Çmimi Ardhje – Informacion dhe Punëtori

Çmimi Ardhje – Informacion dhe Punëtori

Zeta organizon një punëtori 3-ditore, të menduar si pjesë e mbështetjes krijuese dhe profesionale e Çmimit Ardhje, e cila u ofron artistëve pjesmarrës mjete, aftësi, dhe njohuri për të aplikuar si për këtë çmim ashtu dhe për thirrje të hapura, grante, rezidenca, apo mundësi të tjera ekspozimi.

Të gjithë artistët e interesuar janë të ftuar në Qendrën ZETA, në Tiranë, për një takim prezantues të Çmimit Ardhje, me Valentina Koça, drejtoreshë e Qendres Zeta dhe Marko Stamenkovic, kurator, redaktor i botimit të Çmimit Ardhje 2007-2018.

Punëtoria është e ndarë në tre cikle ditore:

E enjte, 27 maj 2021, ora 16:30

Punëtoria e parë do të zhvillohet në Qendrën ZETA dhe do të fokusohet në aspektet teknike të përgatitjes dhe të paraqitjes së praktikës artistike nëpër CV, “artist statement,” bio, portfolio dhe website. Do të diskutohet gjithashtu mbi parimet kryesore të të hulumtuarit, shkruarit dhe aplikuarit për financim projektesh, për në rezidenca të ndryshme, dhe për të tjera mundësi krijimi dhe ekspozimi. Një numër shembujsh do të merren në konsideratë për të ilustruar modelet, metodat, dhe praktikat më të mira të fushës.

Gjithashtu do të diskutohet gjerësisht se si të realizohet dokumentimi i proçesit dhe praktikës artistike për arkiv personal, dhe për monstra pune për aplikime.

E Premte, 28 Maj, 16:30

Sesioni i dytë do të zhvillohet në internet, për aplikantët e interesuar që banojnë jashtë Tiranës, ose që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm gjatë seancës së parë. Lidhja në ZOOM do t’u ofrohet aplikantëve të regjistruar paraprakisht.

E Shtunë, 29 Maj, 16:30

Seanca e tretë dhe e fundit përqendrohet në rezultatet e seminarit dhe synon të shkëmbejë përvojat e mësuara midis pjesëmarrësve, duke marrë parasysh shembujt (ose mostrat) e CV-ve të tyre, biografitë e shkurtra, “deklaratat e artistëve” dhe portofolet. Takimi i tretë do të zhvillohet si në internet, ashtu edhe në qendrën ZETA.

Punëtoria është e hapur jo vetëm për ata që kanë të drejtë aplikimi për Ardhjen, por edhe për artistë në faza të ndryshme të karrierës së tyre artistike dhe profesionale.

Regjistrimi është i detyrueshëm.Artistëve ju kërkohet të regjistrohen deri të mërkurën, datë 26 maj 2021, me email, në adresen:

zetagaleri@gmail.com

Pjesëmarrësit pritet të kenë njohuri bazike të gjuhës angleze, pasi seminari do të zhvillohet në anglisht, për shkak të materialit dhe referencave që do të përdoren.

Çmimi ARDHJE realizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU), institucioni i cili pret artistin fitues për një rezidencë dy-mujore në New York në vitin 2022, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe fondacioni: The Trust for Mutual Understanding, NY.