Lek M. Gjeloshi | N’JERM

Lek M. GJELOSHI

N’JERM

14 dhjetor 2018 – 10 janar 2019

Ekspozita paraqet një cikël me fotografi të shkëputura nga një grumbull negativësh me të cilët autori ndeshet rastësisht, nisur si pretekst për të testuar me to një makineri të vjetër për zmadhimin e filmave 35mm. Imazhet e seleksionuara përmes saj janë fragmente të organizuara pa një rend të paracaktuar narrativ.

I tërhequr nga dimensioni fantazmagorik i subjekteve mbi sipërfaqen e ekranit, ai fillon t’i rifotografojë duke aktivizuar gradualisht një jetë të dyfishtë të imazheve, ku pjesë e tyre është tashmë edhe drita e ekranit të projektorit, gjurmët e vjetërsisë dhe reflekset që ndodhen në sipërfaqen e tij. Këto fotografi i inverton më pas në negativ dixhital duke përdorur opsionin e zakonshëm që ofron aplikacioni i celularit. Nga kjo mbivendosje negativësh, procesi algoritmik i thjeshtë prej ku ai përfton imazhe, “pozitivët” hibrid, të cilat ngarkohen me një atmosferë të re që nuk referon më informacionin e fotografisë e as dëshminë e saj, por devijimin konstant, një soj kllapie ose përçartjeje të asaj që mbetet mbi sipërfaqen e mbështjellur nga tisi i blucianit.

Kështu vjen në dritë një arkiv i panjohur dhe i pautorësi. Në të na shfaqen trupa, rite liturgjike e peizazhe të vagullta, ekzistenca herë të magjepsura, herë të mbetura pezull në një fshat të mistershëm diku në Shqipërinë veriore.

 

Lek M. GJELOSHI ka lindur në vitin 1987, në Shkodër, ku aktualisht jeton dhe punon. Ai studioi Art Vizual në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence, ku u diplomua në vitin 2010. Ekspozitat e tij solo përfshijnë “All My Colours Turn to Clouds”, Villa Romana, Firence (2016) dhe “Off-Cells”, Galeria e Arteve, Shkodër (2016). Në vitin 2015 ai ishte fitues i Çmimit Idromeno, i dhënë nga Galeria e Arteve të qytetit të Shkodrës. Një vit më pas (2016), ai fitoi Çmimin Ardhje për artistët e rinj vizualë shqipëtar. Që nga viti 2017 është përgjegjës i arkivit në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, në Shkodër. (2018) ka qenë artist në residencë në Residency Unlimited, New York. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të shumta në grup si: “Ex Gratia”, në Koleksionin Iannaccone në Milano (2018); “A time for dreams”, në Muzeun e Artit Modern të Moskës (2014); “Nuovo Cinema Masaccio” (2014), “Fuori posto” (2013) dhe “Lontano da dove” (2012), në Casa Masaccio dhe në Fondacionin Lanfranco Baldi, në Itali.