Zef Paci_PUNË “PUBLIKE” E “PRIVATE” TË FRANC ASHIKUT

PUNË “PUBLIKE” E “PRIVATE” TË FRANC ASHIKUT

Ajo çka mund të konsiderohet e veçantë te persona e Franc Ashikut është një ndjenjë e mprehtë kritike, dyshimi e njëherësh e shoqëruar me një dritë besimi dhe optimizmi në rrethanat e jetës dhe  krijimtarisë së tij.

Është figura e grafistit, që me intuicionin e tij, mishëron në mënyrën më të drejtpërdrejtë, shpirtin e kreativitetit.

Kushdo që e ka njohur atë e dinte se ishte përgjegjës artistik i repartit të Dekorit të qytetit të Shkodrës. Siç e dimë  ishte sektori që  ofronte “publicitetin”, përmbajtjet demagogjike e doktrinare ose siç quhej asokohe  emulacioni socialist i regjimit.

Pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij u realizua në një moment kur në vendin tonë, si në mbarë kampin socialist, riformuloheshin arbitrarisht marrëdhëniet që ngasin ndërmjet historisë sociale e personale, ndërmjet politikës e prodhimtarisë artistike. Arti i realizmit socialist kërkonte këtë sakrificë: impenjimin me çdo kusht të artistit në jetën politike.

Megjithë gjykimet e rezultatet e përgjithshme mbi periudhën e realizmit socialist, ia vlen të hidhet një vështrim në personazhet që gëlonin në të.  Njëri prej tyre ishte Franc Ashiku (1924  1998), sepse qe një artist që kërkoi të qëndronte me hapin e kohës, me një shpirt aktiv e modern.

Lindur[1] dhe edukuar[2] në një familje të shtresës së lartë, i duhej të punonte për një diktaturë plebeje e sqima e tij ndofta jepte e merrte me këtë situatë. Përveç kësaj, jeta me ndeshtrashat e saj qe herë herë tejet e rëndë e tragjike me vuajtjet e problemet që i solli.

Edhe pse i kredhur brenda këtyre problemeve, kufizimeve e shtrëngimeve, te krijimtaria e tij në fushën e pllakatit shohim një dije elegante e rafinim të medituar mbi elementet e stilizuar e të kursyer në një vend që duhej të eksploronte edhe këtë zhanër të ri pa një traditë të mirëfilltë paraprake. Siç përmenda edhe më sipër, mendoj se ai ishte për kapërcimin e zbrazëtive të së kaluarës, por duke iu vënë një kërkimi të edukuar.

Vepra e tij vinte e pasurohej si rezultat i njohjeve e shartimeve të arritjeve perëndimore të kubistëve, futuristëve e abstraksionistëve me arritjet e konstruktivizmit rus (Tatlin, një grafist si El Lisickij, etj.). Të parët i kishte njohur privatisht a ilegalisht e të dytët publikisht a ligjërisht (nëpërmjet revistave sovjetike ICKYCTBO e albumeve të tjera). Këto prurje bashkoheshin me një pasion të përhershëm për artin e tekstilit[3].

Në kërkimet  e tij shfaqeshin preokupimet për inserimin e pllakatit në një kontekst të caktuar urban. Propozon me strukturat piktoriko-dinamike një tip të ri vizualizimi për një lexim të shumëfishtë të veprës e për një vjelje aktive të saj nga ana e spektatorit edhe pse prirja e artit të kohës, pse jo edhe e publikut ishte popullore e jo intelektuale. Në një pllakat si  “Zëri i Popullit” gërsheton nëpërmjet teknikës së collage   ngjyrën e kuqe të sfondit me gazetën që jep formën e draprit dhe pushkës si një citim i të jetuarit të përditshëm. Ndonjëherë, duke përdorur në strukturën formale të pllakatit a pikturës me një pastel mbi guash a vaj, një teknikë të ngjashme  me  “frottage” apo “grattage”  mbërrin në një vepër që e bën ankthshëm prezent në atë jetë që ndofta edhe do të dëshironte të dezertonte.

Ndofta vepra e tij mund ta shihet edhe nën prizmin e një pararoje ruse si suprematizmi rus i Maleviç, pra një përqendrim të vlerave në anën e ndjeshmërisë së kulluar plastike të veprës pavarësisht nga përmbajtja (e cila në rastin tonë, ishte gjithsesi e paracaktuar).

Ky artist dinte se asokohe arti s’mund të jepte në përmbajtjen e idealeve por mund të vlente në rafinimin e shijeve dhe zgjedhjeve estetike të qytetit. Nga ana tjetër, te një pjesë e madhe e pllakateve të tij janë të pranishme larg politizimit, çështje a probleme që kanë të bëjnë me burimet jetike, energjike apo edukuese të njeriut, aktuale edhe sot, pavarësisht nga sistemi shoqëror (pllakatet për ujin, dritën, teatrin, festivalet, ekspozitat, etj).

Falë tij e një grupi të vogël artistësh, niveli i pllakateve, parullave që popullonin sheshet e festivaleve, stadiumet, tarracat e fabrikave, uzinave e pallateve të qytetit të Shkodrës e po ashtu edhe ekspozitat lokale të asaj kohe, nuk ngelën thjesht vetëm në kufijtë e një propagande bajate.  Vepra e tij nuk kaloi pa u vënë re edhe në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare (Berlin 1958).

Në një intervistë të tij, ndër të tjera thotë: ‘Unë bëja pikturë për ditë, duke u pasë marrë me tekstil, duke bërë skenografi festivalesh, ngritë pavijone të ndryshme dhe muze’. Nuk kishte hapur ekspozita personale përveç asaj të vitit 1998 (me ngulmimin e disa artistëve të rinj), vit edhe i vdekjes së tij. Kjo është e dyta…, postum. Përmes hezitimeve, e dyshimeve ndjehet një prirje sikur ka dashur të demistifikojë konceptin e artistit si “yll” duke bërë përpjekje të çojë artin në përditshmërinë e ekzistencës, e duke u orvatur të realizojë temën e njësimit art–jetë.

Ekspozita në fjalë, me disa prej veprave të realizuara në një hark kohor rreth dyzetvjeçar (1957–1997), nuk ka të bëjë me ndonjë fenomen të  kundërshtimit të regjimit diktatorial, kështu që nuk merr përsipër t’i mveshë breroren e artë të disidencës një personazhi artistik se sa të vlerësojë si të çmuar kontributin e këtij personazhi në gjininë e pllakatit, duke e konsideruar një pionier të kësaj fushe.

E bri pllakateve ekspozohen pikturat e tij, kryesisht ato të viteve të fundit, të bëra pa mëtimin e ekspozimit, të një përmase të vogël e intime. Ato përçojnë një ndjesi nostalgjie për qytetin e para diktaturës me motivet e ritmet e veta, me nuse që ngjajnë me flutura mëndafshi apo kërmij që endin e bartin me vete ngado shkojnë pajën e tyre. Ato kanë një stilizim herë dekorativ e herë plot atmosferë që e gjen në ngjyrat e petkave të grave shkodrane e stolisjeve me motive të arkave të nuseve e të krejt mjediseve që banojnë duke evokuar përmes dyerve me hark, luleve e zogjve, situata ëndërrimtare.

Aty gjenden punët “publike” e “private”[4] të autorit si për të pranëvënë dy realitete e dy kohë brenda botës së një artisti.

 

Zef Paci

[1] Rus i bardhë me origjinë nga e ëma.

[2] I shkolluar në kolegjin saverian të jezuitëve.

[3] Punoi deri nga fundi i viteve  ‘60 në ndërmarrjen e tekstilit (Fabrika e Mëndafshit), Shkodër.

[4] Edhe veprat vijnë një pjesë nga koleksioni publik i Galerisë së Arteve Shkodër dhe një pjesë nga koleksioni privat i familjes.