ARDHJE 2008
Pas çdo agimi, bota nuk është ajo që ishte një ditë më parë
14 – 28 nëntor 2008
Prezantuar nga Edi Muka dhe Joa Ljungberg.
Artistët finalistë: BEVIS FUSHA, HELDI PEMA, ELSA MARTINI, LEONARD QYLAFI, ENKELEJD ZONJA, ERA TULA, GENTI GJIKOPULLI
Juria: Selia Prado, Roberto Pinto dhe Gëzim Qëndro.
Më 14 nëntor 2008, gjatë hapjes së edicionit të dytë të çmimit “ARDHJE” për Artin Bashkëkohor, juria ndërkombëtare i dha Leonard Qylafit çmimin fitues të këtij viti, bazuar në arsyetimin e mëposhtëm: “Fotot e tij mund të shfaqin strukturat komplekse të vendeve dhe emocioneve duke përdorur një numër të kufizuar elementësh. Të pasura dhe në të njëjtën kohë shumë të thjeshta, imazhet e Leonard Qylafit janë evokative dhe prekëse. Intimiteti i kujtesës individuale bëhet universale nëpërmjet përdorimit të dritës dhe shikimit të tij kurioz mbi jetën. Çmimi “ARDHJE” 2008 u organizua nga T.I.C.A. dhe u mundësua nga Admiral – Novomatic, në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqërinë Civile, New York, Akademinë e Arteve të Bukura, Galerinë ZETA, Ambasadën Austriake në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës, Ambasada e Suedisë në Tiranë dhe Moving Culture.
Leonard Qylafi, Tipologjia e Fillimit #1, 2008.
Fotografi, c-print në alumin; 45 cm x 30 cm.
Tipologjia e Fillimit # 1, është një vepër fotografike, e vitit 2008, e cila i paraprin serisë fotografike personale me ngjyra, të prodhuara nga Leonard Qylafi dy vite më vonë. Çdo fotografi në këtë seri të kujton të njëjtin eksperiment të shkollës fillore, ku përfshihen kokrrat e fasulave që rriten në pambuk të lagësht, brenda hapesirave te llojeve te ndryshme (kavanoza qelqi të cilat vijnë në modele, forma dhe madhësi të ndryshme). Ndërsa sjell përmes imazheve, një përvojë personale nga fëmijëria e tij, Qylafi i drejtohet njeriut në përgjithësi. Përmes metaforës së marrëdhënies individuale të njerëzve me hapësirën ku ata kanë lindur dhe janë rritur (qoftë familja, shoqëria ose mjedisi i përgjithshëm), ai i kushton personalisht vëmendje shumë të veçantë përvojave personale, dhe ndryshimeve që çdo person përfton në këtë proçes maturimi.