Alban Hajdinaj: Shtigje të Bigëzuar
30 Maj – 20 Qershor 2025.
Hapja: 18.00 e Enjte 29 Maj 2025
Qendra e Artit Bashkëkohor Zeta ka kënaqësinë të prezantojë Shtigje të Bigëzuar,
një ekspozitë me punë të reja nga Alban Hajdinaj, e kuruar në bashkëbisedim me
kuratoren britanike Elizabeth Neilson.
I njohur për punën e tij në pikturë, kolazh, video dhe tekst, Alban Hajdinaj gjatë tre
dekadave të fundit ka gjetur dhe mbledhur objekte, imazhe dhe efemera të gatshme,
duke i kushtuar rëndësi tregimeve që ata përfaqësojnë dhe përmbajnë. Duke e
drejtuar gishtin kah subjektivitetet dhe mosvazhdimësitë e çfarëdo ideje të historisë
që paraqitet si një studim i ngurtë apo objektiv.
I ekspozuar për herë të parë është një grup kolazhesh të rinj që iu referohet figurave
ushtarësh apo partizanësh, këtij grupi të veçantë subjektesh mashkullore, që
shfaqen si figura të projektuara, vizatuara dhe fotografuara. Në këto punë, thurja e
imazhit thyhet në mënyrë delikate dhe subjektive. Në një seri punësh çifte ushtarësh
anonimë janë fotografuar së bashku, të veshur me uniforma, një lloj suveniri jo i
pazakontë për tu dërguar në shtëpi apo për tu mbajtur në dollapin e ushtarit. Fytyra e
njërës prej figurave në fotografinë analoge bardh e zi, është zëvendësuar me një
tjetër, të prerë nga një vizatim i shtypur, që zë vendin e të parës. Kjo ndërhyrje nuk e ka ndryshuar kompozimin dhe as subjektin e imazhit në ndonjë mënyrë dramatike
ose përmbysëse, por dy të rinjtë anonimë kanë tashmë një histori të strukturuar
ndryshe. Një pasqyrë është vendosur para ushtarëve të çdo epoke, heroizmit idealist
në brendi të akteve të tyre dhe faktit që ata mund të zëvendësohen me lehtësi.
Hajdinaj hibridizon imazhërinë e përzgjedhur prej tij, jo në mënyrë digjitale, por me
ndërgjegjie, në mënyrë manuale dhe duke risjellë një modë të vjetër, duke prerë dhe
ngjitur, ose duke pikturuar drejtpërdrejt mbi një imazh fotografik, duke e drejtuar
vëmendjen tek ndërtimi i imazhit dhe potenciali i tij për të ndryshuar strukturë dhe
për të ruajtur mundësinë që të lexohet ende si i vërtetë. Qasja e tij arkaike dhe
analoge drejton vëmendjen tek historia e epokës së ‘post – të vërtetës’ së lajmeve të
rreme, dizinformimit algoritmik, inteligjencës artificiale dhe qerthullit të lajmeve që
s’rreshtin kurrë. Përkrah hibrideve të tij, në ekspozitë shfaqen materiale arkivore
origjinale që zbulojnë manipulimin e imazheve dhe tregimit mediatik apo zyrtar. Duke
e drejtuar vëmendjen tonë tek historia e imazheve dhe natyra politike e vetë
ekspozimit, Hajdinaj me delikatesë gërvisht shenjat e plagëve të historisë duke
nxjerrë në pah fibrat shoqërore që i mbajnë këto tregime në këmbë.