“Bardh”, bashkimi i Vezgishit dhe Odobashit në Zeta Galeri
7 – 21 shtator/ September, 2016
Titulli i ekspozitës, “Bardh”, i referohet Kazimir Maleviqit dhe mbase jo rastësisht përkon me njëqindëvjetorin e veprës së tij “Bardh në bardh” (1916-1918).
Ekspozita e Maksut Vezgishit dhe Matilda Odobashit.
Ekspozita reflektuese e suprematizmit në njëqindëvjetorin e shpikjes i bën bashkë dy artistët në Zeta Galeri.
Titulli i ekspozitës, “Bardh”, i referohet Kazimir Maleviqit dhe mbase jo rastësisht përkon me njëqindëvjetorin e veprës së tij “Bardh në bardh” (1916-1918). Më pak e njohur se vepra “Katror i zi” (1913-1915), “Bardh në bardh” është njëra nga veprat kyçe që zë vend në themelet e artit abstrakt modern, dhe është pjesë e kërkimeve më radikale për shkëputjen e pikturës nga pasqyrimi ose reprezentimi i realitetit me qëllim të zbulimit të raporteve të trajtave dhe ngjyrave puro pamore.
“Në këtë kontekst, mund të thuhet lirisht se e bardha në ekspozitën e përbashkët të Maksut Vezgishit dhe Matilda Odobashit, është një synim fisnik për të shprehur homazh dhe rireflektuar dhe përtokësuar mistikën e të bardhës suprematiste. Kuptohet, ky nuk është shteg i pashkelur në artin modern dhe bashkëkohor. Zakonisht, në këto përpjekje zbulohet se drejtimi më radikal i shtegut edhe nuk ka zgjatim. Eksplorimi i formave abstrakte që do të ishin inherente për pikturën, që janë vetja e saj dhe jo gjasim apo hije e diçkaje tjetër, e diagnostifikuar së pari në minimalizmin suprematist të Maleviçit, por edhe te bardët e tjerë të Modernëes (Kandinski, Kle etj.), kanë rrezatuar spiritualitetin sublim, por në instancat hulumtuese janë ndeshu me pamundësinë e zgjërimit substancial të konceptit. Kuptohet, me atë kihet mundësia e sprovimeve të një spektri të gjërë formash dhe ngjyrash bazike (si “kuq në kuq”, “blu në blu”, “blu në bardhë” etj.etj,) por duke u ballafaquar me rrezikun e një zgjatimi mekanik, që artistit ia humb aurën dhe alibinë e vetërespektit të krijuesit novator dhe origjinal” thuhet në konceptin kuratorial të ekspozitës, shkruar nga Shkëlzen Maliqi.
Sidoqoftë, kjo ekspozitë e Vezgishit dhe Odobashit nuk është gjithaq kthim tek idetë që kërkonin autonomi të plotë për artin, por përjetohet më parë si një pikënisje mbase nostalgjike.
Te Vezgishi kjo vërehet më qartë sepse në dy ciklet e punëve në këtë ekspozitë, njëri përbëhet nga ready made të sojt të katrorëve të Maleviqit, kurse tjetri ta lë shijen e një reminishencë fragmentare të ekspozitës së famshme të Maleviqit “The Last Futurist Exhibition of Paintings 0.10” (Petrograd dhjetori 1915 – janari 1916), por që Vezgishi e paraqet me një velo stërpikjeje dhe ngjyrosjeje intesive me të bardhën ku mezi dallohen imazhet skicuoze të motivit. Ky maskim në të badhën është një procedim trishtues për të cilin nuk mund të jesh i sigurtë a i referohet kujtesës, apo harresës, por në të dyja variantet, gjithësesi ndeshesh me vizionin e entropisë.
Ndërkaq tek Odobashi vërehet më shumë energjia hulumtuese të një drejtimi tjetër, më optimist. Ajo eksploron elementet bazike pikturale, ngjyrën (një spektër të ngusht sosh, madje një cikël është bardh e zi), si dhe vijat dhe format, duke i prezentuar si një serialitet lëvizës si brenda imazheve që krijon(formatet 20 x 15 cm), ashtu edhe në vendosjen e tyre njëra pas tjetrës, si një friz i pandërprerë, që sugjeron mundësinë se mund të mos ketë as fund. Odobashin e fascinon lëvizja dhe animimi (shpirtëzimi) i tërësishëm i imazheve që krijon, që të ndërlidhura përbëjnë një lloj kalaidoskopi gjarpëror. Kjo begati gjallëruese e formave e bën më të përtokshme dhe të rrokshme idenë e puro estetizmit suprematist.
Shkëlzen Maliqi