Qendra për Art Bashkëkohor ZETA
prezanton
Manifesto VALA E MADHE
Një projekt nga DebatikCenter of Contemporary Art
Inaugurimi: E Premte, 22 Nëntor, Ora 18:00
MANIFESTO është një projekt multidisiplinar që mbledh së bashku artistë, kuratorë, historianë, arkitektë, shkrimtarë, teoricienë të kulturës, shqiptarë ose jo, etj., për të reflektuar mbi gjendjen aktuale të artit bashkëkohor në Shqipëri dhe më gjerë, me synimin për të provokuar një “momentum” të aftë për të thyer rrëfimin aktual artistiko-historik duke propozuar një alternativë. Nisur nga gjendja aktuale politike dhe gjeografike, kjo lëvizje propozon veten si një projekt antagonist dhe laborator idesh në një territor ku eksperimenti neoliberal i shkrirë me artin bashkëkohor është më i theksuar se kurrë. Shqipëria nuk ka shpikur ndonjë rrëfim të madh historik, ndryshe nga shumë nga fqinjët e saj. Këtu, kushtet e modernizmit janë ende në gjendje të hapin mundësi të ndryshme për artin, mundësi që mund të zhvillohen pa përsëritur situata dhe përvoja që tashmë kanë ndodhur diku tjetër. Për disa vite me rradhë, projekti MANIFESTO ka analizuar dhe punuar mbi këto veçori, përmes dy episodeve të tij të para: Manifesto HIJACKING (2022) dhe Manifesto DESERTION (2023). Në këtë episod të tretë, MANIFESTO vjen si një VALË E MADHE (2024–25), duke propozuar një lëvizje të re në artet pamore, kinematografike, teorike dhe politike: një lëvizje që zbërthen të kaluarën e vendit së bashku me konsolidimin e tij aktual neoliberalist, duke ofruar kritikë e vështrim retrospektiv që fokusohet në realitetin shoqëror dhe gjithashtu propozon një rrëfim të ri historik të artit dhe shoqërisë shqiptare.
Manifesto VALA E MADHE është mbështetur nga Foundation for Arts Initiatives (FfAI), dhe Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL).