DISPOZICIONALIZMI I NJE OBJEKTI | Theo Napoloni

DISPOZICIONALIZMI I NJE OBJEKTI

( Gadishmëria e sendeve për tu interpretuar )

THEO NAPOLONI

22.02 — 10.03.2024

Vernissage

22.02.2024, 18:00

Teksti nga : ALKETA KURRIZO

Subjektet në pikturat e Napolonit ngenë më shumë pyetje se sa japin përgjigje. Duke u nisur nga përkufizimi që autori ka zgjedhur për titullin e kësaj ekspozite, duhet së pari të merremi me metafiziken e tyre, e më tej “të lundrojmë “ përmes procesit të përzgjedhjes , replikimit dhe teknikës piktorike.

Në metafizikën bashkëkohore, gjithmonë e më shumë filozofë shprehin besnikërinë e tyre ndaj -dispozicionalizmit thelbësor ,- qëndrimit se të paktën disa veti të gjërave janë në thelb dispozicionale. Disa prej tyre shkojnë përtej, duke u pozicionuar më fortë, të bindur se të gjitha vetitë përshtatshmërisht të kualifikuara janë në thelb dispozicionale. Ky pozicion njihet si monizem dispozicional ose teoria rastësore e vetive. Përndryshe, thjesht “dispozicionalizëm”.

1 Metafizika e njeh monizmin si doktrina ku realiteti përbëhet nga një substancë e vetme unifikuese, ku mendorja dhe fizikja janë të pandashme.

2 A është kjo premisa që e shtyn autorin t’i pikturojë këto subjekte në një mënyrë hiperrealiste?

Të realizuara ndërmjet viteve 2016-2023 këto piktura marrin në konsideratë objekte që kanë tërhequr vëmendjen e autorit për shkak të paqartësisë dhe estetikës të tyre absurde.

Parë së jashtëmi , ato kanë humbur faktikisht dimensionet, narrativën dhe funksionalitetin. Riprodhimi i përpiktë i detajeve, tregon si për reflektimin e artistit mbi përmbajtjen ashtu edhe për didaktikën e pikturës së tij.

Sfondet neutrale janë në funksion të subjektit të përzgjedhur, duke shërbyer si mbajtës të denjë të “përmbajtjes pa titull” që artisti i propozon publikut në këto 11 tablo . Ai e ka krijuar këtë “ikonografi” si një medium për të treguar se si objektet mund të tregojnë për veten përtej kanoneve të gjuhës dhe imazhit.

Një referencë nga historia e artit mund të ndihmojë për të lundruar nëpër kuptimin e këtyre objekteve, e famshmja– Kjo nuk është një pipe3, e Magritt-it.

Ashtu si shumë vepra të tjera të tij ajo, nuk u lutet shikuesve të pyesin “Çfarë është kjo?” por përkundrazi, ata e gjejnë veten duke pyetur.

Siç shprehet Michel Foucault – “Për të kuptuar -Kjo nuk është një pipe, njerëzit duhet së pari të kuptojnë veten. Ata duhet të kuptojnë se gjuha dhe realiteti nuk kanë asnjë lidhje organike dhe se emrat e objekteve nuk shfaqen kur i shikoni ato.”

A janë subjektet në pikturat ( 11/9/3) detergjentë dhe sende të higjienës personale,është kjo(7) makineri për numërimin e parave, apo 8-ta një litar?

Këto makineritë e betonit (5) janë si ato që gjëmojnë çdo ditë në rrugët e Tiranës? Është ky (4) kamioni i regjisë lëvizëse të Televizionit Kombëtar apo një makinë lodër për tu koleksionuar?

(1)Karrocë dore apo mbulesa ngjyrë pastel?

(6) Motorr apo tesha shumëngjyrëshe?

(10)A është kjo një foto e vjetër apo një mistri?

Ndoshta asnjëra prej tyre. Ekspozita e Theo Napolonit “The Dispensationalism of an object” është NJË VEND PERFEKT PËR TË NGRITUR PYETJE.