100×100 = 900
Një projekt për të festuar 50 vjetorin e Videoart
Kurator: Enrico Tomaseli, Magmart, Itali dhe ZETA
100 artistë të videos nga e gjithë bota krijojnë 100 vepra arti në video, ku secila është e bazuar në një vit, të periudhës së viteve 1900-2000, duke u përputhur në mënyrë të rastësishme. Me një rrjet të gjerë bashkëpunues, projekti u shfaq në shumë vende, në mënyrë inovative gjatë vitit 2013.
100 x 100 = 900 dhe dy fjalë për videon në artet pamore.
Përpara se të flasim për videon si teknikë dhe si medium në artin pamor, le të themi diçka për konceptin kuratorial të këtij projekti, pra të projektit 100 x 100 = 900. Në një farë mënyre, ky koncept, apo ky subjekt nga i cili janë nisur edhe autorët e këtyre njëqind videove, është i thjeshtuar, në kuptimin që nuk është një koncept i mirëfilltë kuratorial, por më shumë është një orientim në kohë; një retrospektivë e cila nis nga viti 1900 dhe përfundon në vitin 2000.
Pra, e gjithë kjo hapësirë prej dhjetëra vitesh është ajo që kërkohet për t’u shënjuar nga artistët pjesëmarrës, dhe më konkretisht akoma zgjedhja e një viti si mundësi artistike. Dhe pikërisht kjo e bën këtë koncept kuratorial edhe sfidues, sepse ka aq shumë personazhe, ngjarje dhe gjëra në këtë hark kohor prej një shekulli, saqë vihesh jo pak në vështirësi për të zgjedhur.
Një aspekt me rëndësi i këtij koncepti kuratorial është se ai përbën edhe një nismë kërkimore ose me natyrë historike, por sigurisht jo nën optikën e historianit apo mendimtarit, por të artistit. Kjo është një veçanti e llojit të vet, dhe si e tillë krejt e mundshme për t’i dhënë një tharm secilit, sepse qasja e artist ndaj të shkuarës nuk niset nga premisa racionale apo shkencore, që kërkojnë me ngulm prova e vetëm prova (sipas disa kritereve që ndryshojnë nga njëri shkencëtar tek tjetri), por nga një premisë krejt e brendshme dhe ontologjike si e tillë, e cila e shtyn autorin-artist të nuhasë e të kapë aspektin cilësor të historisë.
Le të kujtojmë qoftë edhe një rast, për shembull, Jul Cezarin e Shakespeare-it, meqë është kaq i njohur nga të gjithë, i cili është krejt tjetër nga ai që rrëfejnë historianë të caktuar. Jul Cezari që na rrëfen Shakespeare-i, natyrisht që, sipas kritereve të historisë si shkencë, rrëzohet pa një pa dy, sepse nuk është bazuar te burimet e duhura apo të besueshme shkencërisht, ndërkohë që është bash ky Jul Cezar që është më i vërtetë se çdo Jul Cezar që kanë rrëfyer historianët; është ky Jul Cezar që tashmë ka mbetur pikë referimi në mbamendjen e njerëzimit. Ai është i “vërtetë” jo sipas rendit racional të gjërave, por sipas një rendi tjetër. Pra, edhe Shakespeare-i e kishte burimin e tij.
Në lidhje me videon si medium, ose siç quhet nga disa “imazhi në lëvizje”, mund të themi se hapat dhe përpjekjet e para për ta parë dhe shndërruar kamerën në një mjet potencial për artin janë bërë në harkun kohor të viteve ’58 dhe ’70. Dy nga artisët që ishin në krye të këtyre përpjekjeve qenë Wolf Vostell dhe Nam June Paik.
Nëse do e konsiderojmë kamerën si zgjatim të syrit tonë, siç e konsideron McLuhan-i, atëherë ajo mund të kuptohet si një nevojë dhe njëherësh si pasojë e pashmangshme e njeriut të brumosur me qasjen e fragmentuar ndaj realitetit, ku kamera luan një rol par excellence fragmentues ose copëtues. Nga televizioni ne marrim gjithnjë një thërrmijë të një realiteti të caktuar, edhe këtë në një kohë të kufizuar. Dhe së këndejmi iluzioni ka marrë dheun: është pikërisht kjo thërrmijë që e shënjon atë realitet, që e përfaqëson atë, dhe ne priremi ta mendojmë e ta gjykojmë atë realitet sipas kësaj thërrmije, që ndryshe njihet si e dhënë ose si informacion.
Kjo është një prej arsyeve që i nxiti disa artistë të mëkëmbnin një vështrim tjetër mbi imazhin në lëvizje, ku përmes përzgjedhjes me synime artistike të përçonin përmes videos jo thjeshtë të dhëna dhe riprodhime, por kuptime sui generis.
Gjithashtu videoja është përvetësuar nga artistët edhe si një lloj kundërpërgjigjeje dhe rezistence ndaj dhunës së legalizuar të televizionit, i cili mbetet një prej pengesave më agresive ndaj të menduarit dhe kreativitetit; që do të thotë, ndaj lirisë.
Shumë artistë sot zgjedhin videon për të transmetuar përjetime, mesazhe apo ide të caktuara, ngaqë në raste të caktuara është pikërisht videoja më e përshtatshme, më domethënëse, sikundërse në raste të tjera mund të zgjedhin pikturën, ose fotografinë, ose instalacionin ose një mjet apo një mënyrë çfarëdo, dhe e gjithë kjo natyrisht që është subjektive, pasi është në varësi të asaj se ku ndihet më i qetë dhe më i përmbushur autori.
Domethënë, qoftë videoja, qoftë mediumet e tjera, janë vetëm mjete në duart e artistëve; qëllimi është akti krijues, koncepti ose ideja.
Edison Çeraj