(Ri) lidhje me sferën publike

(RI) LIDHJE ME SFERËN PUBLIKE

një ekspozitë grupi që shqyrton “hapësirën publike” nga këndvështrimi i pesë pozicioneve artistike bashkëkohore nga Austria: Iris ANDRASCHEK & Hubert LOBNIG, GELITIN, Werner REITERER, Anna MEYER dhe Franz KAPFER

 

Hapja: E premte, 11 Maj 2018 – 19:00

Periudha e Ekspozimit: 11 – 30 Maj, 2018

Propozuar nga: Iris Andraschek & Hubert Lobnig

 

Ideja e Hubert Lobnig për një ekspozitë me temën e hapësirës publike bazohet në vëzhgimin e ndryshimit rrënjësor që ka pësuar marrëdhënia e shoqërisë shqiptare ndaj hapësirës publike të kryeqytetit, që nga viti 1992, kur Lobnig vizitoi Tiranën për herë të parë dhe bëri një seri fotografish. Këto fotografi shërbejnë tani, si një hyrje historike për eventin te ZETA, duke krijuar një urë me kuptimin aktual të hapësirës publike të Tiranës. Ndërkohë, Lobnig ka realizuar projekte të shumta të përkohshme dhe të përhershme, si dhe vepra-site-specifik, në bashkëpunim me Iris Andraschek: një prej tyre – instalimi Where Do The Borders Go, një shkelje e përshkallëzuar e kufirit në vendin e vet, duke vënë në pikëpyetje politikat kombëtare të demarkacionit administrativ shtetëror – tani paraqitet si një vepër arti mëvete në formën e një vizatimi dhe dokumentacioni fotografik.

Ekspozita vazhdon me punën e Anna Meyer, që merret me ngjarje që nuk lidhen me artin (siç janë protestat e prekshme të popullatës civile në Heldenplatz në Vjenë) që tani janë përpunuar përmes mediumit të pikturës dhe performancës së saj (faceburka), duke reflektuar për rolin e rrjeteve virtuale sociale në raport me aksionin në sferën publike. Largimi nga hapësira e galerisë në Tiranë me një flamur në duart e saj do të jetë një tjetër gjest i guximshëm me të cilin Meyer synon të tregojë rolin e artistëve si aktivistë në ditët e sotme.

Duke marrë një element të rëndësishëm të fizionomisë njerëzore – hundën – që shpesh i atribuohet disa popullsive si një element dallues i identifikimit etnik ose racor, grupi i artistëve Gelitin ngriti një monument në hapësirën rurale, në Austri, në vitin 2014, për të luajtur , me ironi si zakonisht, me shoqërinë e një gjiganti, të varrosur në tokë, me hundën e tij të rraskapitur në sipërfaqe. Pjesëmarrja e tyre në Tiranë përfshin një vizatim nga ky projekt, që përshkruan ndërveprimin e njerëzve me monumentin dhe gjithashtu fotografi që dokumentojnë procesin e mëparshëm të krijimit dhe rezultatin e tij në vend.

Vizatimet e Werner Reiterer, shfaqin disa parime vepruese të cilat ju paraprijnë veprave të tija të realizuara në hapësirën publike, që shpesh i vënë në dyshim këto parime në një mënyrë groteske të ekzagjeruar. Ato u japin shprehje vizuale koncepteve të tij krejt spontane të artit dhe botës reale, të cilat e lejojnë atë të lidhet drejtpërdrejt me vende dhe situata specifike, duke funksionuar si kornizë komike për ekzekutimin e projekteve të tij në hapësirat publike: si ide që nuk mund të kryhen, si fantazi të pastra, apo trillime. Projekti i tij në Tiranë zhvillohet në linjën e ngjashme, duke u rrotulluar rreth stickers si një medium fleksibël dhe lehtësisht i shpërndarëshëm nëpër pikat urbane të përzgjedhura, që kanë domethënie personale apo kolektive.

Elementët, si flamuj, emblema, monumente, figura shenjtorësh katolikë, luajnë një rol të rëndësishëm në instalimet urbane të Franz Kapferit. Ai i përdor ato për të luajtur me perspektivën e njerëzve për gjërat e zakonshme, të përditshme, të cilat zakonisht merren si të mirëqena dhe të padiskutueshme. Në mënyrën e tij të përshtatjes së këtyre elementëve në punën e tij, Kapfer tenton të sfidojë dhe të rivendosë vëmendjen e shikuesve, duke i lënë ata të dalin nga zonat e tyre të rehatisë, në mënyrë që të perceptojnë mjedisin e tyre ndryshe dhe nga më shumë pikëpamje kritike. Kulti i vazhdueshëm i heronjve kombëtarë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, ishte fokusi kryesor i punës së Kapfer, gjatë qëndrimit të tij në 2009, në Tiranë, duke rezultuar me instalimin e punës në hapësirën publike. Dokumentacioni i këtij projekti, sëbashku me vendosjen fotografike si një object – installation, e rrumbullakosin ekspozitën aktuale në ZETA.

 

WERNER REITERER

*1964 në Graz; jeton dhe punon në Vienë; studioi artin grafik në Akademinë e Arteve të Bukura Vjenë.

ANNA MEYER

*1964 në Schaffhausen, Zvicër; jeton dhe punon në Vienë; diplomuar në Shkollat e Artit dhe Dizajnit në Cyrih dhe në Luzern.

FRANZ KAPFER

* 1971 në Fürstenfeld; jeton dhe punon në Vienë; studiuar për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura Vjenë.

IRIS ANDRASCHEK

* 1963 në Horn; jeton dhe punon në Vjenë – Austri; studioi në Akademinë e Arteve të Bukura Vjenë, në Shkollën Fresco, në Bolzano dhe në scuola arti ornamentali në Romë.

HUBERT LOBNIG

* 1962 në Völkermarkt; jeton dhe punon në Vjenë – Austri; studioi në Universitetin e Arteve të Aplikuara Vjenë.

GELITIN

grup artistik me katër anëtarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Vienë; kanë ekspozita të përbashkëta ndërkombëtare që nga viti 1993.

 

Ekspozita mbështetet nga:

Ambasada e Austrisë në Tiranë

Raiffeisen Bank Shqipëria