Çmimi ARDHJE 2018 – Ekspozita e Finalistëve

Çmimi ARDHJE 2018 – Ekspozita e Finalistëve

Fatlum DOÇI, Blerina MUÇA, Remijon PRONJA, Sokol PEÇI

Kuruar nga: Alban HAJDINAJ

1 – 20 qershor, 2018

Hapja: e premte, 1 qershor, 2018 – 7 pm

Zeta Gallery – Tiranë

About the works

Blerina Muҫa sjell në Çmimin Ardhje 2018 një seri pikturash në akrilik dhe akuarel. Piktorja është e frymëzuar më së shumti prej të birit dhe pikturon në vazhdimësi imazhin e tij, përveҫ personazheve të tjerë më dytësorë, në tablotë e saj. Gjithësesi nuk kemi të bëjmë me një obsesion prej prindi ndaj imazhit të fëmijës por me një vëzhgim të kujdesshëm ndaj të papriturës që sjell loja dhe zbavitja fëminore, në rrafshin vizual. Një moment interesant, për Muҫën është ai kur, i biri, teksa luan, mbulon fytyrën apo pjesë të saj me shirita ngjitësi.  Kështu artistja kthen në tablo, herë-herë edhe të mëdha, portrete të pikturuara shpejt e në sfonde boshe. Ngjyrat e saj janë të kursyera dhe ajo që bie më shumë në sy është e kuqja e shiritit ngjitës e cila bëhet ‘aktori’ kryesor i tablove. Në pikturat e Muҫës përballemi me dilemën që na ngarkojnë imazhet e tyre. Personazhet janë të ngrirë në një moment, ndoshta paraprakisht të kapur prej kamerës fotografike, që na sugjeron njëherësh disa alternativa mendimi mbi atë që shohim.  Të fokusuar kryesisht në portrete, tablotë e mëdha apo akuarelet e vogla mbërthejnë momente të lojës fëminore por pikërisht aty, ka diҫka edhe dramatike, tek mbulimi i pjesëve të fytyrës me izolues apo ngjitës në ngjyrë të kuqe. Duke mbyllur apo izoluar herë sytë, herë gojën apo gjithë fytyrën, portretet e Muҫës marrin një tension dhe përҫojne një lloj shqetësimi. Natyrisht që është e pashmangshme të mos mendojmë për shqetësimin prindëror dhe ndikimin e tij në punën e saj por njëkohësisht me këtë vendosemi përballë një ‘kapjeje’ të këtyre momenteve që na paraqiten si një gjuhë shenjash në të cilën përfshihemi dhe përpiqemi ta deshifrojmë. Gjithësesi ajo që marrim prej tyre mbetet e papërcaktuar dhe fluide. Pikturat e Muҫës nuk përpiqen të tregojnë dicka, por thjesht të na ngarkojnë me shqetësim dhe të përҫojnë tek ne pikëpyetje të cilave nuk i japim dot përgjigje.

Fatlum Doҫi konkurron në Çmimin Ardhje 2018 me një instalacion. Ai ka përdorur kunguj dhe degë shelgjesh për të krijuar një lloj skulpture që e ushqen hapësirën ekspozuese me sugjerime vëllimore e materiale të marra nga natyra dhe vegjetacioni.  Doҫi e sheh bimësinë si një element që ndodhet shumë pranë tij pasi familja e tij merret prej kohësh me kultivimin e bimëve. Për Doҫin natyra është një bazë materiale për tu përdorur por natyrisht në kah të kundërt me shfrytëzimin e saj për nevoja të konsumit. Brenda kungujve ai ka vendosur ndriҫues elektrikë, kabllot e të cilëve fshihen brenda degëve të shelgjeve që i përcjellin ato deri tek burimi ushqyes .(prizat në muret e hapësirës) Objektet e ekspozuar janë hibride konfonduese mes teknologjisë industriale dhe prodhimit të gjallë natyral. Konkluzioni ku vepra mbërrin mund të jetë pikërisht, ky shartim i pashmangshëm që realiteti i sotëm dhe stadi ynë i zhvillimit na ofron por edhe përplasja mes të dyjave. Prej brendisë së kungujve vjen në sipërfaqe një dritë që mund të na shtyjë ti konsiderojmë  ata edhe si objekte dekorativë por më së shumti ajo rreket të na kujtojë se burimi i energjisë është pikërisht natyra dhe burimet e saj të shterueshme. Doҫi njëkohësisht përpiqet të eksplorojë kufijtë e objektit të ekspozuar dhe natyrës së tij materiale. Kungujt shpërndahen nëpër hapësirë, sa në dysheme e sa në mure, të ndjekur prej degëve të shelgjeve që përveҫ mbulimit të kabllove luajnë po aq, një rol parësor si objekte skulptorike. Shprishja e kufijve mes objekteve natyralë dhe teknologjikë dhe forcave materiale e teknologjike që veprojnë mbi to është terreni ku artisti mbështet kërkimin e tij.

Remijon Pronja konkurron në Çmimin Ardhje 2018 me videon ‘An die freude, Nushid AlFarah’ e cila është realizuar në vitin 2016. Video është filmuar në një klasë të Medresesë së Tiranës, ku vajzat, gjatë orës së muzikës këndojnë himnin e Bashkimit Evropian në gjuhën arabe, të drejtuara nga mësuesi i muzikës.  Artisti ka hyrë në komunikim me drejtuesit e shkollës dhe u ka kërkuar atyre mundësinë e realizimit të videos së tij duke u mbështetur në përvojën dhe kujtimet e tij të shkollës fillore kur himni i Bashkimit Evropian u bë pjesë zyrtare e programit mësimor në lëndën e muzikës. Në atë kohë (mesi i viteve nëntëdhjetë) himni u përkthye dhe u përshtat në shqip për nxënësit e shkollave fillore. Pronja, me anë të videos, përpiqet të hetojë mbivendosjet dhe ndikimet politike në lëmin e kulturës. Si një shkollë shqiptare, Medreseja e Tiranës ndjek dhe respekton programin zyrtar të institucioneve arsimore, ndërkohë që si një shkollë fetare e zhvilluar në gjuhën arabe ajo është e detyruar ti përshtasë lëndët e saj në këtë gjuhë. Ky kompromis është shkaku i kontradiktës (në pamje të parë) kulturore që video merr përsipër të paraqesë. Pronja është i ndërgjegjshëm për provokimin që evokon kur merr përsipër ta sjellë himnin evropian (Simfoninë e Nëntë të Bethovenit me vargje të Shilerit) të kënduar arabisht, një gjuhë e stereotipizuar si armike kulturore e perëndimit, por artisti është më tepër i interesuar të gjejë dhe zbulojë format e përshtatjes dhe rreshtimit politik dhe ideologjik që vendi ndjek për tu  bërë pjesë e bashkësive më të mëdha. Në rastin konkret, Shqipëria luhatet mes rreshtimit fetar, si një vend me shumicë myslimane, dhe atij politiko-ekonomik evropian, të kushtëzuar nga vendndodhja gjeografike. Padashur dhe për nje moment, nxënëset e kësaj shkolle bëhen protagoniste të përplasjes së këtyre ideologjive me njëra tjetrën dhe kjo ndodh pikërisht në orën e tyre të mësimit.

Sokol Peҫi konkurron në Çmimin Ardhje 2018, me një imazh fotografik të printuar. Imazhi fotografik i titulluar ‘Motherland (A mirror to spit)’ (Mëmëdheu, një pasqyrë për të pështyrë) paraqet hartën e Shqipërisë të konfiguruar prej salivas njerëzore mbi një masë dheu të ngjeshur. Ky imazh është prodhuar prej artistit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Peҫi synon të ndërtojë një marrdhënie personale me vendin e tij përtej klisheve të njohura patriotike. Kjo mardhënie shtjellohet nëpërmjet pështymës, një lënde organike që vjen prej brenda trupit dhe që historikisht është përdorur prej artistëve postmodernë që prej mesit të shekullit të kaluar e këtej (bashkë me lëndë të tjera të prodhuara prej trupit njerëzor) si element që shpreh organiken, të brendshmen, thelbësoren  dhe ‘të paprezantueshmen’. Nga ana tjetër, në një kontekst më të ngushtë dhe lokal, pështyrja si akt, mbart një kuptim ofensiv dhe refuzues. Kjo dikotomi përcakton natyrën e ‘deklaratës’ së Peҫit. Ajo e bën atdheun një subjekt për tu urryer por njëkohësisht edhe një produkt organik tonin, të cilin e krijojmë parreshtur.  Shenja konvencionale e hartës së vendit del nga rendi në të cilin jemi mësuar ta shquajmë, qoftë ai gjeografik, qoftë simbolik dhe shndërrohet në një lloj simboli ambig që qëndron më vete. Ajo nuk është më një e dhënë gjeografike dhe as simbolikë kombëtare por një mesazh personal i artistit që me mjete trupore ‘prodhon’ një lloj  kartografie kontroverse për të trajtuar marrdhëniet mes individit dhe nocioneve të bashkësise apo atdheut.

Fatlum Doçi. Farat, 2017-2018.
Instalacion, dimensione të ndryshme. Kunguj, degë shelgu, tuba hidraulikë, llamba të lehta.

Blerina Muça. Nga seria Roi – Diku në shtëpi, 2015-2018.

Akrilik në kanavacë, gjashtë akrilik në letër, dimensione të ndryshme.

Remijon Pronja. An die Freude, Nushid AlFarah, 2016.
Video me një kanalë, ngjyrë, zë; 3.08 minuta.

Sokol Peçi. Mëmëdheu, ose Një pasqyrë për të pështyrë, 2012.

Fotografi, shtyp në letër, 60 cm x 90 cm.