Blerina Muҫa | DIÇKA NUK SHKON

Blerina Muҫa

DIÇKA NUK SHKON

Ekspozitë personale

Kuruar nga Marko Stamenkoviç

19/12/2022 – 30/01/2023

Hapja: e hënë, 19 dhjetor, ora 18:00

@ ZETA – Qendra për Artin Bashkëkohor – Tiranë

Si mundet që sjellja e pazakontë njerëzore në situata gjoja beninje ose të parëndësishme të shkatërrojë normat shoqërore dhe të kontribuojë në një ndjenjë më të thellë të lirisë personale – për ata që vetëm mund të duken se veprojnë çuditërisht, por më tepër për ata që janë në gjendje të dallojnë  prishjen e këtyre normave, gjatë vëzhgimit të ngjarjes?  Me rastin e ekspozitës së saj të parë vetjake, Blerina Muҫa prezanton një seri punësh që vërtiten rreth këtyre pyetjeve.  

Krijuar midis 2015 dhe 2022, ajo përfshin një përzgjedhje të pikturave të saj nga tre cikle të lidhura: “Playground”, “Roi Somewhere Home” dhe “Isolation”. Ato përfshijnë dy akrilike me përmasa të mëdha në pëlhurë, por gjithashtu një numër akrilikësh të përmasave të vogla në telajo, pëlhurë, dru dhe qeramikë. Karakteristika vizuale më e zakonshme që ato të gjithë ndajnë janë skenat figurative autobiografike që përbëhen nga përfaqësime individuale ose grupore të fëmijëve dhe të rriturve, meshkuj dhe femra, të cilët janë kryesisht anëtarë të familjes së Muҫas. Të gjithë ata janë të bashkuar nga një linjë e hollë që thurin një rrjet kuptimi përmes episodeve vizuale të jetës së përditshme të Muҫas – të perceptuara nga një këndvështrim i përqendruar në veprimet ‘të çuditshme’ të dikujt që vetëm mund të duken të pakuptimta, por gjithashtu mund të rezultojnë të jenë diçka më shumë dhe diçka serioze. Shumica e pikturave të Muҫas janë të privuar nga çdo sfond i qartë në të cilin ajo vendos figurat e saj – dhe ka një arsye të mirë për këtë: në vend që të fokusohet në nocionin e hapësirës, ajo shqyrton thelbin e një momenti të dykuptimtë perceptimi që ngjall vëmendjen e saj, më së shumti, nga tërheqja  dhe habia para një skene dhe përsëritja e saj me kalimin e kohës – diçka që ajo e përjeton si një ngërç në trupin e saj që i lejon asaj të kapë thelbin e bukurisë dhe tmerrit në secilin prej atyre fragmenteve të kohës. Duke i sjellë ato në publik, për herë të parë së bashku, ajo zbulon situatat e shqyruara nga afër – nga mjedisi i saj personal dhe brenda rretheve të ngushta familjare – si fragmente vizuale që bien ndesh me rregullat fikse të sjelljes racionale ose normative. Megjithatë, edhe pse atmosfera dhe referencat në universin e saj vizual janë shumë autobiografike, në të njëjtën kohë figurat e saj mbeten dukshëm të tjetërsuara dhe të depersonalizuara. Mungesa e tipareve të tyre, ose shprehjet e fytyrës që vështirë se njihen, dhe shpesh gjestet dhe pozicionet trupore me pamje absurde, tregojnë diçka domethënëse: në vend që të jenë portrete në kuptimin e duhur të termit, Muҫa shpesh e shndërron ekspozimin e figurave të saj në një lloj kundërportreti. Ky kundërportret është një tjetër përgjigje lozonjare – këtë herë, në emër të vetë artistes – ndaj ‘lojërave të çuditshme’ të bëra nga familjarët e saj.

Por perceptimi kritik i Muҫas nuk e shteron veten në reflektimet private mbi ndjenjat kontradiktore personale kur përballet me episode vizualisht befasuese te familjarëve, të bashkëshortit të saj, djalit, vajzës, motrës e kështu me radhë. Përkundrazi, ajo jep një pasqyrë personale shembullore në një model sjelljeje sipas të cilit i gjithë komuniteti i njerëzve – një shoqëri në përgjithësi – funksionon dhe vepron në ditët e sotme në hapësira private dhe publike, veçanërisht në një “jetë paralele” absurde dhe surreale të botës së mediave sociale digjitale. Kjo është ajo ku ‘të vepruarit në mënyrë të çuditshme’ merret aq shumë si e mirëqenë dhe e ngritur në shkallën e një norme sociale globale, ku sa më shpesh dhe në mënyrë ekstravagante të ekspozoheni në kanalet e internetit, aq më shumë mund të bëheni një yll virtual i popit (ose madje një idhull i dyshimtë imitimi). Ndryshe nga kjo, vështrimi i Muҫas në versionin e saj të një ‘jete paralele familjare’ zbulon manifestimet e heshtura të kundërshtimeve të qëllimshme individuale ndaj zakoneve të vendosura ndërpersonale dhe normave shoqërore dhe na fton t’i bashkohemi asaj në një udhëtim vizual eksperimental drejt një ndryshimi të paradigmës personale, të dyja, e saj dhe e jona, në një drejtim që bën të mundur, mbase, arritjen e një gjendjeje tjetër të qenies – gjendjen përtej kufijve lehtësisht të pranueshëm mes ‘të zezës dhe të bardhës’, midis ‘të drejtës dhe të gabuarës’.

BLERINA MUҪA është një artiste pamore e lindur në vitin 1985 në Fier, Shqipëri. Ajo ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë ku është diplomuar në vitin 2008. Jeton dhe punon në Tiranë si pedagoge arti në Shkollën Franko-Shqiptare “Victor Hugo”. Përpara shfaqjes së saj solo në Qendrën e Artit Bashkëkohor ZETA (2022), ajo ka marrë pjesë në ekspozita grupore si: “Çmimi ARDHJE për Artistin e Ri Vizual të Shqipërisë”, Qendra e Artit Bashkëkohor ZETA, Tiranë (2018); “Çmimi Idromeno 2017”, Galeria e Arteve, Shkodër (2017); “… në një ditë si çdo tjetër”, Qendra e Artit Bashkëkohor ZETA, Tiranë (2015); dhe “Piktura e jetës moderne: Çmimi XVIII Onufri”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2011).