Idlir Koka | SHFAQJET

SHFAQJET

Idlir Koka

15 – 28 Nëntor 2018

Hapja e ekspozitës: E enjte, 15 Nëntor, 19:00

 

Në galerinë Zeta do të hapet ekspozita vetjake e piktorit Idlir Koka (1979) e titulluar ‘Appearances/Shfaqjet’. Ekspozita do të përmbajë punë nga ciklet e fundit të autorit, të realizuara gjatë periudhës 2016-2018. Në këto cikle Koka trajton në punën e tij aspekte të zbavitjes dhe konsumit të shfaqjes duke vënë në qendër të tablove spektatorin dhe publikun që popullon sallat e shfaqjeve. Nëpërmjet një stili ekspresionist të mbushur me referenca nga historia e artit (pikturës) Koka përpiqet të deshifrojë nëpërmjet imazheve natyrën e spektaklit dhe hegjemoninë e tij mbi kulturën në ditët tona. Të gjitha tablotë e këtyre cikleve përshkruajnë ambjente skenash dhe lozhash teatrale dhe detaje të aktivitetit njerëzor brenda tyre. Natyra e shfaqjes megjithë subjektivitetin e sugjeruar prej stilit ekspresionist, mund të lexohet si ajo e reality show-t. Koka krijon në tablotë e tij një tension të brendshëm mes leximit figurativ tregimtar dhe simboleve moderniste të tretura brenda tregimit të tij. Duke e vendosur fokusin e tablove brenda skenave teatrale ai mundëson interpretimin e realitetit si shfaqje dhe anasjelltas; zbulon perceptimin e shfaqjes si të vetmin realitet ‘zyrtar’ në epokën e shoqërisë së spektaklit.

Alban Hajdinaj