Ekspozita: “Solo Exhibition”
Artisti: JORGJI GJIKOPULLI
21 Tetor 2014
Jorgji Gjikopulli është një individualitet i afirmuar i skenës artistike shqiptare. Ndonëse ka disa vjet që I ka kapërcyer të shtatëdhjetat, në punën e tij të përditshme ai mbetet ende kërkues dhe me shpirt prej të riu.
I lindur dhe rritur në brigjet e Rivierës së mrekullueshme shqiptare, me një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në krijimtarinë artistike, Gjikopulli vazhdon të prodhojë harmoni dhe akorde muzikore në pikturën e tij, me një tavalocë thuajse fosforeshente, në situata ëndrrash dhe paqeje shpirtërore të cilat, nëpërmjet një udhëtimi krejt të çiltër fëminor, e shpien shikuesin në hapësira të reja dhe të këndshme estetike.
Në këtë ekspozitë vetiake ai vjen me një seri të re punësh, të cilat na shfaqen si një vazhdim krejt i natyrshëm dhe pa kapërcime të sforcuara i kërkimeve të tij piktorike të periudhës së fundit. Shohim peisazhe të dekodifikuara dhe të rikrijuara në një kaleidoskop të shndritshëm ngjyrash të pafund, me elementet identifikuese tashmë të njohura të origjinës, por edhe me dritare të reja e vende “të paeksploruara” më parë, natyra të qeta që “i përvidhen” hapur ligjeve të pashkruara të zhanrit dhe kërkojnë të fillojnë të njëjtën lojë të harlisur ngjyrash dhe drite, të kudondodhur në telajot e tij.
Ekspozita është një dëshmi e pastër e vitalitetit krijues ende aktiv të Gjikopullit, që i shpërfill kufizimet e moshës dhe i përcjell shikuesit kënaqësi estetike dhe ndjenja optimiste.