THIRRJE E HAPUR PER APLIKIME | Çmimi ARDHJE 2024

Qendra për Artin Bashkëkohor ZETA ka kënaqësinë të shpallë të hapur Thirrjen për Çmimin ARDHJE 2024 dhe fton artistë të rinj, nën moshën 35 vjeç, të dërgojnë aplikimet e tyre. Qendra ZETA organizon këtë çmim, në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU), institucioni i cili pret artistin fitues si rezident dy-mujor në New York, mbështetur nga fondacioni ‘The Trust for Mutual Understanding’, NY dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Çmimi ARDHJE organizohet si një konkurs i përvitshëm, që ka për qëllim të nxisë krijimtarinë, ekspozimin dhe promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht. ARDHJE është pjesë e rrjetit ‘Young Visual Artist Award’ që nga viti 2007. Ashtu si dhe çmimet simotra në Europën Lindore dhe Juglindore, ARDHJE është një konkurs i hapur, që fton artistët të marin pjesë në një proçes transparent, që ofron jo vetëm mundësi për krijimin dhe prezantimin e veprave të reja në një ekspozitë të përbashkët, por edhe mbështetje në zhvillimin e tyre artistik dhe profesional. Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, vendas dhe ndërkombëtar, do të përzgjedhë katër artistët finalistë. Zgjedhja e artistit fitues bëhet nëpërmjet një shqyrtimi të veprave të propozuara, CV’s, Portfolio’s të secilit kandidat dhe cilësisë së intervistës me anëtaret e jurisë ndërkombëtare.

Afati përfundimtar për të dërguar aplikimin është 20 qershor 2024.

Lista e 4 artistëve të përzgjedhur si finalistë do të publikohet brenda datës 30 qershor 2024. Artistëve finalist do t’u akordohet një shumë prej 150.000AL për realizimin e veprës pjesëmarrëse në ekspozitë. Hapja e ekspozitës me artistët finalistë dhe shpallja e fituesit do të mbahet në muajin tetor 2024.

Kriteret e aplikimit

Thirrja është e hapur për artistë që janë aktivë në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe atë ndërkombëtare prej së paku 3 vjet. Artistët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, duhet të jenë aktiv në skenën artistike në vend, duke ekspozuar në 3 vitet e fundit. Artistë që nuk janë shtetas të Shqipërisë mund të marrin pjesë vetëm nëse kanë një kontribut të posaçëm në zhvillimin e skenës së artit në vend, si dhe karriera e tyre artistike është ngushtësisht e lidhur me Shqipërinë.

Mund të aplikojnë artistë të cilët punojnë në të gjitha gjinitë e artit pamor, që përfshin pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediumet e reja dhe performancë.

Nuk do të pranohen artistë që punojnë kryesisht në artet e aplikuara, dizajn, teatër, vallëzim dhe film artistik.

Aplikanti/ja duhet të ketë mbaruar studimet universitare gjatë fazës së aplikimit dhe rezidencës.

Artistët duhet të aplikojnë drejtpërdrejtë si individ dhe jo si grupe artistike, pasi rezidenca në NY mund të mikpresë vetëm një artist.

Aplikanti/ja duhet të zotërojë anglishten e folur dhe të shkruar.

Proçedura e aplikimit:Aplikimi për Çmimin ARDHJE 2024, bëhet duke dërguar dokumentacionin e kërkuar në adresën: zetagaleri@gmail.com

Aplikimi duhet të përmbajë:

1. Emër, mbiemër, data e lindjes, adresë, nr. telefoni, e-mail.

2. Curriculum Vitae (shqip dhe anglisht) PDF.

3. Portfolio prej jo më shumë se 10 imazhe apo video still të shoqëruara me informacionin përkatës (titulli, viti, teknika, dimensionet dhe ku është shfaqur vepra).

4. Projekt-ide apo vepra të propozuara për pjesëmarrje në ekspozitën e finalistëve (projekti mund të jetë i ri ose i realizuar gjatë dy viteve të fundit).

5. Një tekst në shqip dhe anglisht, prej jo më shumë se 350 fjalë, mbi karakterin e punës dhe praktikës suaj artistike.

Emërtoni dokumentët e ngarkuar me emrin tuaj, si për shembull:Emër_Mbiemër_ Titull_Medium_ Viti

Videot pranohen vetëm si link i një platforme online (vimeo/youtube) të shoqëruar me password-in përkatës, nëse nuk janë publike.

Për më shumë, kontaktoni:zetagaleri@gmail.com

Çmimi ARDHJE 2024 është mbështetur nga:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Trust for Mutual Understanding

Residency UnlimitedYoung Visual Artists Awards