Nuk keni parë asgjë akoma | Ergin Zaloshnja

Nuk keni parë asgjë akoma

Ekspozitë personale nga Ergin Zaloshnja

Kuruar nga Marko Stamenkovic

9 – 28 qershor 2023

NJË KOMB NËN PIKTORIN VETMITAR

(Ose: S’keni parë asgjë akoma në Kopshtin e Kënaqësive Tokësore të Shqipërisë)

Një “botë e kthyer kokëposhtë” është ç’ka spikat në ekspozitën personale të Ergin Zaloshnjës, e cila u hap në qershor 2023 në Qendrën e Artit Bashkëkohor ZETA në Tiranë. Ekspozita sillet rreth mediumit kundërpropagandë të artistit, i quajtur SPUTNIK, dhe projektit të tij të hershëm publik me po këtë emër, që nisi në vitin 2013 në formën e një botimi periodik – një revistë imagjinare (ose, më saktë, një fanzinë) – që sivjet mbush saktësisht dhjetë vite. Me shpërndarjen rrugëve të Tiranës, çdo botim është krijuar dhe vazhdon të krijohet për hir të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për “çështjet e errëta të rëndësishme”, por që shpesh lihen në hije nga retorika dominuese rozë, e riprodhuar nga “fuqitë e errëta të rëndësishme” (përfshirë pushtetin vendor dhe mediat publike), dhe parashikimet e tyre shkëlqimtare për një “të ardhme më të mirë” për ndjekësit e vet, mes realitetit të zymtë të përditshëm të Shqipërisë së fillimshekullit të 21-të.

Përmes katalogimit dhe inkapsulimit të disa prej çështjeve më të mprehta për interesin publik gjatë periudhës dhjetëvjeçare (2013-2023) në atë që mund të duket si konfrontim ikonografik cinik – por gjithsesi i përmbledhur në mënyrë inteligjente – i padrejtësisë politike dhe ekonomike (arkivuar kësisoj nga një këndvështrim shumë subjektiv) dhe kundërargumenteve të veta për urgjencën etike, projekti paraqet një botë me ngarkesë të lartë mediatike “të kthyer përmbys”, që nga këndvështrimi vizual është thuajse i rrënjosur në gjurmët konceptuale të triptikut të fundshekullit të 15-të dhe fillimshekullit të 16-të, Kopshti i Kënaqësive Tokësore. Zaloshnja i përcjell nga një distancë e madhe historike vizionet e Hieronymus Bosch-it, të cilat nuk janë as të ndritura dhe as optimiste, por sidoqoftë ato ndërthurin elemente ikonike dekadente të jetës bashkëkohore përmes toneve sarkastike që nxit “humori i zi” me të cilin të dy artistët synojnë të njëjtin objektiv: të trajtojnë në mënyrë kritike ideologjinë vizuale mbizotëruese të epokës të tyre dhe për të ripikturuar nën sipërfaqe imazhin e saj vetëpërmbushës “profetik” dhe utopik me narrativa distopike. Gjithsesi, frymëzimin Zaloshnja nuk e kërkoi te kryeveprat e Rilindjes së Evropës veriore, paçka se një lloj i caktuar i “Rilindjes” (dhe spërdredhja e azhornuar, që të kujton partinë aktuale në pushtet, mbiquajtur “Rilindja”) përbën në fakt prapaskenën kryesore të praktikës së tij në përgjithësi dhe të këtij projekti në veçanti.

Me jo më shumë përmbajtje sesa një faqe e vetme (poster), SPUTNIK-u i Zaloshnjës e huazon emrin nga fjalori i Luftës së Ftohtë të shekullit të 20-të: fjalë rusisht, që do të thotë bashkëudhëtar. Në këtë rast i referohet pikësëpari satelitit të parë të lëshuar në orbitë në vitin 1957 nga Bashkimi Sovjetik. Megjithë përmasën e vogël, përmes survejimit nga lart sateliti u bë paraardhësi i një gare teknologjike gjithnjë e më me ndikim në konkurrencën e fuqive globale për kontrollin e Tokës. Madje vetëm 70 vjet më parë sfidoi status quo-në e përparësisë dhe dominimit të Shteteve të Bashkuara në çështjet gjeopolitike. Sfida globale e kësaj ngjarjeje të pashoqe në historinë politike dhe mediatike, e që vazhdon ta trondisë dhe riformësojë botën qysh atëherë, shërben si një ombrellë konceptuale dhe pikënisje për projektin e gjatë dhjetëvjeçar të Zaloshnjës: zbërthimi vizual nga ana e tij i një trupi kolektiv, që nuk është vetëm i kalbur nga padrejtësitë sociale, politike dhe ekonomike, por tani rishfaqet sërish në skenën qendrore të vëmendjes sonë publike (për artin).

Me përjashtim të disa numrave (nr. 1, nr. 7, nr. 8 dhe nr. 20, për shembull), në tërësi SPUTNIK-u ka një parim standard vizual në dizenjimin e serive të veta. Çdo botim është konceptuar mbi një sipërfaqe të ndarë në tre pjesë kryesore horizontale. Pjesa e sipërme, e cila ndërthur në një entitet koherent elemente tekstuale, numerike dhe grafike, përfaqëson spirancën vizuale të konceptimit të përgjithshëm të projektit, por edhe të secilit botim veçmas. Kjo është e vetmja pjesë e imazhit që është pak e ndryshme nga numri në numër, si në ngjyrë ashtu edhe në simbole. Çdo numër në këtë pjesë ka titullin e vetë projektit (SPUTNIK). Titulli është i pozicionuar në qendër, ndërmjet numrit aktual të botimit në të djathtë, ndërsa në të majtë gjendet logoja e dallueshme e bardhë. Logoja ka formën e një rrethi të bardhë që ngjan me një sy të hapur, me një tjetër rreth të zi më të vogël brenda, që ka tre shtiza të vogla të zeza që dalin nga sipërfaqja e tij. Përveç lidhjes diskrete të rrethit më të vogël me retinën e syrit “të Zotit”, që është gjithnjë vigjilent atje lart, ky element i zi përfaqëson edhe ikonën e vogël të një sateliti. Kështu, kjo krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis pjesëve tekstuale dhe vizuale të pjesës së sipërme: titullit, nga njëra anë, dhe Sputnikut – satelitit, nga ana tjetër. Shkëputja e satelitit nga Toka tregohet nga një vijë e vetme e zezë në anën e poshtme të majtë të rrethit të bardhë, ndërsa sfondi i mundshëm ideologjik i lëshuesit të tij (BRSS komuniste) mund të dallohet te ngjyra e kuqe e një forme si hënë, që shfaqet pas pjesës së sipërme të “syrit” të bardhë. Në këtë pranëvënie lozonjare dhe në dukje të padëmshme të elementeve të kuq dhe të bardhë mbi sfondin e zi, mund të ndihet dinamika gjeometrike abstrakte e gjetjeve shembullore të dizajnit te posterat e El Lissitzki-it (si litografia e tij me ngjyra Beat the Whites with the Red Wedge, 1919) – për të cilën ai thoshte se sugjeronte përkushtimin e tij ndaj Suprematizmit në ndërtimin e një shoqërie të re përmes parimeve të tij të njohura te “Proun” (“Projekti për Afirmimin e Artit të Ri”) aty afër dhe pas revolucionit bolshevik të 1917-ës. Ky lloj i idiomës grafike përshtatet në mënyrë të përkryer me fjalorin vizual të Zaloshnjës, si estetikisht ashtu edhe ideologjikisht, dhe i lejon SPUTNIK-ut privilegjin për t’u bërë homazh, sado me maturi, vizionarëve të fillimshekullit të 20-të të avangardës historike brenda dhe përtej Evropës.

Nën titullin, çdo botim tregon kohën, me muajin dhe vitin e saktë të krijimit (për shembull, prill 2014,). Data ka ngjyrë të ndryshme, në varësi të secilit botim, që i përshtatet tonalitetit të përgjithshëm të pranishëm tjetërkund në sipërfaqen e imazhit në pjesët më poshtë (qendrore dhe të poshtme). Madje informacioni tekstual shtesë shfaqet në pjesën e sipërme, i shtrirë në të gjithë vijën horizontale përmes fjalëve që tregojnë mediumin e projektit dhe funksionet e tij kryesore: fanzinë periodike kritike politike artistike.

Çfarë u shfaqet realisht vizitorëve të ekspozitës së Zaloshnjës – dhe në veçanti shikuesve të imazheve të tij në SPUTNIK? Në një pasqyrim të përçudnuar me arna digjitale apo kolazhe figurash, gjestesh, situatash, ngjarjesh, mesazhesh dhe “të vërtetash” mediatike, të gjitha në kontekstin e viteve të trazuara që pasuan rivendosjen pas socializmit të të ashtuquajturës  demokraci në Shqipëri, e cila qe në shëmbëlltyrën e krijuesve të vetëshpallur të “vetë demokracisë”, siç u përjetua kjo në botën “demokratike” dhe në botët “e vetme vërtet demokratike” që kanë ekzistuar ndonjëherë – vizitorëve para së gjithash u shfaqet e ashtuquajtura botë perëndimore (çfarëdo nënkuptoftë tashmë ky term i vetëmjaftueshëm dhe i leqendisur…).

Përmes kësaj ikonografie të pushtetit (dhe skutave të tij të errëta), të sjella tok dhe të riimagjinuara gjatë dhjetë viteve të fundit, mes viteve 2013 dhe 2023, SPUTNIK-u rrëfen periudhën që korrespondon drejtpërdrejt me epokën e konsolidimit dhe ardhjes në pushtet të partisë që drejton vendin. Në fakt, emërimi i aktorit kryesor të partisë (të cilit, përveç aftësive të tjera mbinatyrore, i ka rënë të jetë edhe profesor pikture në profesion) si kryeministër i vendit i shërbeu Zaloshnjës si pikë fillestare referimi, ku të ngjizte ditarin e vet publik-privat vizual. Kjo kronikë e një lloji të veçantë është paraqitur deri më tani në një seri prej 20 numrash, secili prej tyre i përqendruar te një ngjarje e caktuar në zinxhirin e ngjarjeve mediatike të përzgjedhura nga vetë Zaloshnja, që lidhen me çka ai (mes shumë zërave të tjerë disidentë në vend) percepton si një gjemb në trupin shoqëror të Shqipërisë bashkëkohore dhe që meriton protestë publike dhe kundërshtim etik.

Për shembull, ndërtimi i bindjes kolektive me anëtarë të rinj të klasës punëtore (të paidentitet, uniform) me pretendimin e shtimit të mundësive për punësim për brezat e rinj, si call center-at e mbira në Shqipëri që nga viti 2013, shërbeu si sfond konceptual për numrin e parë të SPUTNIK-ut: Zaloshnja vë në qendër të vëmendjes fytyrën e një protagonisti të vetëm mes masës, pasi kushdo që devijon nga trupi kolektiv meriton të jetë nën radarin e qeverisë dhe përfundimisht të përjashtohet ose eliminohet nga skena, ose mundësisht të kooptohet (kryesisht me anë të korrupsionit). Figura e një disidenti u zgjodh që në fillim si qendrorja në rrëfimin e projektit të Zaloshnjës. Ajo nuk funksionon vetëm si autoportret simbolik (brenda misionit që artisti ka marrë përsipër kohë më parë), që e dallon qartësisht një individ nga shoqëria gjithnjë e më monolitike, e cila përkundet përgjumshëm mes premtimeve të qeverisë për një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme: përkundrazi, ajo ekspozon logjikën (apo kundër-logjikën) me të cilën Zaloshnja vendos themelin e praktikës dhe në përgjithësi të stilit të tij të jetesës, si dhe hap rrugën për të gjitha botimet e ardhshme të SPUTNIK-ut.

Kjo është padyshim evidente në numrin e dytë, ku ai trajton diktaturën e kudogjendur të pozitivizmit, duke e ndarë imazhin e kopertinës në dy pjesë. Pjesa e sipërme është imazhi alegorik i prosperitetit të premtuar kombëtar, me dy figura (burrë dhe grua) me “syzet e realitetit virtual” dhe të pajisur mirë me mjetet më të fundit teknologjike (kompjuterë portativë të markës, në këtë rast). Ata paraqiten pothuajse duke rënë nga sipërfaqja ku janë ngjitur drejt hapësirës së shikuesit, dhe kanë në sfond dy kullat ikonike të epokës dhe ndërtesat për nouveau-riches në qendër të Tiranës (dy zepelinë fluturojnë sipër, me fjalët “skllevër” dhe “gjunjëzohu”, që të kujtojnë posterat e filmave kult të shekullit të 20-të, si King Kong). Apeli kinematografik, virtual apo surreal nuk është i rastësishëm këtu. Këto mostra të arritjeve më të fundit arkitekturore vazhdojnë të shoqërohen me fushatën e qeverisë për rindërtimin urban për hir të modernizimit të kryeqytetit dhe afrimit të tij me “pjesën tjetër të botës”. Ndërsa pjesa e poshtme përmban mostra të një lloji tjetër dhe shumë të ndryshme në natyrë në krahasim me pjesën e sipërme, më afër realitetit të zymtë të jetës së përditshme të përfaqësuar nga njerëzit e pastrehë të qytetit, shitës ambulantë të varfër dhe qen endacakë. Çka i shton hidhësi këtyre realiteteve të përkundërta është pjesa tekstuale në fund të kompozimit: ajo shpërthen me retorikën normative të ditës (“Konsumo”, “Paguaj taksat”, “Shiko TV”, “Mos e dëgjo të vërtetën”, etj.), që përbën një pjesë të retorikës normative të pozitivizmit neoliberal dhe e ankoron gjendjen shpirtërore të publikut të gjerë te gjendja brutale e një diktature të butë që ka për themel tri zgjedhje: bindje, emigracion ose vdekje sociale, në mos vdekje në kuptimin e plotë të fjalës.

Megjithëse është trajtuar nga poshtë sipër dhe është arkivuar në nivelin zero të lokalitetit evropian, të cilit i përket dhe me të cilin identifikohet Zaloshnja qytetar, Zaloshja artist dhe Zaloshnja aktivist (që “të tre këta”, banorë të Tiranës dhe me pasaportë shqiptare), realiteti lokal këtu vrojtohet me një perspektivë shumë më të gjerë, përmes kryqëzimeve me dhe varësive nga logjika dhe qarqet e kapitalizmit global dhe eksponentëve të tij kryesorë: moria e organizatave që “kanë në dorë fatin e globit” (si Klubi i Romës, Komisioni Tripalësh, Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtme, Forumi Ekonomik Botëror, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetit, NATO, Bashkimi Evropian, Organizata Botërore e Tregtisë dhe UNICEF). Logot e secilës hijeshojnë një mori flamujsh të kuq paralajmërues, që Zaloshnja i ka krijuar me këtë rast në formën e një videoje pa zë që shoqëron SPUTNIK-un e tij, për të tërhequr vëmendjen te lidhja shkakësore mes trurit të lavdishëm të kapitalit global gjithandej në botë dhe gjurmëve, apo jashtëqitje të pjesëve të tjera akoma më “të lavdishme” të këtij trupi në vendin e autorit – grykave të Ballkanit.

Marko Stamenkovic