ARDHJE 2009

ARDHJE 2009

Kuratorë: Zef Paci, Stefano Romano

29 Shtator – 20 Tetor

Artistët: ALDI ZGJANI, BLERTA KAMBO, ENKELEJD ZONJA, GEDMOND LUSHKA, LEK GJELOSHI, LUÇJAN BEDENI, NERTILA PERE, SUELA QOSHJA, YLLKA GJOLLESHA.

Juria ndërkombëtare e përbërë nga Ana Dzokic (Rotterdam/Belgrade), Edi Hila (Tirana/Albania) dhe Anri Sala (Tirana/Paris), i dha Luçjan Bedenit çmimin fitues.

Ardhje 09 është një ngjarje që  prej  disa vitesh është përvijuar në rolin e informimit, dokumentimit dhe përhapjes të disa prej prurjeve më interesante të artistëve të rinj në fushën e arteve pamore.

Punët e nëntë artistëve në këtë edicion të tretë dëshmojnë disa prirje për të analizuar një aktualitet shqiptar dinamik, pa lënë mënjanë edhe vështrimin e së kaluarës. Realiteti ynë po shndërrohet para syve tanë me një shpejtësi e kompleksitet gjer pak më parë të panjohur e të reflektosh mbi të është si të reflektosh mbi një gjendje në lëvizje. Të reflektosh mbi këtë, nëpërmjet një disipline si artet pamore që përherë ka pasë si objektiv njohjen e rileximin e realitetit, është një mënyrë për të mos qëndruar indiferent kundrejt këtyre shndërrimeve dhe të rrekurit për të qenë pjesëmarrës në to. Ky aktivitet, i mbajtur edhe në një moment të tillë të favorshëm (njëkohësisht me Bianualin e Tiranës), don mbi të gjitha të aktivizojë një moment shkëmbimi përvojash në të cilin edhe artistët e rinj të jenë pjesëmarrës.  

Çmimi Ardhje 2009 u organizua nga TICA institute në bashkëpunim me qendrën ZETA. Ai u mbështet nga fondacioni FAVA dhe Akademia e Artit, Tiranë

 

 

 

 

Luçjan Bedeni “Pa titull”, 2009, video, 4 min

Videoja e Luçjan Bedenit ngërthen një situatë urbanistike të përjetuar ditaditës në qytetin e vet të lindjes duke parë të vërtetohet parandjenja e zëvendësimit të paskrupullt. Prej pamjes natësore, që na ofron në fillim e që përkon me një koncept peisazhi qytetar ende të pamolepsur dhe me horizontalitet të palëvizshëm, kalohet ngadalë në të tashmen, ditën, në një pamje të karakterizuar nga vertikaliteti, ku gëlojnë makina të ndryshme, e ndjehen kontraste hapësinore e kohore të pazgjidhura prej ritmesh konvulsive e fragmentariteti.

 

 

 

Luçjan Bedeni
Pa titull, 2009. Video me një kanale, ngjyrë, zë; 106 minuta.

 

Të përhumbur në rilievin e një vendi të sunduar egërsisht nga një diktator komunist në kohën e Luftës së Ftohtë, prania e vazhdueshme e bunkerëve, fortesa prej hekur-betoni ka mbetur një relike reminishente (dhe ndoshta më e dukshmja) e master-planit paranojak të Enver Hoxhës, të viteve 1960, 1970 dhe 1980. Për të forcuar kontrollin e partisë në pushtet mbi qytetarët (dhe për të prerë plotësisht lidhjet e tyre me pjesën tjetër të botës), Hoxha zbatoi idenë e ndërtimit të sa më shumë objekteve ushtarake mbrojtëse, duke rritur ndjenjën e frikës kolektive ndaj armikut të jashtëm potencial. Kjo trashëgimi arkitekturore, krejtësisht surrealiste dhe jofunksionale, është vetëm një dëshmi e ideologjisë narcisiste dhe dehumanizuese, e cila injoronte në mënyrë konstante nevojat reale të shqiptarëve – si për shembull, zhvillimin afatgjatë arsimor dhe ekonomik. Në qendër të Video-projektit, të 2009’s, të Luçjanit Bedenit, është një nga keta bunkerë: i braktisur që nga fillimi i viteve 1990, i shkëputur pak nga trafiku i rrugës për në veri të vendit, një kërpudhë-kabinë (një skelet i së kaluarës së errët) i mbuluar i tëri nga bimësia dhe që tani është zbuluar nga artisti-‘arkeolog’. -A është ai duke pastruar trupin e tij nga dheu, degët dhe barërat e këqia për ta risjellë bunkerin të freskët përsëri ? Apo po kryen një gjest shërues, shamanist, për të ekspozuar, edhe njëherë, me ironi të hollë, një fragment të dhimbshëm të historisë traumatike të shoqërisë së tij? Së fundmi, duke iu rikthyer bunkerit në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe personale, sikur të ishte pjesë e pronës së familjes së tij, “pastrimi i shtëpisë” së Bedenit, bëhet një veprim fizik me sugjerime etike: i marrë nga një distancë historike që ndan Shqipërinë bashkëkohore nga hijet e së kaluarës së saj, ai ka për qëllim të rivendosë dinjitetin për diçka të injoruar forcërisht – ose diçka që ishte menduar të mbetej përgjithmonë e fshehur nga pamja e publikut, si një shenjë e turpshme e paaftësisë njerëzore për ta kaluar si dramë anën e errët të kujtesës kolektive në një mënyrë të drejtë dhe të përgjegjëshme.