GJOLLESHA Yllka | paMUR 2015

ZETA në Tirana Open – “paMUR” – 2015

Artisti: YLLKA GJOLLESHA

6-13 Maj 2015

Me videon: Familja

Imazhi e dy qënieve që formojnë një familje. Në jetën reale ata janë një çift. Tek të dy videot procesi ndiqet me vëmendje në plane të afërta. Në videon e parë burri realizon procese të ndryshme të rregulllimit e në fund të akordimit të një pianoforteje. Ky proces shpaloset duke të sjellë ndërmend similitudën e Kandinskijt për elementet e pianos dhe artistin, gjë e cila kërkon të rendojë një hierarki rëndësie të elementeve. Këtë performim pa publik e bën jo një artist, e ky proces akordues formon një ‘melodi’ rastësore pa partiturë. Tek videoja tjetër zbulojmë zanatin e moçëm e të fisëm të gruas, qendisjen, e doradorës zbulojmë se ajo ravijëzon me anë të zanatit të saj, objektin e punës të të shoqit. Kuptohet se jo vetëm lidhjet ligjore i bëjnë të jenë një familje por edhe përkatësia e së njëjtës familje qëniesh: persona që punojnë për syprinën por më shumë në brendësinë e objektit. Një impostim i tillë, mbas skenave e dukjeve, është intim dhe i bashkon të dy në mënyrën e jetesës dhe të veprimit. Kundrejt një përditshmërie me luhatje të mëdha dhe të shumëllojshme përditshmëria e tyre në hije merr një ngjyrim prekës e poetik. Më shumë se të thojë haptas diçka artistja shtron një pyetje, edhe vetes si e tillë.

Zef Paci