THE TRANSITORY STATE OF POSSIBLE STORIES
Gjendja Kalimtare e Ngjarjeve të Mundëshme
Valentina Bonizzi
kuruar nga Luisa Perlo | a.titolo
ditën e enjte, 28 shkurt 2019,
ora 18:30.
28 shkurt – 22 mars 2019
ZETA -Tiranë
Si ekzistojmë në ligj? Dhe çfarë tregojmë në fund?
Këto janë pyetjet që përmbledhin reflektimin e artistes Valentina Bonizzi në veprat e krijuara dhe të realizuara në Shqipëri midis viteve 2017 dhe 2019. Këto vepra janë prodhuar gjatë një seri ndërhyrjesh artistike përmes dy “kundër-arkitekturave”: Selia e Kryeministrisë, e ndërtuar gjatë pushtimit fashist midis viteve 1939 dhe 1941 dhe qyteti i Kamzës, që konsiderohet periferia e kryeqytetit, ndërtuar nga imigrantë, veçanërisht nga veriu i vendit, pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991.
Filmi Homage to Kafka zhvillohet në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), një agjenci qeveritare e krijuar në vitin 2015, me qëllim që të mbajë të hapur për publikun portën kryesore të selisë qeveritare. Vepra është një reflektim mbi përvojën e përditshme të pritjes së ligjit, i frymëzuar nga parabola Para ligjit, që gjendet në librin Procesi të Franc Kafkës, botuar për herë të parë në vitin 1915. Filmi përfshin stenografen e cila ka punuar në Pallatin e Kryeministrisë për pothuajse pesëdhjetë vjet, një figurë që mban në duart e saj mundësitë e transmetimit të historisë dhe që së cilës Bonizzi i ka besuar transkriptimin e tregimit enigmatik të shkrimtarit të madh bohem.
Në veprën Forumi i Atyre janë vetë pyetjet që marrin formën e pjesëmarrësit. Forumi është fillimisht një hapësirë publike në të cilën diskutohen çështjet kryesore politike, sociale, tregtare ose kulturore të një qyteti. Në planin urbanistik roman, forumi ka një pozitë qendrore, në mënyrë që njohuritë e prodhuara atje të transmetohen dhe të përhapen në aktivitetet kryesore të pjesës tjetër të qytetit. Por çfarë ndodh kur një forum vendoset në kufijtë e shoqërisë, në periferi? A prodhon dije? Nga këto reflektime lind vepra Forumi i Atyre, i prodhuar në bashkëpunim me grupin e aktivisteve të ATA-s, të cilat i japin jetë një grupi diskutimesh mbi rezistencën kulturore në Kamëz. Videoja është rezultat i një studimi mbi qytetin si sistem normativ, nëpërmjet rregullave të shkruara dhe të pashkruara të zakoneve sociale dhe patriarkale, që veprojnë në territorin urban të Kamzës. Gjithë kjo ndodh gjatë një cikli laboratorësh dhe aktivitetesh të përbashkëta me grupin ATA, me një grup banuesish të rinj, si edhe me artistë e aktivistë të tjerë.
Në ekspozitë, të dyja tregimet, qendrore dhe periferike, bëhen plotësuese: sistemi i pushtetit në të cilin jetojmë, përcillet përmes fjalës së shkruar dhe shprehjes gojarisht; e përhershmja dhe e përkohshmja, ajo që duket konkrete dhe fluide jetojnë bashkë me individin dhe komunitetet. Hapësira mes këtyre kuptimeve është vendi ku vepra artistike vendos fuqinë e saj poetike, duke e konsideruar të pashkëputshme marrëdhënien tonë me ligjin dhe përcjelljen e tij.
Në kuadër të ekspozitës, “Gjendja Kalimtare e Ngjarjeve të Mundëshme”, do të realizohet edhe botimi, me kontributin e kuratores Luisa Perlo, studiueses Brunilda Pali (Leuven Institute of Criminology, KU Leuven) dhe aktivistes Diana Malaj (ATA).
Ekspozita është e realizuar me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.
Forumi i Atyre u krijua me mbështetjen e Lëviz Albania.