ZETA shpall listën e artistëve të përzgjedhur për edicionin e 13-të të Çmimit ARDHJE 2021 :
Fatlum Doçi, Sead Kazanxhiu, Matilda Odobashi, Abi Shehu
Artistët e përzgjedhur do të krijojnë vepra të reja për në ekspozitën finale, në Galerinë Zeta, në Tiranë. Çmimi do të jepet në hapjen e ceremonisë në shtator 2021.
Njihuni me finalistët e Çmimit ARDHJE 2021!
SEAD KAZANXHIU lindi në Fier në vitin 1987. Kazanxhiu ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006–2010), aktualisht jeton dhe punon në Tiranë.
Pas studimeve, ai vazhdoi të punojë kryesisht në mediumin e pikturës, ndërsa së fundmi, praktika e tij është zgjeruar në skulpturë, instalacion, video apo ndërhyrje në hapësirën publike.
Veprat e Kazanxhiut janë ekspozuar në Bienalen e 2-të Rome, Berlin (2021); ERIAC, Berlin (2020); Galeria e Bregdetit, Vlorë (2019); Galeria Kombëtare Sllovake dhe Banská Bystrica, Sllovaki (2018); Qendra ZETA, Tiranë (2018); Autostrada Bienale, Prizren (2017); Bienalja e Mesdheut 18, BJCEM, Tiranë (2017); Qendra Kulturore Tulla, Tiranë (2015); Çmimi ONUFRI XXI, Galeria Kombëtare, Tiranë (2014); Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë (2013), ndër të tjera.
ABI SHEHU lindi në Lezhë në vitin 1993. Shehu ka ndjekur studimet për fotografi në Universitetin Europian të Shkencave të Aplikuara (BTK) Berlin, aktualisht jeton dhe punon ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Puna e saj është një hulumtim estetik rreth përvojave ekzistenciale themelore, që krijojnë një portret të njerëzores në shoqëritë bashkëkohore si: ritualizimi i jetës, kujtesa, harresa dhe vdekja.
Veprat e Shehut janë ekspozuar në Bazament Art Space, Tiranë (2020-2021); Galeria e Bregdetit, Vlorë (2019-2021); ish-Kino Rinia, Prishtinë (2020); Bulbul, Berlin (2020); EMOP, Berlin (2020); ArtHouse, Shkodër (2019); CLB, Berlin (2019); Das Gift, Berlin (2019); GlogauAir, Berlin (2018), ndër të tjera.
MATILDA ODOBASHI lindi në Tiranë në vitin 1988. Odobashi ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë (2006–2010), aktualisht jeton dhe punon në Tiranë.
Puna e saj merr shkas nga bashkëjetesa dhe ankthi i prodhuar si pasojë e këtyre marrëdhënieve. Tjetri (dhe e ndryshmja) është një temë thelbësore në punën e saj, ndërsa ri-interpretimi i normave sociale të imponuara dhe impakti i tyre mbi shoqërinë dhe individin janë tema të shpeshta. Ajo eksperimenton në mediume të ndryshme si vizatimi, vizatimi dixhital, piktura, instalacioni, etj.
Veprat e Odobashit janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve,Tiranë (2021); Galeria Kombëtare e Arteve, Prishtinë (2018, 2021); Haus der Architektur, Graz (2019); Qendra ZETA, Tiranë (2014, 2019); FLUC, Vjenë (2017); Muzeu Ludwig – Muzeu i Arteve Bashkëkohor, Budapest (2016); Traklhaus auf der Festung, Salzburg (2016); Salzburger Kunstverein, Salzburg (2015); Loop house and Musagetes, Leçe (2014), ndër të tjera.
FATLUM DOÇI lindi në vitin 1991, në Shkodër. DOÇI ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, atelier i multimedias (2010–2015) dhe aktualisht jeton dhe punon në Shkodër.
Ai eksperimenton në mediume të ndryshme si pikturë, vizatim, skulpturë, video, instalime, bizhuteri dhe arte të shkrimit. Pavarësisht nga mediumi, Doçi e imagjinon procesin e tij krijues si një udhëtim të brendshëm dhe një largim nga e zakonshmja, në mënyrë që të përjetojë atë që mund të jetë e qartë për syrin e njeriut, por edhe atë që nuk duket.
Veprat e Doçit janë ekspozuar në: Galeria Doza, Sofje (2021); Qendra ZETA, Tiranë (2020, 2018, 2017, 2016); Museum Stanze della Memoria, Siena (2019); Galerija Flora, Dubrovnik (2019); Galerija Podroom, Kulturni centar Beograda, Beograd (2019); Galerija VN, Zagreb (2019); Qendra Kulturore Tulla, Tiranë (2019); Galeria e Arteve, Shkodër (2019, 2015); Collezione Giuseppe Iannaccone, Milano (2018); Bienalja e Humorit dhe Satirës, Gabrovo (2017); Mediterranea – Bienale e 18 Artistëve të Rinj, Tiranë (2017); Tirana Art Lab, Tiranë (2016); arTVision – Një kanal i artit live, Qendra M’ARS për Artin Bashkëkohor, Moskë (2015) ndër të tjera.
Edicioni i 13-të i Çmimit ARDHJE 2020, për artistët e rinj mundësohet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, fondacionit The Trust for Mutual Understanding dhe Residency Unlimited në New York.
Sjellim në kujtesë që Çmimi ARDHJE është iniciuar në vitin 2005, nga TICA – Tirana Institute of Contemporary Art dhe u bë pjesë e rrjetit rajonal Young Visual Artists Award në Evropën Qendrore dhe Juglindore, në vitin 2007.
Nga e majta në të djathtë: Matilda Odobashi, Sead Kazanxhiu, Abi Shehu, Fatlum Doçi.