistë shqiptarë që dëshirojnë të ngrenë zërin kundër uzurpimit kriminal të sferës publike nga një pakicë e vogël dhe e fuqishme, nuk mund kurrsesi ti krahasojmë me vështirësitë fizike me të cilat përballen ata që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë. Për të rikthyer në skenë një term tashmë të vjetëruar, “Çdo Goditje Pason Tjetrën” është një vepër “socialist- realiste”, në mënyrën sesi ajo paraqet njëkohësisht realitetin që përjetojnë minatorët e Bulqizës si edhe potencialin e pandashëm revolucionar të po këtij realiteti. Në këtë kuptim, “Çdo Goditje Pason Tjetrën” është një përgjigje e prerë ndaj dekorit të financuar nga paratë e pista që zbukuron postimet e Instagram- it të elitës politike dhe sociale shqiptare, mungesa e rëndësisë e turpshme e të cilit tejkalohet vetëm nga zbrazëtia e dukshme e intelektit.
– Vincent W.J. van Gerven Oei
Kjo ekspozitë është rezultat i përfundimit të rezidencës dy mujore në qytetin e Bulqizës në kuadër të projektit “Politikat minerale”. Ky projekt mbështetet nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL).
MINERAL POLICIES është një projekt i konceptuar në disa nivele: si një program rezidencial veror në rajonin industrial të Shqipërisë verilindore për katër artistë të zgjedhur nga Tirana, e ndjekur nga dy ekspozita publike të veprave të reja të krijuara me këtë rast, një panel diskutimi dhe një botim, që përfshin të gjitha hapat e mëparshëm të projektit.
Blerta Hoçia, Diana Malaj, Pleurad Xhafa dhe Ergin Zaloshnja janë ftuar të kalojnë dy muaj në bashkinë e varfër të Bulqizës në mënyrë që të hedhin dritë, me anë të mediumeve të tyre artistike përkatëse mbi çështjet që kanë të bëjnë me kushtet e paprivilegjuara të jetesës dhe punës së komunitetit vendas, që adresohen në mënyrë të pamjaftueshme përmes kanaleve të informacionit të manipuluar nga autoritetet publike përgjegjëse. I njohur kryesisht për burimet e tij të pasura natyrore, të një minerali me vlerë të lartë (kromit), rajoni i Bulqizës, i vendosur në një distancë prej rreth 130 km nga Tirana, trashëgon nga koha e komunizmit një qendër minerare Shqiptare. Siç është përshkruar nga Fjori Sinoruka në raportin e Qershorit 2021 Balkan Insight, për 30 vjet shteti i ka shpërfillur thirrjet e tyre “për një status të veçantë, që do të njihte natyrën unike të minatorëve, duke siguruar kushte më të mira pune, pensione dhe mbulim shëndetësor”. Për më tepër, shfrytëzimi financiar i Bulqizës ka qenë në duart e kompanive private, të tilla si Albkrome, një nga më të mëdhatë në vend që, në mënyrë të dukshme, është shumë e lidhur me regjimin aktual politik. Për këto dhe arsye të tjera, minatorët, nuk kanë qenë deri tani në gjendje të arrijnë vëmendjen e mjaftueshme të publikut në përpjekjet e tyre për të ndryshuar kushtet kufizuese të mbijetesës të imponuara nga statusi i tyre i mjerueshëm social dhe ekonomik – diçka që shumica e artistëve vizualë në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe në Shqipëri në veçanti, janë në gjendje t’a identifikojne me: mungesën e një statusi dinjitoz në shoqëritë e tyre, ku disa artistë i shohin problemet e minatorëve si të tyret dhe si një qëllim të vlefshëm për të luftuar – jo domosdoshmërisht nga profesioni, por më teper nga perspektiva e klasës.
[*] Fjori Sinoruka, ‘Kafe dhe cigare’: Minatorët shqiptarë kërkojnë status special, pension të drejtë, Ballkan Insight (3 qershor 2021). https://balkaninsight.com/2021/06/03/coffee-and-cigarettes-albanian-miners-seek-special-status-fair-pension/