Çmimi ARDHJE

Çmimi Ardhje është një çmim ndërkombëtar për artistët vizual bashkëkohorë shqiptar, deri në moshën 35 vjeç. Iniciuar në vitin 2005 nga TICA – Instituti i Artit Bashkëkohor Tiranë, u bë pjesë, në 2007, e rrjetit rajonal YVVA – The Young Visual Artists Awards, në Evropën Qendrore dhe Juglindore (Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria), mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding – fondacion privatë në Amerikën Veriore.

Nga viti 2018, Çmimi Ardhje organizohet nga ZETA, qendër për artin bashkëkohorë në Tiranë përmes një thirrjeje të hapur për konkursin dyvjeçar dhe ekspozitën e artistëve finalistë. Pasi ka shërbyer si një bashkëorganizatore e Çmimit dhe mikpritëse e ekspozitës së finalisteve që nga viti 2008, ZETA ndërmori menaxhimin e projektit “Çmimi Ardhje”, duke filluar me edicionin e tij të dhjetë. Qëllimi kryesor është, të njohë talentet e reja të skenës lokale, të nxisë kreativitetin e artistëve, të rrisë ekspozimin e tyre publik dhe të lehtësojë shkëmbimin kulturor me skenën ndërkombëtare, duke promovuar artin bashkëkohor shqiptar brenda dhe jashtë vendit.

Ashtu si edhe çmimet e tjera të  programit YVVA, Çmimi Ardhje është konceptuar si një konkurs i hapur për artistët e rinj shqiptarë, për të aplikuar dhe për të marrë pjesë në një proces transparent, që jo vetëm ofron mundësi për të krijuar vepra të reja dhe prezantimin e tyre në një ekspozitë të përbashkët të  finalistëve të zgjedhur, por gjithashtu për të mbështetur zhvillimin e tyre artistik dhe profesional. Një juri e përbërë nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës,  përzgjedh 4 finalistë, të cilët mbështeten  me një buxhet të caktuar për prodhimin e punëve të reja, një kurator dhe ekspozitën finale në një hapësirë në Tiranë. Vendimi i jurisë për fituesin varet nga meritat artistike të kandidatit, demonstrimi i portofolios artistike dhe CV; nga veçantia e veprës së artit të paraqitur në ekspozitën finaliste; nga rezultati i intervistës me jurinë ndërkombëtare; dhe nga potenciali që ka artisti për të përfituar nga përfshirja në skenën e artit të New York-ut, gjatë  qëndrimit dy-mujor në Residency Unlimited.

Fituesit e çmimeve të para, të Ardhjes ndër vite janë: Lek Gjeloshi (2016), Pleurad Xhafa (2014), Alketa Ramaj (2013), Olson Lamaj (2012), Ledia Kostandini (2011), Dritan Hyska (2010), Luçian Bedeni (2009), Leonard Qylafi (2008), dhe Irgin Sena (2007). Përveç kësaj, Heldi Pema dhe Genti Korini ishin YVAA -artistët e ftuar- në residencë, në ISCP – International Studio & Curatorial Program në Nju Jork, respektivisht në vitin 2013 dhe 2015.

Finalistët e Çmimit Ardhje 2018 janë: Blerina Muça, Fatlum Doçi, Remijon Pronja dhe Sokol Peçi.

Fituesi i çmimit 2018 Ardhje do të shpallet nga anëtarët e jurisë ndërkombëtare (Barnabás  Bencsik, Anthony Elms dhe Alketa Ramaj) gjatë ekspozitës që hapet më 1 qershor 2018 në Galerinë Zeta.

ZETA, është qendër për Artin Bashkëkohor, një hapësirë ​​ekspozuese, jo fitimprurëse, e themeluar në vitin 2007, nga Valentina Koça. ZETA është e përkushtuar në mbështetjen dhe promovimin e artistëve bashkëkohorë, të rinj dhe të konsoliduar së bashku, në partneritet me institucionet lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Ajo organizon ekspozita dhe ngjarje të ndryshme, duke vepruar si një  lidhëse e praktikave bashkëpunuese mes artistëve dhe kuratorëve, kritikëve, studiuesve dhe profesionistëve të tjerë të artit, duke kontribuar kështu në vitalitetin dhe dinamikën e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri.